Djelmoshat e revolucionit hynin dhe dilnin rrugicave të errëta, e shpesh madje hynin edhe nën rrugë për t’i shërbyer revolucionit. E kur revolucioni i nxirrte nga terri, i hante. Kështu ishte atëherë, nëpër ata filmat bardhezi.
Tash është ndryshe. Me ngjyra. E kanë mësuar mësimin djemkat. Djemtë e sodit vetë e kanë ngrënë revolucionin e tyre. Këto që duken as shtet e as peshk, janë vetëm kockat që kanë mbetur. Ky që po e jetojmë nuk është realitet. Është film. Ky film për të cilin po shkruajmë sot, nuk është bardhezi dhe nuk është përfunduar ende. Po xhirohet ditë pas dite, me episode, në formë seriali. Vrasës serik dhe seriale.
Skenari mund të jetë shkruar kudo, ndoshta diku në ndonjë pecetë të thjeshtë, në ndonjërin nga restorantet periferike të metropoleve apo mbase edhe në vetë qendrën e kryeqytetit tonë. Pse, a nuk mjaftoi një pecetë dhe dy të pashpirt që Bosnja të quhej e ndarë? Pastaj nuk mjaftuan 200 mijë koka për të mohuar atë pecetë të thjeshtë prej letre.
Kjo, për rrethanat tona do të dihet vetëm atëherë kur “sofra e parë” të ketë filluar të shkruajë memoaret. Sidoqoftë, memoaret janë në modë, dhe ata ndihen më shumë si yje sesa si keqbërës. Pastaj, “sofra” jonë, nëse nuk di të shkruajë, së paku do të rrëfejë historinë e saj të suksesit nëpër televizionet e veta.
E di që jeni mësuar me metaforë tjetër: atë për revolucionin që i ha bijtë e vet, kryesisht nëpër fushata spastrimesh. Këtë metaforë e zbuluan disidentët, kryesisht bijtë më idealistë të një kohe ndryshimesh, kur njerëzit të magjepsur me ëndrrat që kanë filluar të formësohen në realitet, mu përpara syve të tyre, fillojnë e zhgënjehen me realitetin e ri dhe me vetë “njeriun e ri”.
Pastaj djemtë thonë se kjo nuk ishte ëndrra e tyre, por mësuesi tashmë ka ikur tutje dhe nuk e arrijnë dot. Është bërë vetë zoti i tyre. Por ato ishin të tjera kohëra dhe “djemkat” ishin ndryshe. Ata veç mendonin se si revolucioni duhej sjellë edhe në fshatrat më të largëta, në lagjet më të humbura, e disa madje flisnin edhe për në majë të malit. Atje ta dërgonin revolucionin. Ta dërgonin se ai vetë nuk ecte dot. Atje e çuan revolucionin dhe e harruan. U desh kohë për të harruar, atëherë kur djemkat zbritën nga mali me gjithë revolucionin e vonuar. Atë që kishte mbijetuar.
E në histori ka ngjarë ndryshe. Revolucioni i kuq i hante bijtë dhe bijat e veta. Tash po ndodh e kundërta: Asgjë s’ka mbetur nga revolucioni. Ka mbetur vetëm populli pak a shumë lakuriq, i cili nuk ka ikur ende nga fushëbeteja! E kanë vënë në karantinë. Kur e thirrin me çfarëdo motivacioni të dalë në rrugë, nuk del, se e ka për turp të dalë me rrobat e larme ideologjike që duan t’ia veshin si të marrëve të oborrit. Nuk e luan dot të marrin e oborrit, prandaj preferon të rrijë brenda.
Këto çka po ndodhin në sheshxhirim nuk janë asgjë e ngjashme me ato që kemi lexuar nëpër libra. Janë vetëm thërrmija të mbetura nën tryezën e bukës, ku klasa politike e ngopur tashmë, ia ka krisur kumarit politik. Stop! Stop! Stop! Kështu bërtet regjisori i dalë mendsh, tmerrësisht i pakënaqur me gjithçka çka po ndodhte e sidomos me atë çka nuk po ndodhte. Duket i pakënaqur me sheshin e zbrazët të xhirimit, me skenën ku duhet të zhvillohej gjithçka dhe po grindet me veten, krejt i pazoti për të kuptuar përse. Përse populli nuk po del?
E pra, tash i kemi të gjitha. Sheshet po. (Para)politikën po. Edhe pozitën e kënaqur, edhe opozitën e pakënaqur. Por nuk po ndodh ngjarja e madhe dhe ata nuk po e kuptojnë përse. Mungon atmosfera. Artistët e shtetit janë shndërruar në politikanë e politikanët e opozitës në artistë. Pra, diçka nuk po ecën. Revolucioni nuk po ecën vetë. Beni ecte vetë, por revolucioni nuk guxon të ecë përmes pyllit i vetëm. E hanë djemtë.
Prandaj populli po e saboton revolucionin. Si të xhirohet një dokumentar, live, pa statist? Populli nuk do më të jetë statist. Po do të shijojë lojën me telepilot në dorë. Ju luani me tym e me zjarr, po thotë. Digjuni vetë, po deshët! Por, kush do ta besonte revolucionin e tillë. Pastaj edhe vëllezërit e mëdhenj po na vështrojnë. Edhe skenaristët. Rolet nuk po na përshtaten, njerëz!
E pra, shportat me vezë u zbrazën, lotët e ndjellë nga lotsjellësi u derdhën krejt, por revolucioni nuk po ndodh. Populli po mungon pa arsye. Policia, më saktë segmente të saj, po bashkëpunon me opozitën, me qëllim që të kryejë misionin e saj brenda skenarit. Inteligjenca e shtetit po hesht në mënyrë (jo)inteligjente.
Studentët e instruktuar duan të zhbllokojnë prodhimin serik të intelektualëve, për nevoja të revolucionit, por veç një rektor kokëfortë, krejt jashtë kohe dhe hapësire, po i bllokon. Ai po ngul këmbë se ne na duhet shkenca, e politika po kërkon veç shkencëtarë. Rektori është çikërrimtar. Nuk mund të ketë shkencëtarë pa punime shkencore, thotë ai. Mundet, rektor, mundet! Veç këta shkencëtarë kanë mundur të prodhojnë këtë gjendje.
Populli po mungon. Përse po mungon populli? Nuk ka as vërtetim prej mjekut e as leje prej prindit! Asnjë arsye të Zotit tashmë nuk e ka për të munguar. Pushimet e verës janë prapa nesh. Pse të mos e bëjë pjesën e vet të skenarit, populli?
Kështu si është, skena politike është bërë si teatri kombëtar. Pa publik. Kur ka seriale, përse të shikohet politika … Duket krejt ashiqare se populli po saboton. Është shtrirë populli në kokërr të shpinës në kanape, e ka vënë anash në një cep, në një pjatë pak qepë, pak kripë, pak lakër, nga pak nga gjithçka dhe po pi. Kjo po e dëmton në shëndetin revolucionar, por e ka nga monotonia, populli. Vend i vogël, ku njihen të gjithë.
Tash te ne revolucioni po përpiqet të ndodhë. Populli po e aborton. Po e saboton. Djemkat e kanë hëngër tashmë revolucionin! Ia kanë ngrënë kuptimin. Të gjithë po pajtohen se vendimet që i ka marrë së fundmi politika, kanë qenë jashtëzakonisht të rënda. Hajt e thuaj pastaj se politika nuk e ka vështirë. Barrë e rëndë për këta politikanë.
E populli nuk është këtu. Mendjen e ka gjetiu!
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëGerta flet pas incidentit: Nuk kam për qëllim të dëmtoj sytë e Gjestit
Pas trajtimit në spital, Gjesti kthehet në Big Brother
Musk: USAID është një organizatë kriminale – është koha që të shuhet
Gerta Gixhari e lëndon Gjestin? I hedh alkool në sy
Afati kalimtar i janarit: Transferimet minutë pas minute, emra të mëdhenj në bisedime
‘Trazira’ në Big Brother VIP Albania - pas lëndimit të Gjestit shpërthejnë debatet në shtëpi
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Gerta flet pas incidentit: Nuk kam për qëllim të dëmtoj sytë e Gjestit
Gerta Gixhari e lëndon Gjestin? I hedh alkool në sy
‘Trazira’ në Big Brother VIP Albania - pas lëndimit të Gjestit shpërthejnë debatet në shtëpi
Babai i Haalandit thumbon keq Arsenalin pas turpërimit që i shkaktuan Man Cityt
A është ende e sigurt të fluturosh me aeroplan? Ekspertët e aviacionit japin 'verdiktin e tyre' pas incidentit në Uashington
Musk: USAID është një organizatë kriminale – është koha që të shuhet