LAJMI I FUNDIT:

BQE drejt lehtësimit sasior

BQE drejt lehtësimit sasior

Banka Qendrore Europiane (BQE), bën një hap përpara, të paktën në kuadrin e deklaratave, drejt programit të “lehtësimit sasior”.

Presidenti Mario Draghi tha se “Eurotower” do të përdorë të gjitha instrumentet që ka në dispozicion për të sjellë inflacionin brenda objektivave, duke përfshirë këtu edhe blerjen e titujve të vendeve anëtare. Sipas Draghit, ekonomia e Eurozonës do të qëndrojë pranë stanjacionit në terma afatshkurtër dhe afatmesëm.

“Një rritje e fortë e ekonomisë nuk ka gjasa të ndodhë në muajt në vijim”, tha Draghi në hapje të Kongresit Bankar Europian që zhvillohet në Frankfurt. “Nëse trajektorja aktuale e politikës monetare nuk do të jetë mjaftueshëm efektive, ose nëse do të kemi rreziqe shtesë të inflacionit, ne do të zgjerojmë bjerjet e aseteve edhe tek titujt e qeverive”, shtoi ai.


Banka Qendrore Europiane ka njoftuar disa masa për të lehtësuar kushtet e kreditimit në rajon, për të nxitur rritjen ekonomike dhe të luftojë kërcënimin real të deflacionit. Në muajin Tetor, inflacioni në Eurozonë rezultoi në 0.4 për qind, shumë larg objektivit afatmesëm të BQE, pranë por poshtë 2 për qind. “Situata e inflacionit në Eurozonë është bërë gjithë e më sfiduese.

Ne besojmë se reagimi i BQE ka qënë i domosdoshëm dhe do të vazhdojmë të veprojmë derisa inflacioni në rritet në 2 për qind”, u shpreh Draghi. Menjëherë pas kësaj deklarate, euro ra me rreth 0.8 për qind në raport me dollarin amerikan në 1.2433 dollarë. Megjithatë, Draghi mund të përballet me kundërshtimin e anëtarëve agresive të Këshillit Drejtues të BQE, siç është presidenti i Bundesbank, Jens Weidman. /Telegrafi/