LAJMI I FUNDIT:

Blegtoria me standarde evropiane

Blegtoria me standarde evropiane

Përkundër investimeve që janë bërë në sektorin e blegtorisë, ky sektor vazhdon të ballafaqohet ende me probleme. Konkurrenca e ashpër e produkteve të importuara, mungesa e mekanizmit modern bujqësor dhe vështirësitë në sigurimin e ushqimit për bagëti janë vetëm disa nga problemet që po e pengojnë zhvillimin e veprimtarive blegtorale.

Subvencionimi i mbarështuesve të bagëtisë nga Ministria e Bujqësisë dhe ofrimi i granteve investive për ndërtimin dhe kompletimin e stallave për bagëti janë përkrahje që vlerësohen nga blegtorët, por kërkesat e tyre janë më të mëdha dhe vijnë nga fermerët që merren me nënsektorin e qumështit, të cilët problemin më të madh e kanë konkurrencën e pabarabartë në treg, që po iu krijohet nga produktet e importuara në tregun tonë.

Milazim Berisha, pronar i ndërmarrjes prodhuese dhe përpunuese të qumështit "Eurolona" në fshatin Miradi e Epërme të Fushë Kosovës, thotë se problemi kryesor në këtë sektor vazhdon të mbetet konkurrenca e produkteve të importit dhe për këtë arsye ai kërkon nga institucionet vendore që të aplikojnë masa mbrojtëse dhe të ulin TVSH-në për qumështin e freskët. "Produktet e importit po na krijojnë një konkurrencë të pabarabartë në treg dhe problem për qumështarët mbetet ende mos heqja e TVSH-së për qumështin e freskët. Kërkojmë nga institucionet përgjegjëse që përveç uljes së TVSH-së të aplikojnë edhe masa mbrojtëse, pasi ne po dëmtohemi nga produktet e importuara", thotë Berisha. Ai tregoi se përmes granteve dhe subvencioneve që ka përfituar, ka arritur t’i zgjerojë kapacitetet e tij prodhuese dhe në tregun vendorë tash plason vetëm produkte me standarde evropiane.

Ndërsa, Brahim Kryeziu, pronar i një ferme të madhe të kafshëve të imëta në fshatin Bubavec të komunës së Malishevës, thotë se me subvencionet e përfituara nga Ministria e Bujqësisë, ka arritur të shtojë numrin e bagëtisë në mbi 1 mijë krerë dhi dhe në mbi 300 krerë dele në fermën e tij. "Të merresh me blegtori është e leverdishme dhe në vitin e ardhshëm planifikoj ta hapi edhe fabrikën për përpunimin e qumështit të dhisë, e cila do të më mundësojë që të shtojë edhe më shumë prodhimtarinë", thotë Kryeziu.


Ndërkaq, Bajram Imeri, drejtor në Departamentin e Prodhimtarisë Blegtorale në Ministrinë e Bujqësisë, thotë se përkrahja e kësaj ministrie për blegtorinë në këtë vit arrin në mbi 3 milionë euro, ndërsa në dy vitet e kaluara sektori është përkrahur me mbi 5.6 milionë euro. Ai thotë se ky sektor përbën prioritet për Ministrinë e Bujqësisë. "Përmes investimeve direkte në këtë sektor, ne kemi arritur që të shtojmë prodhimtarinë dhe krahas problemeve, investimet e bëra kanë mundësuar që mbi 60 për qind e teknologjisë aktuale të jetë bashkëkohore dhe përpunuesit kryesore tashmë janë duke i finalizuar investimet edhe në implementimin e sistemit të sigurisë HACCP", thotë Imeri. Ai pranon se pavarësisht përkrahjes, problemet ende janë evidente. "Problemet kryesore të blegtorëve ndërlidhen me aftësitë e tyre konkurruese, me mekanizmin bujqësor dhe me probleme të ndryshme rreth ushqimit për bagëti", thotë Imeri.

Ndërsa, lidhur me konkurrencën e pabarabartë, Imeri thotë se të gjitha produktet që dyshohet se janë objekt i dampingut, duhet të lajmërohen tek komisioni vlerësues për masat antidamping dhe masat kundërbalancuese në MTI-i dhe nëse dyshimet janë të bazuara, menjëherë nisin hetimet dhe merren masat adekuate. E heqja e TVSH-së për produktet bujqësore, sipas Imerit, nuk ndikon shumë tek blegtorët, sepse shumica e tyre janë pjesë e sektorit informal dhe nuk janë të regjistruar. "TVSH-ja nuk ndikon tek blegtorët, po tek qumështorët që grumbullojnë qumështin nga blegtorët, mirëpo edhe kjo në fund paguhet nga konsumatorët", thotë Imeri.

Aktualisht në këtë sektor janë mbi 5500 ferma blegtorale me mbi 472 mijë krerë gjedhe dhe 19 qumështore të licencuara. /Telegrafi/