LAJMI I FUNDIT:

Aspektet pozitive të procesit të Kosovës në GJND

Duket paradoksale të thuhet se procesi i Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) ka aspekte pozitive ende pa u përfunduar por kjo mund të argumentohet. Me opinionin jo obligativ por me peshë në arenën ndërkombëtare, GJND do të na tregojë shumë gjëra. Pjesa që është më e rëndësishmja nga ky proces me siguri do të jetë vetë opinioni i Gjykatës i cili do të jetë faktor me rëndësi të jashtëzakonshme në ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Ky proces po ashtu do të na tregojnë se sa i vështirë dhe kompleks është procesi i krijimit të shteteve të reja nën ombrellën e ligjit aktual ndërkombëtar.

Vetëm tani pasi lexuam qëndrimet e ekipeve ligjore të ndryshme në GJND qoftë në favor apo kundër pavarësisë së Kosovës e kemi situatën më të qartë në kuptimin se pse u veprua ashtu si u veprua në procesin e pavarësisë së Kosovës. Ka mendime se ne kemi mundur të mbajmë një referendum dhe me këtë e kishim zgjidhur çështjen e pavarësisë së Kosovës. Në fakt referendumin e tillë do të duhej ta kishte organizuar qeveria e Kosovës e cila do ta bënte këtë pasi që atë referendum ta kishte shpallur presidenti i Kosovës. Në një situatë të tillë do të vihej në pozitë tejet delikate kryeadministratori i Kosovës i cili do të detyrohej që ta shpallte atë referendum të pavlefshëm duke pamundësuar Deklaratën e Pavarsisë sepse në kushte të tilla ajo deklaratë do të ishte e paligjshme.

Një akt i tillë i kryeadministratorit të Kosovës do të kishte pastaj efekte shumë negative në procesin e pavarësimit të Kosovës. Me një anulim të tillë, kundërshtarët e pavarësisë do të kishin një argument të fuqishëm kundër pavarësisë ndërkohë që një nga argumentet e fuqishme të mbrojtësve të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës ishte pikërisht mosanulimi i Deklaratës së Pavarësisë nga OKB përkatësisht kryeadministratori i Kosovës.


Kryeadministratori i Kosovës nuk kishte mundësi që të shpallte të pavlefshme Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës sepse pas asaj deklarate menjëherë u mblodh Këshilli i Sigurimit por ndërkohë (jo pa qëllim ajo deklaratë u bë ditën e diel) disa shtete tashmë e kishin njohur pavarësinë e Kosovës dhe kështu Këshilli i Sigurimit ishte i përçarë ndërmjet shteteve që tashmë e kishin njohur pavarësinë dhe kundërshtareve të pavarësisë. Në këto kushte prandaj OKB e kishte të lehtë të deklaronte se do të mbante qëndrim neutral në kushtet e mospajtimeve të shteteve për Deklaratën e Pavarësisë.

Natyrisht që tri shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca do të vinin veto ndaj çfarëdo tendence për anulim të pavarësisë por skenari i realizuar u tregua perfekt pa patur nevojë për veto. Në mbledhjen e mbajtur nga Këshilli i Sigurimit vetëm një ditë pas shpalljes së pavarësisë ishte vetëm Rusia nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit që përkrahu Tadiqin në kërkesën e tij për anulimin e Deklaratës së Pavarësisë. Kundërshtarët e pavarësisë kështu pësuan fiasko të vërtetë.

Çështja tjetër që procesi në GJND na tregoi është kuptimi i së drejtës për vetvendosje të popujve. Në shumë analiza dhe deklarata të ndryshme tek ne kjo çështje më shumë interpretohet me aspekte emotivo/folklorike se sa në frymën e gjedjes faktike dhe interpretimit të ekspertëve ndërkombëtar e sidomos vetëvendosja deri në ndarje jashtë kontekstit kolonial.

Çështja e vetëvendosjes së popujve dhe krijimit të shteteve në bazë të këtij principi jashtë kontekstit kolonial është çështje mjaft e debatueshme dhe zakonisht janë shtetet që i ikin këtij debati sepse mund të paramendohet kaosi në botë sikur kjo e drejtë t’i njihej çdo populli që kërkon shkëputje në bazë të këtij parimi. Në praktikë zbatohet parimi i rasteve veç e veç. I tillë është edhe rasti i Kosovës. Në këtë aspekt i kemi edhe deklaratat e ekipit tonë përfaqësues në GJND por edhe të shteteve mike e në veçanti të deklaratave të SHBA dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Ekipi ynë ligjor dhe miqtë tanë nuk potencuan të drejtën e popujve për vetëvendosje duke i ikur këtij debati meqë edhe vet pyetja nga ana e Serbisë është nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Duhet thënë megjithatë se ekipi ynë ligjor në GJND dhe përkrahësit e pavarësisë thanë që nuk duan debate sa i përket të drejtës për vetvendosje por nëse kjo çështje shtrohet para gjykatësve atëherë Kosova e ka atë të drejtë meqë në të gjitha dokumentet ndërkombëtare përfshirë rezolutën 1244 flitet për popullin e Kosovës. Sipas Kartës së OKB-së popujt janë ata që e bartin të drejtën për vetëvendosje.

Po çfarë në fakt u shqyrtua në GJND sa i përket ligjshmërisë së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës? Po të shikojmë deklaratat e shteteve qofte në favor të pavarësisë së Kosovës qoftë kundër, ishin dy aspekte kryesore që u diskutuan dhe atë se çfarë thoshte ligji i përgjithshëm ndërkombëtar dhe rezoluta 1244. Tek ligji i përgjithshëm ndërkombëtar esenca e debatit ishte që ky ligj nuk e aprovonte por as nuk e ndalonte ndarjen (secesionin) dhe se në fakt është neutral në këtë aspekt. Këtë e thanë përkrahësit e pavarësisë së Kosovës dhe e dëshmuan mjaft mire këtë argument. Kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës u munduan ta thonë të kundërtën por pa argumente bindëse.

Në anën e përkrahësve të pavarësisë përveç të tjerash ishte qasja e një prej profesorëve më të mirënjohur të së drejtës ndërkombëtare James Crawford që nuk la vend për dyshim në tezën e neutralitetit të ligjit ndërkombëtar ndaj deklaratave të pavarësisë. Profesori Crawford bile aty në prezencë të gjyqtarëve shpalli pavarësinë e Australisë Jugore “si qytetar i devotshëm por i pakënaqur i Australisë”. “A mos kreva unë ndonjë akt ndërkombëtar të gabuar në prezencën tuaj?”, pyeti profesori anëtarët e Gjykatës dhe u përgjigj “natyrisht që jo”. Më tutje profesori Crawford vazhdoi të shpjegojë se deklaratat e lëshuara prej dikujt janë “një grumbull fjalësh të shkruara në ujë”. Ajo që është e rëndësishme është efektiviteti i asaj deklarate dhe ajo që ndodh më tutje, sidomos reagimi i komunitetit ndërkombëtar. Pra nëse ajo deklaratë do të pranohet apo dënohet.

Duhet cekur patjetër edhe këtë që e tha profesori i nderuar Crawford: “U tha se deklaratat e pavarësisë si të tilla janë të paligjshme. Historikisht ato ishin metodë kryesore prej të cilës dolën shtetet e reja. Qyshkur dhe me cilin proces ligjor ato u bënë të paligjshme?”. (10.12.2009, icj-cij.org). Pra ku është evidenca se deklaratat e pavarsisë janë të jashtëligjshme e meqë ajo evidencë mungon atëherë kjo tregon se kundërshtarët e pavarësisë ishin pa argumente.

Duke pare këto argumente ne mund të kuptojmë mënyrën se si u veprua gjatë shpalljes së pavarësisë dhe pse u bënë hapat që u bënë. Ne nuk patëm një referendum sepse do të komplikohej situata me prezencën ndërkombëtare e në anën tjetër ne i kemi përfaqësuesit tanë të cilët e shpallën Deklaratën e Pavarsiseë jo si deputet të Kuvendit të Kosovës por si përfaqësues të popullit dhe si të tillë ata shprehën vullnetin e popullit. Deklarata e Pavarësisë nuk ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe ishin shtetet sovrane të cilat me njohjet që i bënë pavarësisë së Kosovës e legalizuan atë proces. Skenar tjetër real në rastin tonë as që mund të kishte.

Aspekti tjetër i diskutimit kishte të bënte me analizën e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Pra nëse me pavarësinë e Kosovës ishte shkelur kjo rezolutë. Duhet thënë se kjo analizë nuk kishte vetëm efekte të vërtetimit të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës por është një ndihmë e madhe edhe për analistët dhe politikanët tanë. Disa analistë dhe politikanë tanë për fat të keq e keqinterpretojnë këtë rezolutë sa herë që përmendet duke e paramenduar si diçka që i shërben Serbisë për faktin se aty përmendet sovraniteti dhe integriteti territorial i të ashtuquajturës RFJ që u pasua nga Serbia.

Është interesant se si u analizua kjo rezolutë nga dy taborret kundërshtare. Kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës ceknin se rezoluta 1244 garantonte sovranitetin e Serbisë por gjithnjë dështonin që ta provojnë këtë duke u thirrur në preambulën e rezolutës (jo obligative) dhe në anekset e kësaj rezolute dhe nuk merreshin fare me pjesën normative apo pjesën operative siç thuhej të rezolutës përndryshe pjesës thelbësore ku janë vendimet (obligative) për detyrat e misioneve ushtarake dhe civile në Kosovë përkatësisht KFOR-it dhe UNMIK-ut. KFOR-i i ka detyrat e veta në pikën 9 të rezolutës ndërsa UNMIK-u në pikën 11.

Këshilli i Sigurimit në pikën 11 kishte vendosur që detyrat e UNMIK-ut ndër të tjera do të ishin që:
– Të vendoste një autonomi substanciale dhe vetëqeverisëse për Kosovën deri në statusin përfundimtar duke marrë parasysh Marrëveshjen e Rambujesë dhe Aneksin 2,
– Të kryente funksionet civile duke i bartur kompetencat në institucionet e Kosovës pasi që ato të krijoheshin,
– Dhe më e rëndësishmja ishte: që të lehtësonte procesin politik qëllimi i të cilit ishte definimi i statusit të Kosovës duke marrë parasysh Marrëveshjen e Rambujesë.
– Në fazën përfundimtare do të bënte mbikëqyrjen e transferit të autoritetit nga institucionet e përkohshme në institucionet e themeluara pas procesit politik

Ka edhe të tjera por i përmenda ato më të rëndësishmet. Nga këto që u cekën më lartë shihet qartë se kemi të bëjmë me një gjendje kalimtare deri në përcaktimin e statusit final të Kosovës. Lehtësimi i procesit politik duke u bazuar në Marrëveshjen e Rambujesë në fakt ishte argumenti kryesor i përkrahësve të pavarësisë sepse Këshilli i Sigurimit kishte thënë se procesi politik duhet të merrte parasysh vetëm Marrëveshjen e Rambujesë dhe nuk përmend as sovranitetin e RFJ-së dhe as parimet sipas Aneksit 2 (ku përmendet integriteti i RFJ-së).

Siç thotë edhe vetë paragrafi kemi të bëjmë me një proces politik që të definohet statusi i Kosovës i cili askund nuk shpreh dhe nuk kërkon pajtimin e Serbisë. Pra një proces dhe jo një gjendje statike siç interpretohet gabimisht. Dhe për të kuptuar më tej duhet shikuar edhe Marrëveshjen e Rambujesë e cila parashikon një prezencë ndërkombëtare që do të qëndronte në Kosovë 3 vite e pas kësaj do të kishim një konferencë ndërkombëtare ku do të përcaktoheshin mekanizmat për zgjidhjen e statusit të Kosovës dukë marrë parasysh vullnetin e popullit të Kosovës dhe mendimet e palëve të ndryshme.

Pra vullneti i popullit të Kosovës ishte argumenti kryesor në përcaktimin e statusit të Kosovës dhe aty nuk përmendej kurrfarë aprovimi nga ana e Serbisë meqë në marrëveshje për përcaktimin e statusit thuhet “do të merret parasysh vullneti i popullit dhe opinionet e autoriteteve relevane”. Këtu shihet qartë dallimi ndërmjet fjalës opinion apo mendim dhe pajtim që dallojnë thelbësisht gjë që vërteton tezën se nuk kërkohej aprovimi (pajtimi) i Serbisë për statusin e Kosovës.

Ekipi ligjor i yni dhe përkrahësit e pavarësisë kishin argumente të fuqishme sepse ata përmendën rezoluta të ndryshme të Këshillit të Sigurimit e sidomos rezolutën 1251 e aprovuar pak ditë pas rezolutës 1244. Rezoluta 1251 kishte të bënte me rastin e Qipros dhe bënte thirrje për një Qipro të bashkuar dhe nuk lejohej kurrfarë ndarje e atij shteti e as ndonjë njohje e Qipros Veriore. Një gjuhë e tillë nuk figuron fare në rezolutën 1244. Kjo u shpjegua dhe u tha se po të kishte qëllim rezoluta 1244 ta mbante Kosovën pjesë të Serbisë atëherë ajo do të kishte referenca të njëjta si rezoluta 1251 apo rezoluta tjera dhe në mënyre eksplicite do të ndalonte pavarësinë e Kosovës. Meqë në rezolutën 1244 nuk kishte referenca të tilla atëherë u përfundua se kjo rezolutë ishte neutrale ndaj statusit të Kosovës. Ky neutralitet natyrisht nuk e pengonte shpalljen e pavarësisë.

Ky shpjegim në fakt na tregon se pse ne nuk duhet të tmerrohemi sa herë që përmendet rezoluta 1244. Duhet kuptuar se rezolutat e Këshillit të Sigurimit mund t’i aprovojë dhe t’i shfuqizojë vetëm Këshilli i Sigurimit dhe askush tjetër. Ne mund të dalim dhe të bëjmë protesta kundër rezolutës e çfarë të duam por nuk ka kurrfarë efekti në Këshillin e Sigurimit. Në fakt ne mund t’i kundërvihemi Serbisë dhe strukturave paralele pikërisht me rezolutën 1244 si dokument që është i pranuar unanimisht në bashkësinë ndërkombëtare qoftë nga ata që e pranojnë pavarësinë e Kosovës qoftë nga kundërshtarët e pavarësisë.

Në rezolutën 1244 nuk ka vend për asnjë institucion të Serbisë. Kjo rezolutë qartazi i thotë prezencës ushtarake (NATO-s) se duhet të mbajë paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe të pengojë kthimin e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare të Serbisë në Kosovë. Këtu në fakt qëndron i tërë thelbi i rezolutës se Serbia nuk do të guxojë as të mendojë për ndonjë qasje ushtarake në Kosovë. Ka ndonjë spekulim se “Tadiqi do t’i sjellë tanket në urën e Ibrit” me këtë apo atë datë apo në këtë apo atë kohë por ato gjëra mund të jenë vetëm në fantazinë e atyre qe fantazojnë në Beograd apo ndonjërit tek ne që dëshiron të bëhet interesant para publikut.

Hyrja ushtarake e Serbisë në cilëndo pjesë të Kosovës nuk mundet dhe as që do të ndodhë ndonjëherë sepse kjo do të thoshte konfrontim direkt me forcat e NATO-s të cilat qëndrimin në Kosovë e arsyetojnë pikërisht me mandatin në bazë të rezolutës 1244. Pra duke qenë se për aspektin ushtarak Serbia nuk mundet as të ëndërrojë ndonjë kthim në Kosovë ndërsa në aspektin civil nuk ka ndonjë funksion në Kosovë ne do të mund të përdorim këto argumente dhe të shtrijmë autoritetin në të gjitha pjesët e Kosovës duke përfshirë veriun.

Në këtë aspekt ne mund të themi se Serbia nuk mund të kontrollojë ndonjë territorr në Kosovë sepse nuk ka territor që kontrollohet aty ku nuk ke organet që quhen “të dhunshme” siç janë ushtria dhe policia. Serbia po ashtu nuk ka asnjë funksion civil në Kosovë sipas rezolutës 1244 sepse vet rezoluta nuk parasheh ndonjë institucion të Serbisë në Kosovë. Serbia nuk ka të drejtë të mbajë kurrfarë zgjedhjesh në Kosovë po sipas rezolutës 1244. Në këto gjëra rezoluta nuk është neutrale por decidive. Natyrisht të gjitha këto argumente mund të parashtrohen para atyre që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës përndryshe tek shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës mjafton Kushtetuta e saj.

Nga sa u tha na tregon se ne kishim të drejtë në shpalljen e pavarësisë sonë por nuk e bënim këtë me ndonjë shpjegim të argumentuar por me fraza të përgjithshme. Ne kishim edhe keqinterpretime të rezolutës 1244 të cilat i shfrytëzonte mjaft mirë Serbia. Por pas procesit në GJND ekziston një qasje krejt tjetër. Edhe një analist i Serbisë, Vladimir Gligorov do të thoshte këtë:
“Duke lexuar deri tani argumentet e paraqitura në GJND mendoj se mund të konkludoj se ekipi i Serbisë ka shpresa vetëm nëse Gjykata sjell një vendim politik e jo një vendim të bazuar në drejtësi. Kjo është më se e qartë sidomos po të kemi parasysh paraqitjen e përfaqësuesve të Mbretërisë së Bashkuar. Një paraqitje e shkurtë por e jashtëzakonshme e profesorit Crawford, sipas të gjithë pjesëmarrësve i konsideruar si autoriteti më i madh në këtë fushë, vështrohet si definitive”. (12.12.2009, www.pescanik.net)

Argumentet e parashtruar gjithsesi që tregojnë aspekte që janë pozitive për Kosovën. Këtu ka vend ajo shprehja popullore se “kush i bën gropën tjetrit bie vet brenda në të”. Serbia u mundua me të gjitha mjetet që ta zhbënte pavarësinë e Kosovës duke e ngritur si çështje në nivel ndërkombëtar ani pse gjithnjë kishte luftuar pikërisht kundër internacionalizimit të çështjes së saj. Tani me procesin në GJND është Serbia ajo që po i bën një shërbim të madh Kosovës.

Paradoksale por e vërtetë sepse GJND nuk ka mundësi që të shpallë të jashtëligjshme pavarësinë e Kosovës sepse tek e fundit janë me dhjetëra shtete që janë anëtarë të OKB-së e që janë bërë shtete njëjtë si Kosova. GJND do të japë një opinion ligjor me të cilin së paku do të jetë neutral dhe meqë nuk e shpall të jashtëligjshme pavarësinë e Kosovës praktikisht e ndihmon atë që të vazhdohet me njohjet nga shtetet e tjera dhe natyrisht inkuadrimin në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Në trend

Më shumë
Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Magazina
Banorët thyejnë rregullat duke folur për nominime: Planifikojnë që nëse iu bie Kutia e Pandorës të nominojnë Gjestin, Eglin dhe Rozanën

Banorët thyejnë rregullat duke folur për nominime: Planifikojnë që nëse iu bie Kutia e Pandorës të nominojnë Gjestin, Eglin dhe Rozanën

Magazina

"Babait i ra pika, më tha nuk ke përkrahje prej familjes", Arbër Bytyqi tregon se nuk ia miratuan dëshirën për t'u bërë grimer dhe u detyrua të studionte diçka tjetër

Magazina
Kaplohet nga zjarri ish-kinemaja në qendër të Prishtinës

Kaplohet nga zjarri ish-kinemaja në qendër të Prishtinës

Kronika e Zezë
Koreja e Veriut tërheq ushtarët nga vija e frontit në Ukrainë

Koreja e Veriut tërheq ushtarët nga vija e frontit në Ukrainë

Evropa
Paul Pogba pranon të heq dorë nga milionat për t’u transferuar tek klubi i njohur evropian

Paul Pogba pranon të heq dorë nga milionat për t’u transferuar tek klubi i njohur evropian

Ndërkombëtare
Kalo në kategori