LAJMI I FUNDIT:

“Bota e re” nuk e kishte as më të voglën lidhje me Nexhmedin Spahiun

(Përgjigje në reagimin e Nexhmedinh Spahiut: Guximi intelektual – njeriu që ka guxim, kudo që gjendet, prodhon liri)

Midis meje dhe Nexhmedin Spahiut duket se ka një keqkuptim esencial. Reagimi im ndaj shkrimit të tij “Krahina vs Republika”, nuk kishte për qëllim që Nexhmedin Spahiun ta fajësoja për cenim apo censurim të fjalës së lirë. Ajo që unë kam dashur ta them ishte se Nexhmedini në kohën për të cilën flet, nuk kishte asnjë kompetencë zyrtare për ta cenuar apo censuruar fjalën e lirë, siç pretendon ai. Politikën redaktuese të gazetës Bota e re e bënte redaksia, jo KU-ja, jo Këshilli i Botimit.

KU-ja ishte një forum i parëndësishëm i rinisë socialiste. Këshilli i Botimit ishte një dekor si shumë dekore tjera që kishte komunizmi. Pa asnjë rol tjetër. Përgjegjësinë për “lëshimet” nuk e kërkonte KU-ja, por Komiteti Krahinor i Informatave, i cili financonte Botën e re. Njerëzit e pushtetit nuk lejonin që gazeta të bëhej si Mlladina, sepse kujdeseshin qe ta vrisnin çdo dritë të largët sapo të dukej në horizont. A ishte Nexhmedin Spahiu njeriu i atij regjimi? Unë po them se nuk ishte. Ai po thotë se ishte! Kujt duhet besuar.


A ishte Bota e re “organ” i Nexhmedin Spahiut?

Në krye të gazetës shkruante: Bota e re, organ i KU të LRS të Universitetit të Kosovës. Pra de jure ishte. Ja historia e kësaj anomalie. Behxhet Haliti, ish kryeredaktor, kishte nxjerr një numer ku në vend të KU të LRS të UK, kishte shkruar vetëm fjalët: gazetë e studentëve të Kosovës. Ideja ishte që të fillohej një epokë e re kur gazeta jonë do të quhej gazetë e studentëve të Kosovës, por jo kurrfarë organi forumian. Për fat të keq kjo ide nuk gjeti mirëkuptim në forumet e atëhershme rinore dhe në pranuam që formalisht të ishim gazetë e kësaj KU-je, por pa u dhënë atyre as edhe mundësinë më të vogël të ndikimit në ndërtimin e konceptit redaktorial të gazetës.

Kjo fjalë organ për neve ishte tejet e neveritshme, sepse na vinte në të njëjtën linjë me botimet tjera që ishin organe të partisë në kuptimin strikt të fjalës, në një kohë që Bota e re kishte një kredo të veçantë të shprehjes dhe të shtjellimit tematik. Pra, ta quaje Boten e re organ i dikujt, ishte hiq më pak se një krim. Një krim që intelektuali Nexhmedin Spahiu nuk e ka të qartë as sot. Ndërkohë, kjo farë KU e LRS të UK (shih çfarë emërtimi i prapët që edhe tani kur shkruaj më nxjerr telashe) nuk ishte as pronare e as epror i Botës së re.

Bota e re kishte buxhetin e vet të ndarë drejtpërdrejtë nga Komiteti Krahinor për Informata dhe kryeredaktori i saj kishte të ardhura të rangut të funksionarëve më të lartë të Kosovës, ndërkohë që kryetari i KU të LRS te UK, ushtronte funksionin e tij në baza vullnetare, amatoreske, pra pa pagesë. Prandaj, kryeredaktori i atëhershëm emërohej nga një hierarki shumë më e lartë politike sesa KU-ja. Nuk them se kushdo tjetër, pra edhe Nexhmedini nuk do të mund të kishte ndonjë ndikim në përzgjedhjen e kryeredaktorit, por normalisht ishin “VIP” tjerë ata që merreshin me këtë punë e jo “funksionarët” e nivelit të Nexhmedinit. Pra, edhe vetë kryeredaktori i gazetës ishte një kategori shumë më e lartë e “VIP” sesa ishte kryetari i KU te LRS te UK. Dhe, si i tillë kishte tjetër kë mbi kokë, jo Nexhmedin Spahiun.

Ne kishim një situatë kur de jure ishim organ i KU të LRS, por de facto nuk e njihnim as nuk e konsideronim atë për padronin tonë! Nëse kishte fare padron, ky ishte Komiteti Krahinor për Informata, që financonte gazetën dhe që kërkonte llogarinë. Por, ne nuk punonim as nën diktatin e këtij komiteti. Këtu përseri del roli i KU të LRS të UK. Ajo ishte në realitet një ombrelle e dyfishtë që i shërbente edhe Komitetit, por edhe neve.

Komiteti formalisht transferonte “amësinë” ndaj Botës së re në duar të “aktivistëve studentë” që të dukej liberal në sy të opinionit, por që reagonte direkt dhe kërkonte llogari pa konsultuar fare KU-në kurdo që guximi ynë kapërcente vijat e kuqe. Kurse, ne fshiheshim ne po atë ombrellë, që të shkelnim nëpër vijat e kuqe dhe të shtireshim sikur nuk e dinim se kush ishte padroni! Kjo ishte e tëra sa i përket asaj që Nexhmedin Spahiu e quan vartësi të gazetës nga ai.

Nexhmedini nuk mund të ishte censori?

Kur kam përmendur emrin e Nexhmedin Spahiut si censor, kam përdorë ironinë, të cilën si duket ai nuk e ka kuptuar. Unë kam dashur t’ia tërheq vërejtjen që të mos marrë mbi vete përgjegjësitë që nuk i kanë takuar. Këtë më tepër e kam bërë për ta nxjerr atë nga labirinthet, ku ai i udhëhequr nga instinkti për të bërë memoare famoze, ka humbur busullën tërësisht.

Ta zëmë se qenka i vërtetë fakti se Nexhmedin Spahiu, siç pohon vetë ai, emëroi kryeredaktor Fadil Demakun. Atëherë, cili ishte roli i Nexhmedinit në shkarkimin e Fadil Demakut për shkak të numrit problematik të Botës së re, ku ne haptas mbronim kërkesat e minatorëve për dorëheqjen e politikanëve që ishin dorë e zgjatur e Millosheviqit në Kosovë? Këtë e di fare mirë, sepse isha njeri nga lojtarët kryesorë të ekipit që përgatiti numrin famoz të gazetës. Hajde Nexh, cili ishte roli yt këtu? Ti e di fort mirë, se Fadili u shkarkua jo pasi dole ti, por pikërisht në kohen kur ti ishe kryetar i KU të LRS të UK. Ti nuk e shkarkove, natyrisht, sepse nuk e kishe fuqinë e ngarkim-shkarkimit, por kush e shkarkoi? Dhe kryeredaktori tjetër që u emërua ishte po ashtu në kohen sa ti ishe kryetar i asaj farë KU-së tënde. Kush e emëroi?

Është shumë e kuptueshme që ti as mos ta kesh lodhë kokën për këto punë, për faktin e thjeshtë se nuk kishe kompetenca. Por, nëse ti merr përgjegjësi të cilat kurrë nuk i ke pasur, atëherë duhet t’u përgjigjesh pyetjeve që kanë të bëjnë me ato përgjegjësitë tua. Qoftë të favorshme qoftë të disfavorshme për ty. Nëse ti e ngarkove Fadilin me punë, atëherë logjikisht po del se ti edhe e shkarkove. Sepse, gjithnjë sipas teje, ti ishe autoriteti edhe në rastin e parë e edhe në të dytin.

Ti Nexh, krejt symbyllas e fut vetën udhëve të paudhë duke dashur që me çdo kusht ta lidhësh emrin tënd me epokat që ty të duken të rëndësishme. Më e favorshme për ty është e vërteta që unë tash po ta them ty këtu. E kjo është, se ti kurrë nuk e shkarkove e as nuk e ngarkove kryeredaktorin e Botës së re? Ti ishe një djalë i ri, një student i mirë dhe i urtë që kishe siguruar pozitën e kryetarit të rinisë, një pozite fare margjinale. Mbase, po të mundje, tani do ta shlyeje nga biografia jote, sepse duke pasur parasysh zhvillimin tënd të mëtutjeshëm si intelektual, ajo pozitë nuk të bën aspak nder. Të paktën duhet të pajtohesh në një pikë me mua, se për shumicën e studentëve të asaj kohe, identifikimi me pushtetin ngjallte neveri e jo admirim.

Përmasat e “patriotizmit” të aktivisteve politike të asaj kohe i janë të njohur mbarë opinionit dhe janë të kota orvatjet për shtrembërimin e realitetit të kohës. Për fat të mirë, disa bartës të funksioneve të atëhershme, sot qëndrojnë anash, duke respektuar minimumin e moralit njerëzor, i cili nuk ua lejon lojën e kameleonit duke kërcyer nga një kohë në tjetrën pa fije turpi. Unë nuk them se ti bën pjesë në grupin e njerëzve që duhet anatemuar, por ti del qesharak dhe jo serioz kur shpif për përgjegjësitë që kurrë nuk i kishe. Atë këngën që gruaja ia këndoi burrit për trimëritë që ai kurrë nuk i kishte bërë, ti po ia këndon vetes.

Poenta argëtuese e Nexhmedinit

Me duket simpatik dhe argëtues paragrafi ku Nexhi më quan frikacak. Nexhmedin Spahiu: ”Liri Loshin nuk e bëra kryeredaktor, sepse ishte frikacak”. Tani unë e kuptoj gjuhën e hidhërimit dhe nuk më vie rëndë që Nexhmedin Spahiu më quan frikacak! As që kam ndërmend të dëshmoj të kundërtën. Ju takon atyre që na njihnin edhe mua e edhe Nexhin për të komentuar në guximin intelektual, nëse e kishim në ndonjë mase atë, apo na mungonte fare. Ajo çka dihet është kjo: se nëse Liri Loshi ishte një emër sado modest në gazetarinë dhe letërsinë e atëhershme, emri i Nexhmedin Spahiut nuk ekzistonte askund.

Ishte një kryetar rinie i Universitetit, por kontributi i tij në tribunën e mendimit qoftë politik, qoftë kulturor, letrar etj., ishte thjeshtë inekzistent. Të thuhet anonim nuk ështe fjalë adekuate. Sepse, ai kurrë nuk e kishte shkruar asnjë fjalë në gazetat dhe revistat e kohës. Ai zu të merrej me shkrime pasi shkoi në Tirane. Ishte trimëri të jetoje e të veproje në Tiranë? Për njerëzit e mëdhenj si Nexhi, ndoshta. Për mua, që megjithatë isha në Tirane më 1992, Shqipëria dukej një vend shumë paqësor dhe shumë dashamirës për kosovaret. Të dashur ishin edhe më 1999 kur priten me mijëra refugjatë të luftës.

Sesa i ka kritikuar e ndrequr piramidat dhe shtrembërimet e pushtetit shqiptar Nexhmedini, është çështje e tij. Por, ajo çka di unë është se Televizioni që udhëheq Nexhmedin Spahiu në Mitrovicë, është një uverturë e turpit. Është një shembull se si nuk duhet në asnjë kohë të bastardohet informimi.

Të kthehemi edhe njëherë te frika. Konstatimi se nuk e emrova Liri Loshin, sepse ishte frikacak, ka defekte logjike. Së pari po ky autor harron çfarë kishte konstatuar në shkrimin e tij Kosova vs Republika. Citojmë: “Me Fadilin ishte më lehtë por tani ishte vështirë t’i gjeje gazetarët që të bënin atë çfarë bënin gazetarët-studentë sllovenë. Madje edhe në mesin e tyre (Liri Loshi, Halil Matoshi, Dibran Osmani, Muharrem Mjeku etj.) kishte përpjekje për të ndjekur shembullin slloven, por këtu secili ishte shah n’vete dhe nuk mund të bëja ekip. Çfarëdo përpjekje për të krijuar ekip, kuptohej jo si tendecë për ta fuqizuar liberalizimin e gazetës po e kundërta”.

Pra, nëse sipas Nexhit, unë isha një emër që lidhej me përpjekjet për ta ndjekur modelin slloven, në rend të parë duhej të isha një gazetar i guximshëm, apo. Të paktën, kështu fitohet përshtypja duke lexuar shkrimin e tij. Tani, pasi unë reagova ndaj të pavërtetave të tij, ai “harroi” që më kishte dhënë atributet e guximit dhe saora ma merr atë që ma kishte dhuruar një ditë më parë, pra epitetin e të guximshmit dhe ma jep një epitet krejt të kundërt – atë të frikacakut.

Por, sidoqoftë, askush nuk e han një gjellë aq të pakripë: nuk e bëra kryeredaktor sepse ishte frikacak. Së pari, siç u konstatua më lartë, Nexhmedin Spahiu nuk mund ta bënte e as zhbënte kryeredaktor askënd. Së dyti, për t’u bërë kryeredaktor nuk kërkohej të ishe i guximshëm, por pikërisht e kundërta! Dhe, unë nuk di çfarë të them më shumë për këtë pos të shkoqem se qeshuri. (Laugh hard). Fundja, ka mbetur diçka prapa që tregon se kush ishte trim e kush frikacak, në kohën për të cilën flet ti, por edhe më vonë dhe gjithmonë e deri – sot. Nuk do t’i përmendi që të mos dal ai që nuk jam, pra një mburravec. Mos e vraj këngën tënde, do të thoshte populli.

Depersonalizim apo derealizim i Nexhmedinit

Bota e re e ka historinë e vet, lindjen dhe zhvillimin e vet. I ka ngritjet dhe rëniet e veta. I ka njerëzit e vet me të cilët mund të lavdërohet apo turpërohet. I ka momentet e veta të mira e të kqija. I ka “trimat” dhe “frikacaket” e vet si çdo familje, si çdo asociacion, por emri i Nexhmedin Spahiut me Boten e re nuk lidhet me kurrgjë, as për të mirë e as për të keq.

Prandaj, nuk mundem as të përgjigjem në pyetjet e tij që kanë të bëjnë me Boten e re, në një kohë kur ai si në situata të transformimit personal, merr kompetencat që i kishin të tjerët e jo ai vetë. Apostrofimin e Botës së re në artikullin e tij e quaj hiq më pak se aksidental, një devijim nga rruga e hapur në një rrugë qorre! Një derealizim.

Në trend

Më shumë

"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë një zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori