Shembulli i mrekullive që mund të bëjë paqja në një vend pas konflikti.Deri pak vite më parë, moli i vjetër në Ishullin e Mbretëreshës në Belfast ishte në gjendje të rrënuar. Kishte mbetur në këmbë vetëm një ndërtesë pranë zonës ku "Titanikut" iu bënë punimet përfundimtare, e cila shërbente si provë e vetme për aktivitetin e ethshëm dhe të shkëlqyer, që zhvillohej dikur në atë zonë.
Por, tani gjërat kanë ndryshuar. Zona nuk është më e shkretë, përkundrazi gumëzhin nga aktiviteti. Ajo që njihet nga irlandezët si Zona e Titanikut gjatë 15 viteve të ardhshme do të thithë 10 miliardë dollarë investime, pa llogaritur zyrat, apartamentet, e qendrat tregtare që janë ndërtuar deri tani.
"Citigroup", "GE Healthcare", "Microsoft" dhe një numër në rritje kompanish vendase e të huaja kanë hapur degët e tyre nëpër ndërtesat prej çeliku e qelqi. Zona kur dikur lyheshin anijet, tani është kthyer në një studio prodhimi filmash artistikë: filmi fantastiko-shkencor "Qyteti i Emberit", me kosto prej 50 milionë dollarësh, i cili do të dalë nëpër kinema tetorin e ardhshëm, është realizuar pikërisht në këtë studio.
Po kështu i gjithë Belfasti. Qyteti i përgjunjur për plot 30 vjet nga dhuna e përplasjes civile sot po shkëlqen. Ka kaluar një dekadë që nga çasti kur marrëveshja e Paqes së të Premtes së Mirë i dha fund konfliktit mes republikanëve katolikë, që kërkonin një Irlandë të Bashkuar dhe unionistëve protestantë, të cilët parapëlqenin të mbeteshin pjesë e Mbretërisë së Bashkuar. Ajo marrëveshje tani po fillon të shpërblejë me rritje ekonomike.
Vitrinat e shkatërruara nga bombat dhe mjetet e blinduara policore ua kanë lënë vendin tashmë ndërtesave të mbushura me zyra, me dyqane të bukura, apo qendrave tregtare si ajo 640 milionë dollarëshe e sheshit "Viktoria", në qendër të së cilës është ndërtuar një kullë e mrekullueshme qelqi, që u ofron vizitorëve gjithë horizontin e qytetit.
Bumi i tregut të pasurive të paluajtshme është reflektim i përpiktë i kthesës drastike që ka bërë Irlanda e Veriut. Gjatë dekadës së fundit, rajoni ka shënuar rritje ekonomike prej 3 për qind, përkundrejt 2.5 për qind të mesatares së Britanisë së Madhe. Gjatë kësaj periudhe janë krijuar më shumë se 100 mijë vende të reja pune, duke e shpënë përqindjen e papunësisë në shifrën më të ulët gjatë këtyre 26 viteve të fundit, 3.9 për qind.
Qeveria planifikon për dekadën e ardhshme injektimin e një investimi prej 36 miliardë dollarësh, për t‘i ardhur në ndihmë infrastrukturës, si edhe një serie projektesh regjeneruese. Dhe vitin që shkoi, për herë të parë, vendi vërejti migrimin, i përbërë nga emigrantë që kanë vendosur të kthehen nëpër shtëpi, si edhe një fluks i konsiderueshëm nga Evropa Lindore. "Kemi hedhur hapa vërtetë të mëdhenj në planin ekonomik, shoqëror dhe politik", thotë Naixhel Dods, ministri i Financës së Rajonit. "Irlanda e Veriut është e hapur për biznesin".
Talentet më të mira
E gjitha kjo do të thotë shtim të pranisë së biznesit të huaj. Ndërsa një grup shumëkombëshesh qenë vendosur në Irlandë përpara nënshkrimit të Marrëveshjes së të Premtes së Mirë, gjatë 6 viteve të fundit investitorët e huaj kanë derdhur në vend 2.6 miliardë dollarë.
Prodhuesi kanadez i avionëve "Bombardier Aerospace" ka investuar në Belfast 2.4 miliardë dollarë që nga viti 1989, përfshi edhe 140 milionë gjatë këtij viti për zgjerimin e impiantit. Japonezja "Fujitsu Services" ka derdhur 60 milionë dollarë në operacionet e Irlandës Veriore gjatë 18 muajve të fundit për krijimin e një qendre zhvillimi softuerësh, duke e dyfishuar numrin e të punësuarve (tashmë janë më shumë se njëmijë).
Kompania HCL, më e madhja e prodhimit të kompjuterëve në Indi, mbërriti në veri para shtatë vitesh dhe tani numëron më shumë se dymijë të punësuar. Ndërkaq, prodhuesi i pajisjeve për post-telekomet "Nortel Networks" ka më shumë se 500 punonjës në një qendër prodhimi në Monkstaun. Stabiliteti i vendosur gjatë këtyre viteve "është shumë tërheqës për biznesin dhe investimet", thotë kreu ekzekutiv i "Nortel Networks", Maik Zafirofski.
Ajo që e bën tërheqëse Irlandën e Veriut është shumë e thjeshtë. Ofron një forcë pune të shkolluar më së miri dhe anglishtfolëse, kosto më të ulëta se në pjesë të tjera të Britanisë, si edhe lehtësira të shumta të ofruara nga qeveria. Për shembull, rrogat për profesionistët që punojnë në industrinë e teknologjisë së përparuar janë 30 për qind më të ulëta nga ato që vërehen në Londër apo në Dublin.
Gjigantja e investimeve në bursë "NYSE Euronext", u josh nga aftësitë e të diplomuarve në inxhinierinë e softuerëve dhe të financës në dy universitetet e Belfastit, "Queen‘s" dhe "Ulster". Në mars "NYSE Euronext" bleu kompaninë "Wombat Financial Software", në qendrën inxhinierike të së cilës punojnë 150 njerëz dhe që është në zgjerim të vazhdueshëm.
"Këtu mund të gjejmë kalibër më të lartë talentesh në industrinë e teknologjisë së përparuar, krahasuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës", thotë numri një i "NYSE Euronext", Dankan Niederauer.
Bahçja e martirëve
E, megjithatë, nuk duhet kërkuar larg për të vënë re se ndarjet e vjetra ekzistojnë edhe sot. Në gjithë Irlandën e Veriut vetëm 5 për qind e nxënësve të shkollave dhe të mesme studiojnë nëpër shkolla të përbashkëta dhe pjesa më e madhe e lagjeve janë izoluar vullnetarisht nga fqinjët protestantë.
Vetëm pak minuta larg nga qendra e qytetit, zgjaten për kilometra të tëra të ashtuquajturat "vijat e paqes" – mure betoni me lartësi të konsiderueshme – të cilat ndajnë edhe sot lagjet protestante nga ato katoliket.
Një prej këtyre mureve, i mbushur me fraza pajtuese të shkruara nga vizitorë prej të gjithë botës, ndan Rrugën Katolike Fall, nga ajo protestantja Shankill. Mbi muret që rrethojnë bahçet e vogla që gjenden përpara shtëpive me tulla të kuqe janë vendosur shtjella të dendura telash me gjemba për të penguar goditjet e mundshme me shishe apo gurë.
Në pjesën katolike, në një "bahçe martirësh" e krijuar me kujdes të veçantë vërehet nga larg një pllakë memoriale, me emrat e atyre që humbën jetët gjatë viteve të dhunës. Edhe nga ana tjetër vërehen flamujt përkatës bashkë me fotot e martirëve të vrarë gjatë përplasjeve.
E, megjithatë, turizmi po merr frymë – për të dyja arsyet, edhe pse ajo epokë që vendasit e quajnë "trazirat" tashmë është kujtim, edhe pse dikur ka ekzistuar. Në Belfast, gjatë vitit të shkuar u numëruan rreth 7 milionë turistë. Autobusë e taksi të shumta shoqërojnë turistët në ato që quhen "turet e terrorit", duke ndalur më gjatë nëpër ato pika ku trazirat e dikurshme janë më evidente, si "vijat e paqes". Ndërkaq, burgu ku u mbajtën liderët politikë tashmë funksionon si muze.
Ndërkaq, duket se në ditët e sotme që të dyja palët janë të vendosura t‘i lënë mënjanë dasitë, të paktën në fushën e biznesit. "Ekonomia është ajo sferë ku mund të ngremë konsensus të vërtetë", thotë David Dobin, drejtuesi kryesor i fermës "Dale", prodhuesi më i madh i bulmetrave në Irlandën e Veriut, si edhe president i "IntertradeIreland", agjenci që promovon lidhjet ekonomike mes veriut dhe jugut. "Në rast se arritëm ta zhvillonim biznesin në mes të luftës", thotë, "merrni me mend ku do arrijmë në kohë paqeje".
Kostot relativisht të ulëta të veriut iu dukën mjaft joshëse firmës së njohur të internetit "CyberSource". Në maj të këtij viti, firma kaliforniane "Mountain View" bëri publik projektin për hapjen e një qendre zhvillimi softuerësh në Belfast, e para jashtë kufijve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Qeveria po e mbështet projektin me një injeksion prej 1.6 miliardë dollarësh dhe vetë kompania llogarit se shpenzimet totale do jenë 40 për qind më të ulëta se ato në Silikon Valei. Kompania "CyberSource" fillimisht kishte pasur në plan të investonte në Kinë, Indi dhe Rusi, por "asnjë prej menaxherëve tanë nuk pranonte të humbte shumë kohë të vlefshme në këto tregje", thotë presidenti i kësaj kompanie, Uilliam Mek Kiernan.
"Që të gjithë parapëlqenin Irlandën".
Për pjesën më të madhe të të huajve, Irlandë do të thotë jug – dhe kjo, për arsye të mira. Në fund të fundit, Republika e Irlandës ka të njëjtat avantazhe me veriun: një popullsi të re, të shkolluar më së miri, anglishtfolëse dhe me shumë tipare të ngjashme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropën.
Jugu ka një avantazh të vazhdueshëm: taksë korporative prej 12.5 për qind, ndërkohë që në veri kjo taksë është sa edhe në pjesën tjetër të Britanisë së Madhe, 28 për qind. Por duhet vënë re se me bumin ekonomik kanë pësuar rritje të fortë edhe kostot.
Megjithëse çmimet e pasurive të paluajtshme kanë rënë disi në veri si pasojë e krizës botërore që ka përfshirë këtë treg, çmimet e shtëpive janë shumë të larta, pas një dekade rritjeje ekonomike, ndërkohë që shkurtimet e vendeve të punës në industri si ajo e informacionit dhe e shërbimeve financiare janë bërë më se të zakonshme.
Krah i lirë pune
Irlanda e Veriut ka ndër mend të huazojë një nismë nga fqinji i saj dhe të krijojë një qendër financiare ndërkombëtare. Gjatë dy dekadave të fundit, Republika e Irlandës arriti ta kthente zonën e rrënuar përreth moleve të Dublinit në shtëpinë e 430 kompanive financiare, aktiviteti i të cilave shtrihet në çdo fushë të mundshme, nga tregtia, tek administrimi i fondeve.
Rritja ka qenë aq e shpejtë, sa në Dublin mendohet se nevojiten ende edhe 8 mijë punonjës të tjerë në lëmin e financave.
Belfasti ka menduar se atë gropë duhet ta mbushë pikërisht ai. Në industrinë që po nis të lindë në qytet përfshihen "Citigroup", kompania amerikane e sigurimeve "Liberty Mutual Group and Allstate", "British bank Abbey National" dhe prodhuesi indian i softuerëve për industrinë bankare "Polaris".
Në gjithë këtë industri numërohen më shumë se 20 mijë të punësuar, 40 për qind më shumë nga viti 1995. Irlanda e Veriut i ka vënë bastet mbi faktin se prania e specialistëve me kosto të ulëta, vetëm dy orë larg me makinë nga Dublini, do joshë shumë prej këtyre shërbimeve të zhvendosen aty. Banka e Irlandës, me zyra qendrore në Dublin, hapi vjet një zyrë administrimi fondesh në Belfast, duke qenë se Dublini nuk ishte në gjendje të ofronte specialistë të kualifikuar.
Megjithëse veriu nuk ka qenë në gjendje të ulë taksat – pavarësisht lutjeve të pafundme drejt Londrës – zyrtarët llogarisin se kostot më të ulëta të bizneseve bashkë me grantet bujare për punësimin, trajnimin dhe lehtësitë për bizneset e reja do arrijnë ta anashkalojnë këtë problem.
"Do ta mundim Republikën e Irlandës te kostot, ndërsa ata do na mundin te taksat", thotë Xheremi Fiç, drejtori i "Invest Northern Ireland", agjenci për zhvillimin ekonomik.
Por, pavarësisht arritjeve të fundit, Irlanda e Veriut është e detyruar të përballet me disa sfida. Pas vitesh konflikte, kur gjëja më e mirë për t‘u bërë ishte të ecje me kokë ulur, janë të paktë ata që guxojnë të hapin bizneset e veta. Kështu, veriu nuk ka thuajse fare kompani të mëdha vendase dhe shumë pak nismëtarë sipërmarrjesh.
Sot, sektori publik përbën 62 për qind të ekonomisë, krahasuar me 42 për qind në Britani dhe 27 për qind në Republikën e Irlandës. "Për vite nuk ka ekzistuar nevoja për t‘u hyrë rreziqeve", thotë Filip Mek Donag, analist ekonomik. "Të gjithë e dinin se sido të vinin gjërat, bijtë e tyre do mund të gjenin punë në shtet".
Por ky mentalitet ka nisur të ndryshojë. Me më shumë mundësi në sektorin privat, individët më të shkolluar dhe më të aftë të Irlandës së Veriut për herë të parë pas brezash të tërë vendosin të qëndrojnë në shtëpi në vend që të emigrojnë jashtë. Gjatë kohërave të trazirave, 75 për qind e të diplomuarve në dy universitetet e veriut emigronin, ndërkohë që pjesa më e madhe e studentëve premtues shkonin në Angli apo Skoci, nga ku nuk ktheheshin më.
"Në të shkuarën ajo që eksportohej më shumë nga Irlanda qenë njerëzit; na ishte bërë thuajse pjesë e ADN-së", thotë Shon Kaning, i cili u largua nga shtëpia në vitin 1983 për të studiuar jashtë. Tani punon si drejtor i një prej kompanive më të rëndësishme të huaja që operojnë në vend. "Atëherë, nëse kishe ndër mend t‘i hyje një karriere", thotë, "ishe i detyruar ta bëje jashtë kufijve të Irlandës".(SHQIP)
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëDFC, Fondi shtetëror amerikan për zhvillim, investon në Gjirafa
Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri
Këto janë TOP konkurset e kësaj jave
Vite më parë hodhi aksidentalisht në mbeturina hard diskun me Bitcoin, britaniku thotë se tani do të vlen 633 milionë dollarë
Al Trade feston 25 vite suksese dhe shpërblen besimin tuaj!
Erëra të forta në pesë rajone, mbesin pa rrymë shumë banorë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje