LAJMI I FUNDIT:

Arratisja e Republikës!

Arratisja e Republikës!

Ëndrra po realizohet! Krejt po shkojmë në Evropë! Republika po arratiset me autobusë! Europatours!

E keni vërejtur se kur në një dokument shqip në programin “Word” e shkruani fjalën Europë, do të dali se e keni shkruar gabim? Programi kërkon që të shkruhet Evropë! Kështu e kërkon standardi! Për autobus nuk reagon, as standardi e as programi! Shkruajeni si të doni!

Në fakt, askush nuk po merret me autobusët! Me ata të cilët çdo mbrëmje, nën terrin e netëve të ftohta të këtij dimri, po trafikojnë Kosovën drejt Evropës. As shteti e as kontinenti nuk po merret me këtë punë! Çdo muaj po e dërgojnë drejtë Evropës nga një qytezë!


Por, sot do të flas për ushtarët! Kot fjalët demilitarizim apo demokratizim! Ideali ynë është Ushtria! Edhe lufta! Edhe kur ishte paqësore, luftë i thoshim! Të kuptohemi, ne këndej nuk kemi ushtarë! Janë veç Forca Sigurie! Askush nuk e di se çka i bie kjo me tamam, por kështu ishte ideja bazë! Askush të mos e kuptonte! As mish e as peshk! Pushkë po, uniformë po, marsh ushtarak po… bandë ushtarake po! Krejt i kanë, përpos emrit të njohur ndërkombëtarisht! Se, te ne, as ti nuk ekziston nëse nuk njihesh ndërkombëtarisht!

Nejse! Politika është në rregull! Si gjithkund: fjalë, fjalë, fjalë! Edhe gurë! Qeveria me fjalë, opozita me gurë! Ne, në politikën tonë pra, nuk kemi karajfile, e as kadife… as të tjerat! Nuk jemi Portugali pra, as Gjeorgji, e as Çekosllovaki! E kuptuat tashmë se po luajmë një lojë asociacionesh?! Pra, zgjedhja përfundimtare e lojës së asociacioneve është… revolucioni! Apo kundër-revolucioni! Sepse, te ne gjithçka është kundër! Nuk është “për”! Për çka e kemi shtetin në fund të fundit?! E kemi për me e luftua njëri-tjetrin! Se, shteti ynë nuk është aparat i zakonshëm i dhunës në duart e klasës… qysh thoshte dikur partia! Është aparat në duart e familjes. “Famiglia” shkruhet italisht!

Keni qenë ushtarë ju? Po mendoj, a keni qenë ushtarë në një ushtrie të rregullt, të atillë që e fillon ditën me ngritjen e Flamurit me ceremoni dhe e mbyllte me uljen e tij?! Aty ku rekrutët e rinj nderojnë flamurin dhe himnin shtetërorë me qëndrim gatitu dhe… flenë në këmbë?!

Nuk kanë faj! I kanë ngritur bashkë me Diellin!! “Shpejtoni djema, se do ngrihet flamuri pa ju”, u bërtasin eprorët! “Po le të ngrihet”, mërmërit me zë të ultë njëri nga ata! “Se mos jam Ismai Qemajl unë! Le të ngrihet pa mua! Preferoj të jem Isë Boletini! Raportojeni se jam vonuar në ngritjen e flamurit! Bën”?

Por, ai pa e kuptuar as vet se si, e sheh veten në radhë duke marshuar nëpër pistën me çimento! Pastaj përshëndet eprorët në të majtë e të djathtë, ata të cilët me një logjikë të hekurt dhe të ftohtë e krijojnë rendin! Flamuri, himni dhe ata! Të tjerët: gatitu përpara tyre! Atdheu gati-tu!

Mësimi kryesor për rekrutët e rinj në një Ushtri të rregullt është: si të gjendesh në natyrë pa pajisjet standarde ushtarake. Të mbijetosh! Merr çka të ofron natyra. “Merr atë që ke më pranë dorës”, të thonë oficerët! E ti domosdo e merr, se do të mbijetosh!

E pra, toka jonë parapolitike nuk i bënë karajfilet! Kot ishte ajo përralla për revolucionin e karajfileve! Revolucioni i karajfileve, që ta dini ju, u zhvillua në Portugali! Protestuesit përballë ushtarakëve. Vajza të bukura me trëndafila në duar, u dërgonin sinjale erotike ushtarakëve të përndezur. U vinin trëndafilat nëpër grykë të pushkëve. Instinkti i jetës dhe i vdekjes përballeshin në shesh! Edipi dhe Elektra!

Sidoqoftë, edhe po të ketë qenë diku tjetër, kjo puna e karajfileve, ju lutem mos u skandalizoni me padijen time. Me rëndësi është mesazhi! Ushtarë, policë, mos përdorni armët mbi civilë! Civilë, mos përdorni gurët!

E, këtu ka vetëm gurë! Shkrepa -shkrepa kjo toka jonë!

Kështu, këto ditë dikush më rrëfeu një histori të trisht me gurë! Dy zonja po bisedonin te hyrja e emergjencës dhe po fshinin lotët! Njëra e kishte djalin polic, e tjetra protestues. Të dy të lënduar rëndë! Nuk po e kuptonin (kundër)revolucionin nënat.

Ishte luftë për sheshin. Kontejnerët u mbushën me gurë një natë më parë! Edhe policët kishin mbushur armët me plumba gome! Kështu filloi…!

I kujt është Sheshi? I qytetarëve? Mos ja fut kot! Sheshi është i Skënderbeut…! Skënderbeu me shpatën e zhveshur, mbuluar me një flamur kuqezi rreth qafe dukej sikur pionier! Sheshi është i yni! Me kë ishte Gjergji? Me ne apo me ata?

Fluturoi, fluturoi… guri! Kështu luajnë fëmijët atë lojën e vjetër, mbase sa njerëzimi! Fluturojnë gurët apo jo? Këtu fëmijët fillojnë të grinden! Nuk e kuptojnë dallimin në mes të asaj që fluturon vet dhe asaj që hidhet… drejt teje! Policët tanë e dallojnë! Edhe kryepolici!

“Nuk fluturojnë gurët vet”, arsyeton krejt logjikshëm ministri i Brendshëm i cili e mbron Policinë nga protestuesit e zemëruar që hidhnin gurë dhe shprehet se nuk i pëlqen kur Prishtina ngjanë me Lindjen e Afërme! E kujt i pëlqen, ministër? Pastaj, kush i mbron qytetarët z. Ministër? Ju? Policia?

Të katër sheshet, të cilat me një buxhet të shpenzuar prej tetë milionë eurove nga Komuna e Prishtinës, u ndërtuan sipër rrugës që dikur e mbante emrin e mbretit të kuq, të ish Jugosllavisë, të quajtur me përkëdhelje si “shoku” Tito! Thënia e tij e famshme – “Prej fjalëve, në vepra” – dikur ishte e shkruar me shkronja të mëdha në ballinën e një ndërtese që edhe sot shënon hyrjen në sheshe. Veprat nuk po duken ende, të dashur miq! Shesheve po ushtojnë vetëm premtimet!

Të pakënaqurit që nuk protestojnë nëpër sheshe, kanë nxjerrë biletë në njërin prej autobusëve të linjës Prishtinë-Beograd. Kjo duket si meritë e bisedimeve, në mes baroneshës dhe shefit lokal të familjeve tona të organizuara në shtet. Edhe “kryefamiljarit” serb Daçiq! Sidoqoftë, patatja e nxehtë tash përvëlon duart e kryeministrit aktual i cili pas gjashtë muajsh negociatash në opozitë, bëri pakt me… “shefin”!

Nejse, edhe në kushtet më të rënda të okupimit, viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar, slogani më frymëzues ishte: “Me laps në Evropë”! Atëherë ishte rrënuar sistemi i arsimit dhe lëvizja paqësore përmes këtij slogani mezi po e shprehte misionin dhe vizionin e saj për integrime evropiane!

Pastaj erdhi liria! Meritat! Edhe oligarkia! Lapsat u harruan, sepse mbizotëruan kompjuterët dhe celularët! E, slogani? Cili është slogani i luftës kundër oligarkisë dhe krimit që i ka hipur shtetit, në Kosovë: “Ke sheshi, ke sheshi…”? Apo është: “ Me autobusë, në Evropë”?

Republika po arratiset miq! Po arratiset ky popull i cili dikur, duke ecur pas tankeve të NATO-s, po kthehej nëpër shtëpitë e veta të djegura deri në themel. I patën gjetur në këmbë vetëm oxhaqet! Të nesërmen ato filluan të qesin tym!