LAJMI I FUNDIT:

Biçikleta e dyshimtë

Biçikleta e dyshimtë

Zakonisht thuhet, “më në fund ranë maskat”. Kjo fjali përdoret për të shprehur gëzimin se më në fund po shihet kush është kush në këtë vend dhe në këtë lojë. Asgjë nuk po shihet. Edhe maska, edhe tym, edhe lot në Parlamentin e Kosovës. Nuk po qajnë deputetët për gjendjen në të cilën e kanë sjellë vendin, jo. E kanë nga lotsjellësi e dikush edhe nga inati.

Ka shumë gjasa që dikush të kishte preferuar të ketë edhe gjak, të jetë kjo një storje ashtu si jemi mësuar, përplot me trimëri, çmenduri dhe hakmarrje. Por, për fat, nuk pati gjak, së paku jo në përmasat që të merrte jetë njerëzisht. Në këto rrethana me polarizime ekstreme mendimesh, vështirë se dikush mundet me u pajtua se tjetri mund të jetë po aq njeri dhe mund të ketë të njëjtin gjak me të. Kuptohet, ata të tjerët andej janë tradhtarë.

Por, te ne gjërat kanë tjetër kuptim, të dashur miq. Vetëm kur vihen maskat fillon me u pa se kush është kush. Vetëm atëherë fillojnë gjërat me marrë epilog. Krejt kjo ndodhë për shkak se kjo klasë politike nuk u shërben qytetarëve, por u shërben atyre që e krijuan. E lindur në vitin “1244”, me prindër nga të gjitha kontinentet dhe kulturat, kjo klasë as që mund të quhet vendore, edhe pse u krijua me material vendor. Ka thënë populli se “këlyshët e parë hidhen në ujë” , por çfarë nuk ka thënë edhe populli?! As “Google” nuk i mban mend të gjitha…!


Kështu, mendon ti, se diçka është në interes të popullit, të qytetarëve, kur krejt papritmas e kupton se qytetarët e këtij vendi nuk janë popull. Nuk janë as komb. Nuk janë as shumicë. Nuk janë as pakicë. Nuk janë as qytetarë madje, se qytetari ka të drejta. As katundar madje…!

Pra, te ne u vunë maskat. Kështu njerëzit mund të shpresojnë…! Të shpresojnë se njeriu i tyre, shpëtimtari, është nënë atë maskë.. Sikurse edhe UÇK-ja dikur, e cila pat paraqitjen e sajë të parë publike , me maska! Ngjashëm edhe koalicioni … !

Njësitet e trajnuara për të luftuar terrorizmin, të armatosura deri në dhëmbë, u futën në ambiente të një partie politike, dorën në zemër ekstreme, por gjithsesi ku askush normal nuk priste të kishte armë e as rezistencë të armatosur. Nëpër videot e postuara pas kësaj nëpër rrjetet sociale, shihen kundërterroristë të maskuar teksa futen nëpër zyra, me automatik, në gjendje të plotë gatishmërie dhe të rinj të alarmuar që thërrasin pa kontroll në një shqipe të pastër: “Na vrani, çka po pritni”!

Pas krejt këtij operacioni, si duket shteti e gjeti atë çka po kërkonte. Ishte aty një biçikletë e dyshimtë e cila e arsyetonte plotësisht këtë ndërhyrje, e cila për nga vrulli dukej shumë e përafërt me ndërhyrjen e famshme, në veri të Kosovës. Veçse, atje shkuan njësitë speciale, jo ato anti-terror. Si e dimë të gjithë, në veri nuk ka terroristë. Në Prishtinë, po. Adresa e tyre është: Rruga e UÇK-së ose ndryshe “te Qafa”.

Por, ndaluni pak. Çka kërkonte një biçikletë në selinë e partisë më revolucionare në vend, pikërisht me 28 Nëntor? Aq më tepër, ashiqare nuk ishte prodhim vendor? E kujt ishte biçikleta? Me siguri nga gjurmët e gishtave, Policia do të kuptojë kush krejt i ka hipur asaj. Ka shumë gjasa që biçikleta të dërgohet në super ekspertizë, jashtë vendi, për me marrë ndonjë kuptim krejt kjo situatë, se kështu do të çmenden analistët: çka kërkonte biçikleta në selinë e një partie “terroriste” ?

Shumë pyetje të cilat e kanë zgjuar kureshtjen e publikut, kanë mbetur pa përgjigje. Mu sikur në serialet turke, apo latine…! Me lot dhe me vazhdime.

Ra kjo festë dhe u pamë të dashur miq. Doli sheshit se Qeveria, i shtyp minoritetet! Pa keqkuptim, nuk është fjala për minoritetin serb, e as atë turk. Për to ka kush kujdeset. Fjala është për minoritetin shqiptar. Për të nuk ka kush të kujdeset. Përfaqësuesit që i zgjodhën në Parlament i këqyrin interesat e veta. Të gjithë u përkulën dhe u betuan përpara dëshmorëve, të cilët tash nuk është e qartë se të kujt janë.

Ndërhyrja me Policinë antiterror, në selinë e një partie minoritare, e vetmja e deklaruar si shqiptare e cila kërkon pa e fshehur bashkimin e Kosovës me shtetin tonë fqinj, shënoi kulmin e pabarazive në këtë vend kur minoritetet e tjera gëzojnë të gjitha të drejtat brenda standardeve të njohura ndërkombëtare, përfshirë edhe autonomi, madje edhe dyshtetësi. Minoriteti shqiptar në Kosovë e kishte të ndaluar madje edhe përdorimin zyrtarë të simboleve të veta. Kurdo që vinte ndonjë delegacion i jashtëm, hiqeshin derisa “Vetëvendosja” nuk e fitoi kryeqytetin, kështu që Policia më nuk e heq flamurin gjigant shqiptar “Te Rrethi” i vjetër.

Derisa serbët me përkrahjen e fuqishme ndërkombëtare vazhdojnë të jenë edhe shtetas serb, e ndonjëri aty këtu edhe kosovar, shqiptarët vazhdojnë të mbeten të dyshimtë. Vazhdimisht u dërgohen sinjale se të jesh shqiptar në Kosovë është kategori jokushtetuese. Kosova është shtet i qytetarëve të saj. E ngatërruar, apo jo? Ahtisari e marrtë vesh!

Pra, këto ditë e festuam Ditën e Flamurit. Edhe pse nuk është në listën e festave zyrtare të Republikës, megjithatë shumica e institucioneve, kompanive publike etj. nuk punuan. Jemi popull qejfli për të festuar. Festojmë kurdo që na jepet rasti. Nuk lëmë festë pa festuar. Askush nuk e shikon me të keq festën e të tjetrit. Festojmë edhe ne. Kur është për të pushuar, nuk kundërshtojmë.

Përndryshe, te ne çdo festë e madhe zgjat tri ditë. Më saktë tri net. Aq më tepër që na qëlloi edhe fundjavë. Kështu, shumica, natën e parë festive e kaluan në shtëpi, për shkak të protestave. Ndërkohë që dy netët e tjera mendohej me i kalua diku nëpër ndonjë lokal me muzikë “të gjallë”. Ndërsam ata me standard më të lartë ekonomik, edhe të ikin jashtë vendit, sidomos në Vlorë ose Tiranë. Disa shkuan edhe të përkundin djepin e kulturës në Shkodër, apo edhe atë në Korçë. Pastaj vijnë… albumet në “Facebook”.
A
ka vend për protesta në ditë feste? Ka si nuk ka?! Serbia për shembull është shtet i popullit serb dhe qytetarëve të saj. Ngjashëm edhe Maqedonia,. Edhe Mali i zi njëjtë. Ne jemi, falë Zotit, në të gjitha këto vende, qytetarë me Kushtetutë . Ec e na thuaj katundar, pastaj.

Pra, ra kjo festë e me 28 Nëntor në Prishtinë u vërtetua përfundimisht se në Kosovë ekziston edhe një minoritet i cili nuk është llogaritur ende. Janë diku rreth 35 mijë, sipas shënimeve të organizatorëve, edhe pse Policia po e konteston këtë numër dhe po thotë se janë e shumta katër apo pesëmijë.

Nga krejt kjo mund të nxirret përfundim se “Vetëvendosje” me gjithë ato mjete të dyshimta që u gjetën në selinë e sajë, po përgatiste me e shpall “Zajednicën “ e vet, Asociacionin e Komunave me shumicë shqiptare, veçse kjo do të quhej “Bashkësia e Komunave Shqiptare” pra shkurt “BKSH”. Kryeqytet do të ishte Prishtina. Kryetar, kush tjetër pos Albini?! A nuk na përmalloi të gjithëve me atë përshëndetje me grusht. Pastaj, edhe garda revolucionare që e përcolli deri në seli, për të mos rënë i gjallë në dorë të Policisë. Nënkryetar do të ishte ndonjëri nga partitë e tjera të dyshuara si proshqiptare.

Nejse. Krejt këto do të sqarohen dhe do të marrin epilog. Enigmë e përjetshme do të mbetet puna e asaj biçiklete, trofe lufte i njësisë antiterroriste të Policisë së Kosovës. Për shkak të pikëpyetjeve të shumta, që do t’i shtrojë opozita dhe shoqëria civile, ajo mund të zhduket fare lehtë nga dhoma e dëshmive. Natyrisht, nga përvoja e deritashme kamerat nuk do të punojnë dhe askush nuk do ta kuptojë se si u nxor nga andej.

Duhet me e mbrojt me çdo kusht dhomën e dëshmive…!