LAJMI I FUNDIT:

Betejë elektorale apo elektronike?

Betejë elektorale apo elektronike?
Ilustrim

Gëzim Tushi

Sapo kemi hyrë në etapën shumë të rëndësishme të fushatës elektorale parazgjedhore, si një nga momentet me rëndësi për demokracinë shqiptare. Besoj se kanë kaluar tri dekada e gjysmë dhe është krijuar një përvojë sintetike e vlefshme për të ndryshuar disa gjëra për mirë, në tipologjinë e vjetër empirike të fushatave së kaluarës. Unë mendoj se që tani duhet menduar dhe njëkohësisht reflektuar thellë për të kapërcyer arkaizmin anakronik të fushatave monotone, lineare, monokrome, fraziste, me shumë “kashtë” dhe pak grurë.

Politikisht dhe sociologjikisht është e domosdoshme, që ndryshe nga dikotomia konfliktuale e fushatave parazgjedhore, të vlerësuar ngushtësisht dhe mekanikisht vetëm dhe thjeshtë si “luftë për pushtet”, kjo etapë e rëndësishme parazgjedhore është një momentum me rëndësi strategjike për cilësinë e zgjedhjeve dhe formulimin e “vullnetit politik” të qytetarëve si votues sovran.


Problemi është a janë duke menduar në mënyrë kreative partitë politike, se cilat do të jenë në këtë fushatë format e komunikimit politik, çfarë gjërash të reja do të sjellë interlokucioni elektoral masiv dhe kapilar, në kontaktet me grupet sociale apo të personalizuara. Në politologjinë moderne është ravijëzuar ideja dhe po elaborohet koncepti i ndërtimit të zgjedhjeve elektorale, përmes një “orkestrimi” të sintetizuar midis drejtimit themelor politik dhe pedagogjik nga njëra anë dhe penetrimit intensiv përmes gjithë kapaciteteve dhe formave të larmishme të teknologjisë së informimit digjital. Jetojmë në kohërat e krijimit të strukturave të reja të lidhjes sociale e komunikimit elektoral, sepse midis njeriut, shoqërisë dhe politikës është krijuar rrjeta e madhe e socializimit politik elektronik. Besoj se në kohën e sotme duhet vlerësuar sociologjikisht realiteti ynë politik në të cilin elektorati është duke u frakturuar.

Ai është bërë rezistent ndaj demagogjisë së politikanëve, mosbesues ndaj politikës në përgjithësi dhe klasës sonë politike në mënyrë të veçantë. Kjo situatë sociale e ka vënë politikën përballë shumë dilemave dhe krizave të natyrshme të lidhjes dhe komunikimin me njerëzit. Qofshin ata militantë të thekur apo qytetar skeptik, besues të verbër politikë apo indiferentë klasikë, të angazhuar apo të margjinalizuar, të rinj apo të moshuar.

Në këto kushte, duhet vlerësuar e vërteta se në kushtet e një shoqërie me komunitete të cenuara dhe fraktura sociale publike, është e domosdoshme që partitë politike të vënë në lëvizje të integruar instrumente të reja sociale dhe politike. Kjo është e lidhur në mënyrë të domosdoshme me një kompleks faktorësh, instrumentesh politikë, teknikë, teknologjikë, që duhen njohur dhe vënë në funksion të komunikimit elektoral. Tani është koha që partitë politike të përgatiten, të vënë në punë “makinerinë e infrastrukturës” politike e mediatike, logjistike, estetike dhe propagandistike. Personalisht mendoj se në këto zgjedhje me siguri do shfaqen probleme të ndërlikuara të sociologjisë elektorale, të lidhura me cilësinë e “teknologjisë” e substancës së komunikimit politik dhe elektoral të cilët janë faktorë në dukje “teknikë”, por që veprojnë në mënyrë kompakte dhe kanë ndikimin e tyre social e sociologjik, besoj në dimension determinant për ta bërë këtë fushatë të lirë, deliberative, të arsyeshme, diskursive dhe demokratike për opinionin publik.

Në fakt, sociologjia elektorale e këtyre 34 viteve nuk është se ka sjellë ndonjë ndryshim të madh në tipologjinë apo skemat realizuese të fushatave elektorale. Në përgjithësi është zbatuar një model tradicionalisht i kalcifikuar si tipologji e makinerisë së vjetër elektorale dhe aktorëve me dije politike empirike, e shoqëruar me narrativa boshe dhe dialogë të ashpër në dukje, por pa substancën e duhur krijuese e mbushamendëse. Përgjithësisht deri tani ideatorët e fushatave dhe politikanët si aktorë të kësaj “loje politike”, përgjithësisht i kanë kushtuar më shumë rëndësi anës spektakolare si simulim politik, si imazh publik, anës empirike e sasiore të lidhjeve elektorale dhe më pak rëndësi anës cilësore.

Në fushatat tona shpeshherë qytetarët më shumë se përballen me politikanë që kanë ide, solidarizohen në “turmë” me ca njerëz empirikë që militantizmin politik e përdorin për qëllime individuale pragmatiste apo si maskë për të fshehur “injorancën e devotshme”, duke qenë se jo pak prej tyre janë thjesht “zanatçinj” të grumbullimit të votës si sasi, pavarësisht nga cilësia e procesit apo efektet politike post-elektorale. Në vlerësimin sintetik sociologjik, mendoj se përgjithësisht pragfushatat, fushata dhe zgjedhjet, sidomos ato parlamentare kanë vuajtur nga shumë mangësi ontologjike e defekte konceptuale thjeshtëzuese në përdorimin e makinës elektorale komplekse. Konceptimi dhe realizimi i zgjedhjeve, me gjithë përpjekjet për dukje, spektakularizëm e teknologjizëm, deri tani është në një masë të konsiderueshme kanë qenë sempliste e burokratike.

Unë besoj se tani duhet të ndryshojë thelbësisht fushata elektorale, sepse sot jetojmë në një shoqëri moderne, të globalizuar e të digjitalizuar, në të cilën janë shtuar resurset teknologjike, mjetet dhe rrugët e komunikimit intensiv politik. Kështu që politika shqiptare ka filluar të kuptojë se duhet në një nivel të ri, të lartë e cilësor të kombinojë “videopolitikën”, apo komunikimin përmes mediave tradicionale sikurse janë shtypi, radioja dhe televizioni, si forma të njohura të takimit elektoral të drejtpërdrejtë apo “sy më sy”.

Duket se po bëhen përgatitje për një “revolucion elektoral” dhe partitë politike dhe politikanët, kanë filluar të mendojnë si të përdorin epërsinë e ndikimit, bindjes apo pse jo edhe të manipulimit elektoral virtual, përmes rrjeteve sociale apo formave diverse të saj. Sociologjikisht jemi përpara dukurisë së aliazhimit të integruar të fushatës, me efektet dhe epërsitë e reja të digjitalizimit të komunikimit politik. Një dukuri sociale që nuk shfaqet vetëm në fushatat tona elektorale. Përkundrazi është një fenomen global, i cili në kushtet e shoqërisë liberale dhe prirjeve individualiste të qytetarit si votues, si pjesë e sferës politike e publike, gjithnjë e më shumë të fragmentarizuar, po i kthen fushatat elektorale nga beteja politike në beteja digjitale kibernetike dhe elektronike me efekte të jashtme. Më shumë se politikanët, kohët e fundit në kohë fushatash marrin më shumë vlerë dhe rëndësi specialistët e IT, inxhinierët elektronikë, regjisorë dhe skenaristë, arkitektë skenash e skenografë virtualë.

Kthimi i “betejës elektorale” në “betejë kibernetike” apo “duel elektronik” është dukuri sociologjike dhe teknike, e cila me sa duket në këto zgjedhje të majit 2024 do të shfaqet më e plotë, më e sofistikuar. Sot këto forma janë bërë pjesë organike e stratagjema elektorale të natyrshme, të pranuara për zhvillimet politike në shoqërinë modern, të certifikuara globalisht si instrumente intensivë të përdorueshëm me sukses gjatë fushatave politike. Por, nga ana tjetër, krahas epërsisë së komunikimit të shpejtë, të “menjëhershëm” dhe të “aty për atyshëm”, duhet pranuar ana tjetër e medaljes, pasi këto aspekte të epërsisë formale, akselerimit teknik të komunikimit, zbukurimeve dhe simulakrave të imazheve estetike, kanë gjithnjë të nënkuptuar jo vetëm komunikimin, por dhe rreziqet e manipulimit. Të gjitha me një synim të përbashkët elektoral: tërheqjen e zgjedhësve në kutitë e votimit.

Nuk e di se sa do jetë efekti ndikues i komunikimit digjital në këto zgjedhje. Por, duke bërë krahasime sociologjike, të dallimit politikisht influencues të mediave klasike nga potenca virtuale e rrjeteve sociale të komunikimit, përtej cilësisë së ofertave të ofruara, duhet parë dhe vlerësuar sociologjikisht se sa ato do influencojnë dhe ndryshojnë nivelin e ndikimit politik dhe reflektimit social te qytetari si votues. Fushata e vitit të ardhshëm besoj se do të jetë krejt të re, për sa u përket mënyrave, moduleve dhe formave të komunikimit elektoral.

Por, në mënyrë të sigurt besoj, se në këto zgjedhje politike do kemi dukuri, fenomene dhe fakte të reja, për shkak të ndikimit të padiskutueshëm që do kenë mediat digjitale dhe rrjetet sociale, duke sjellë me siguri ndryshime e transformime të thella të sferës së ndikimit në sferën politike publike. Është një fenomen i ri i këtij shekulli, i cili nuk ka mundësi të mos ketë interferencë, e të mos shoqërohet me riperkursione, të cilat nuk mund të llogariten as me logjikën elektorale klasike të komunikimit politik, as me atë të mediave tradicionale. Nuk jam si sigurt për sasinë, por jam i sigurt që komunikimi digjital, do të ketë efektet e veta në zgjedhjet e ardhshme. Natyrisht me kushtin që fushatën të mos e reduktojmë në “gjestikulacione elektorale” me efekte të jashtme. Apo sikurse ka thënë ish-presidenti Francës, Nikola Sarkozi “në betejë elektorale të inxhinierëve elektronikë”,