LAJMI I FUNDIT:

Asetet e trustit pensional, 1.04 miliard euro

Asetet e trustit pensional, 1.04 miliard euro

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se asetet e sektorit pensional në shtator 2014 arritën vlerën prej 1.04 miliard eurosh, duke shënuar rritje vjetore prej 21.5 për qind.

Sipas BQK-së, struktura e aseteve të sektorit të pensioneve dominohet nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), i cili menaxhon 99.4 për qind të gjithsej aseteve, ndërsa pjesa e mbetur prej 0.6-përqindësh menaxhohet nga Fondi Slloveno-Kosovar i Pensioneve (FSKP).

“FKPK-ja edhe gjatë nëntëmujorit të vitit 2014 ka vazhduar të zgjerohet si rezultat i kthimit pozitiv në investime dhe arkëtime të reja të kontributeve pensionale. Gjithsejtë asetet e FKPK-së në shtator 2014 arritën vlerën prej 1.0 miliard eurosh”, është thënë në raportin e BQK-së për vlerësimin tremujor të ekonomisë.


Sipas këtij raporti, në nëntë muajt e parë të vitit 2014 FKPK-ja ka realizuar 46.4 milionë euro kthim bruto nga investimet. “Në ditën e fundit të shtatorit 2014 çmimi i aksionit arriti në 1.27 euro (1.17 euro në shtator 2013). Ndërsa vlera e kontributeve të arkëtuara deri në shtator 2014 arriti në 95.2 milionë euro me rreth 469.5 mijë kontribuues”, është bërë me dije në raportin e BQK-së.

Sipas BQK-së, performancë pozitive është vërejtur edhe në aktivitetin e FSKP-së. “Në shtator 2014 gjithsej asetet e FSKP-së kishin vlerën 5.7 milionë euro krahasuar me 5.2 milionë euro sa ishin në shtator 2013. Rritja kryesisht i atribuohet kthimit nga investimet, që deri në shtator 2014 arriti në 330.7 mijë euro. Në ditën e fundit të shtatorit 2014 çmimi i aksionit të FSKP-së arriti në 145.69 euro (134.71 euro në shtator 2013)”, është potencuar në raportin e BQK-së. /Telegrafi/