LAJMI I FUNDIT:

Anketa e DEMOS: Rritet kënaqshmëria me punën e kryetarëve të komunave

Anketa e DEMOS: Rritet kënaqshmëria me punën e kryetarëve të komunave

Anketa e Kënaqshmërisë së Qytetarëve 2023 shpërfaq pikëpamjet dhe perceptimet e qytetarëve mbi qeverisjen lokale, performancën, shërbimet komunale si dhe hulumton prioritetet dhe shqetësimet kryesore të qytetarëve në komuna.

Anketa është realizuar gjatë muajve tetor dhe nëntor 2023, nëpërmjet intervistave ballë për ballë me 6,700 respodentë të të gjitha përkatësive etnike në 38 komuna të Kosovës me 1% marzhë gabimi.

I strukturuar në gjashtë seksione (pjesë), raporti mbulon qasjen në informacion, pjesëmarrjen e qytetarëve, rolin e Kuvendit Komunal, menaxhimin komunal, ofrimin e shërbimeve dhe kënaqshmërinë e përgjithshme me qeverisjen lokale.


Kombinimi i të dhënave sasiore dhe cilësore ofron një kuptim gjithëpërfshirës të perceptimeve të qytetarëve.

Të dhënat e kësaj ankete janë krahasuar me atë të realizuar në vitin 2021, për të identifikuar fushat e përmirësimit, si dhe ato ku niveli i kënaqshmërisë ka mbetur i qëndrueshëm ose ka rënë.

Në krahasim me vitin 2021 është vërejtur një rritje me kënaqshmërinë mesatare me qeverisjen lokale duke marrë për bazë përqindjen e kënaqshmërisë me kryetarin, kuvendet komunale, administratën komunale dhe shërbimet komunale.

Derisa në vitin 2021, mesatarja ishte ne 73% në vitin 2023 mesatarja u rrit në 76%. Kënaqshmëria me punën e kryetarëve është në 73% (66% në 2021), me shërbimet komunale 83% (78% në 2021), derisa kënaqshmëria me kuvendet komunale ka shënuar rënie nga 71% në 2021 në 69% në 2023. Qytetarët nga zonat rurale mbesin më të kënaqur me punën e kryetarit 46% derisa në zonat urbane niveli i kënaqshmërisë është vetëm 27%.

Qytetarët e komunave me shumicë serbe mbesin më të pakënaqur me punën e kryetarëve, derisa në komunat me shumicë shqiptare niveli i kënaqshmërisë dallon nga komuna në komunë. Ndërsa 56% pranojnë përpjekjet e vazhdueshme të instituticioneve për përmirësimin e gjithëpërfshirës së grupeve të ndryshme dhe të margjinalizuara, 17% shprehen negativ dhe 8% mbeten të pasigurt.

Vetëm 18% e të anketuarve i shohin komunat e tyre si tërësisht gjithëpërfshirëse.

Në përgjithësi, të anketuarit shohin më shumë mundësi për pozita udhëheqëse për gratë (68%), për të moshuarit (52%), për personat me aftësi të kufizuara (53%).

Pavarësisht se gati shumica e respondentëve ishin të informuar për vendimet e komunës, 83% e të anketuarve kanë pohuar se nuk kanë asnjë ndërveprim me komunën e tyre në 12 muajt e fundit, krahasuar me 74% në vitin 2021.

Pjesëmarrja në takime publike është ulur ndjeshëm nga 16% në 2021 në 5% në 2023, dhe takimet individuale kanë rënë nga 13% në 7%. Nismat e përbashkëta të komunitetit u ulën nga 12% në 5%, duke reduktuar përpjekjet bashkëpunuese të komunitetit.

Edhe pse 67% e të anketuarve në vitin 2023 pohojnë se janë në dijeni për vendimet e komunave të tyre, ka pasur një rënie të dukshme nga 78% e raportuar në vitin 2021.

Qytetarët informohen për vendimet komunale kryesisht në mënyrë jo-formale – prej njërit tek tjetri, përmes Facebook dhe mediave lokale.

Informimi për ndarjen e buxhetit komunal është ulur nga 23% në 2021, në 17% në 2023. Gratë mbesin më të painformuara (7%) për ndarjet buxhetore në komuna. 30% të qytetarëve janë shprehur të pakënaqur me përgjigjet e komunës ndaj kërkesave të tyre, prej të cilëve 39% nuk kanë marrë kurrfarë përgjigje./Telegrafi/

Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë link: https://bit.ly/3vaMRwO