LAJMI I FUNDIT:

Analfabetizmi politik

Është më se absurde të qëndrosh “gojëlidhur” e të mos flasësh të paktën një fjali, të reagosh, qoftë në shenjë përkrahjeje apo të kundërshtosh, karshi deklaratave skandaloze, të pamatura dhe tërësisht konfuze, nga dikush që përfaqëson shqiptarët e Luginës, fatkeqësisht në mesin e tyre edhe mua…

E fillova kështu këtë shkrim për të shprehur mllefin tim si një qytetar shqiptar, i këtij rajoni të banuar me shqiptarë. Rajon që me dekada është përdhunuar, diskriminuar, dëbuar, djegur, vrarë e çka nuk është bërë në te, nga zgjedha serbe. Fatkeqësisht një spirale e tillë vazhdon edhe sot falë analfabetizmit politik, fal pseudo patriotëve shqiptarë, që në çdo rast që u jepet bëjnë fushata paraelektorale, gjithnjë në dëm të interesave kombëtare e në favor fillimisht të strukturave të errëta dhe qeveritarëve serbë e pastaj edhe xhepave të tyre.

Zanafilla e reagimit tim nis nga emisioni Top Show, që u zhvillua ditë më parë në mediumin më prestigjioz shqiptar Top Channel, të Republikës së Shqipërisë, të titulluar “Lugina e harruar”, e ku të ftuar ishin përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës, ndër ta edhe kryetari i Komunës së Preshevës.


Jam shumë i indinjuar dhe kurrsesi nuk mund ta kuptoj, se individë të caktuar i japin të drejtë vetes të flasin në emër të interesave të shqiptarëve të Luginës. Është absurd i llojit të vet që një kryetar komune të flasë në emër popullatës shqiptare, kur mezi gëzon besimin e pesëmbëdhjetë përqindshit të tyre. Madje për sigurimin e kësaj përqindjeje, janë bërë kombinime çfarë kurrë më parë në rendin plural nuk janë shënuar në rajonin tonë. Ndonëse kjo është për një analizë tjetër, e cila sigurisht do të zbulonte mentorët e këtyre planeve që nuk ka dyshim se janë nga radhët e hijeve, që orkestruan gjithçka antishqiptare.

Por, t`i kthehemi debatit, qëllim i së cilit padyshim ishte ndërkombëtarizimi i çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës, kontribut që vëllezërit në Shqipëri dhe në Kosovë, nuk e kanë ndërprerë as edhe një herë, në forma të ndryshme. Debatit ku qenë ftuar ata që ishin pjesë e realitetit të përditshëm, madje përgjegjës të gjendjes së këtushme.

Vallë e dinin të gjithë qëllimin e këtij emisioni, apo ndoshta aty dikush kishte shkuar me detyrë të caktuar, mbase personalisht këtë dilemë nuk mund ta tejkaloj.

Ajo që më bën të mendohem është absurdi i kërkimit të tërheqjes së Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë nga Serbia, në emër të një absurdi tjetër që assesi ta kuptoj, siç u tha Abetares së “bastarduar” shqipe e cila sipas kryetarit të Komunës së Preshevës, qenka ndryshuar nga Abetarja origjinale e Republikës së Shqipërisë. Kjo mbase i vë kapak të gjitha dilemave të mëtejme. Nuk ka dyshim se ky zotëri, as edhe një hap nuk e ka bërë që nxënësit shqiptarë të mësojnë me libra shqip nga Shqipëria, madje këtë gjatë tërë kohës e ka kundërshtuar duke shkaktuar edhe pengesa reale përmes rrugës së bojkotit të formimit të Këshillit Nacional të Shqiptarëve që administrohen nga Serbia. Këshill ky, që në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë e veçanërisht Shkëlqesisë së tij Ambasadorit Çaushi, si dhe me përfaqësues diplomatikë të shteteve më të fuqishme siç është Ambasada Amerikane, ajo e OSBE-së dhe të tjerat, ka arritur që të bindë autoritetet shtetërore serbe, që më në fund të lejohet përdorimi i Abetares nga Republika e Shqipërisë.

Këtu do të ishte mirë që në aspektin moral të paktën, të mendohej paksa, po edhe sikur kjo Abetare në vete të përmbante tërësisht elemente sllave, a do të ishte mirë që të kundërshtohej për hirë të Shtetit Amë, edhe pse Abetarja përmban pothuaj 99 % elementë kombëtarë, përveç Flamurit dhe një emërtimi të një toponimi në shqiptim, jo Shkodër por Nish! PO a nuk e ndërroi Kosova flamurin e edhe himnin për hir të parimeve dhe rregullave ndërkombëtare, vallë aq analfabetizëm politik është prezent në këtë shtresë të njerëzve që kundërshtojnë çdo përpjekje! Është ngritur bujë, e pa nevojë, tentohet të minimizohet, për mua e arritura e shekullit – Lejimi i Abetares nga Republika e Shqipërisë për nxënësit shqiptarë, për fëmijët e mi, të tutë e edhe të këtij kryetari,… Po a ka kënaqësi më të madhe se kjo çështje, ata që tërë jetën ia kushtuan çështjes kombëtare, ata që e dinë rëndësinë e kësaj, sigurisht se e vlerësojnë këtë akt, këtë vepër madhore. Por, ata që janë mësuar t`i përvetësojnë rezultatet pa e qitur as edhe një pikë djerse në shërbim kombëtar, është fakt se e kundërshtojnë, tentojnë ta minimizojnë, madje edhe kërkojnë largimin e Ambasadorit.

Pas gati një shekulli të ekzistimit të shtetit shqiptar dhe mbase gjysmë shekulli të marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Serbinë, ishte Shkëlqesia e tij z.Çaushi, ai që organizoi ardhjen e zëvendëskryeministrit të Shqipërisë, Ilir Meta, në Luginë. Kjo mbase ishte kthesa e madhe e historisë më të re të shqiptarëve të këtij rajoni. Një qëndrim paksa ndryshe nga e kaluara e Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës.

Mbase ky person e meriton të jetë Qytetar Nderi i Luginës së Preshevës.

Por, ku mbeti roli i kryetarit aktual të Preshevës, në vazhdimin e angazhimit të tij për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve të këtushëm. Cilat janë veprat konkrete të këtij të zgjedhuri nga vetëm 15 % e trupit elektoral të shqiptarëve, premtimet për bashkim me Republikën e Kosovës, të cilët ia siguruan karrigen e njeriut të parë të Komunës në Preshevë, a u realizuan?-Ide këto që së fundi kemi rast t`i dëgjojmë nga presidenti serb Tadiq dhe zëvendëskryeministri Ivica Daqiç pasardhës i Millosheviqit.

Ku janë më se 500 vende të punës që dikur, premtonte t`i realizojë në projektin “Interspeed”, e që më vonë doli se nuk do ta lejonte së përfunduari, por që sot ekziston?!

Pse vallë nuk hapet materniteti në Preshevë?! A thua këtë çështje po e ndalon qeveria e Serbisë, apo po tentohet të bëhet në prag të zgjedhjeve që jo larg do t`i kemi?!- madje burime konfidenciale e pohojnë se qeveria dhe ministria përkatëse kanë lëshuar tashmë leje për hapjen e Maternitetit!

Vallë a nuk janë të pakta këto argumente që dëshmojnë një analfabetizëm politik, një qasje tërësisht anakronike me veprimet dhe obligimet e njeriut që përfaqëson komunën?!

Tendenca për të hedhur hi syve të opinionit shqiptarë edhe në momentet më tragjike, në momentet kur edhe ky emision ishte i dedikuar avancimit të të drejtave të shqiptarëve, nuk do koment se vë një dilemë të madhe para secilit që e ndien veten shqiptar- vallë nëse ky mbron interesin shqiptar apo,…

Edhe sa kohë duhet që të heshtim, të durojmë represionin serb, madje edhe këtë represion “pseudo-patriotik”, kjo zatën më motivoi që unë të mos hesht, karshi këtij analfabetizmi politik, por të reagoj të paktën si një shqiptar i vogël karshi “liderëve të mëdhenj”, dhe të dëshmojmë se këtu një shumicë e madhe mendon ndryshe, mendon që të zë hapin e humbur, me punë, qoftë kjo e lejimit të Abetares, apo e këmbimit të studentëve përmes Ambasadës së Shqipërisë, projekteve ekonomike dhe hapat e mëtejmë të integrimeve, por duke plotësuar obligimet elementare të kësaj popullate e jo përmes telave të patriotizmit folklorik…

(Autori është Kryeredaktor i Gazetës “NACIONALI”, e përjavshme e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve që administrohen nga Serbia)

Në trend

Më shumë
Sonte në Big Brother martohen Jozi dhe Loredana, por nuk ftojnë në dasmë Rozanën dhe Laertin

Sonte në Big Brother martohen Jozi dhe Loredana, por nuk ftojnë në dasmë Rozanën dhe Laertin

Magazina
Zbulohet dëshmia e Hekuran Gjonit i cili vrau djalin e tij me thikë buke

Zbulohet dëshmia e Hekuran Gjonit i cili vrau djalin e tij me thikë buke

Lajme
Dëshmia e parë e portugezit Ruben Saraiva, i cili akuzohet për vrasjen e Ardian Nikulajt

Dëshmia e parë e portugezit Ruben Saraiva, i cili akuzohet për vrasjen e Ardian Nikulajt

Lajme
“Diellza imagjinare”, Bledi Mane ironizon me Gjestin: Është një fantazist i fortë, dashuron vetëm veten dhe famën

“Diellza imagjinare”, Bledi Mane ironizon me Gjestin: Është një fantazist i fortë, dashuron vetëm veten dhe famën

Magazina
Mesazhi brutal që Ruben Amorim i dha Rashfordit para se të transferohet tek Aston Villa

Mesazhi brutal që Ruben Amorim i dha Rashfordit para se të transferohet tek Aston Villa

Premier League
Menaxheri i Gjestit flet për raportin e tij me ish-partneren: Nuk ka qenë i martuar, i përket të shkuarës dhe nuk ka kontakte më me të

Menaxheri i Gjestit flet për raportin e tij me ish-partneren: Nuk ka qenë i martuar, i përket të shkuarës dhe nuk ka kontakte më me të

Magazina
Kalo në kategori