LAJMI I FUNDIT:

Ana Draskoviç intervistë ekskluzive për Telegrafin: Kosova është në rrugën e krijimit të një ekosistemi të fortë dhe gjithëpërfshirës të pagesave digjitale

Ana Draskoviç intervistë ekskluzive për Telegrafin: Kosova është në rrugën e krijimit të një ekosistemi të fortë dhe gjithëpërfshirës të pagesave digjitale

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Ana Draskoviç, Zëvendës Presidente dhe Drejtoreshë e Përgjithshme e “Visa” për për rajonin e Evropës Juglindore, shpreh optimizmin e saj për të ardhmen e pagesave digjitale në Kosovë.

Ajo thekson se Kosova është në rrugën e krijimit të një ekosistemi të fortë dhe gjithëpërfshirës të pagesave digjitale, duke përmendur përparimet e shpejta në teknologji dhe rritjen e besimit të përdoruesve. 

Telegrafi: Së fundmi, së bashku me Shoqatën e Bankave të Kosovës, Visa ka kryer hulumtime mbi zakonet e pagesave digjitale në Kosovë. A mund të ndani me ne gjetjet kryesore të këtij studimi dhe përshtypjet tuaja?


Ana Draskoviç: Kosova karakterizohet nga një rritje dinamike në teknologjitë dhe shërbimet digjitale, me një përhapje në rritje të pagesave elektronike ndër popullatë. Studimi ynë i tregut i kryer me partnerin tonë, Shoqatën e Bankave të Kosovës, tregon se gati gjysma e të anketuarve përdorin shpesh pagesat digjitale, si pagesa me karta, orë apo telefona. Këto gjetje sugjerojnë një tranzicion të qartë drejt transaksioneve pa para në Kosovë, me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e mëtutjeshëm të aftësive digjitale në këtë treg. Mobile banking është më i përhapuri, përdoret nga tetë në dhjetë të anketuar, ndërsa më shumë se gjysma përdorin transferta bankare për blerje të sigurta në internet. Përdoruesit theksojnë shpejtësinë, thjeshtësinë, sigurinë dhe disponueshmërinë si avantazhet kryesore të këtyre metodave të pagesës. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se ka shqetësime për sigurinë e pagesave midis konsumatorëve në këtë treg, duke treguar nevojën për edukim të vazhdueshëm dhe përmirësime në masat e sigurisë për të ndërtuar besim më të madh në ekosistemin digjital.

Telegrafi: Cilat janë barrierat kryesore për konsumatorët në kalimin në pagesat digjitale dhe pa para dhe çfarë roli luan Visa në lehtësimin e këtij procesi?

Ana Draskoviç: Pagesat me kart, orë apo telefon celular po rriten gjithnjë e më shumë në Kosovë, siç dëshmohet nga gati gjysma e të rinjve që preferojnë mënyra të tilla pagese. Megjithatë, vërehet një rezistencë apo mungesë mirëkuptimi për të gjitha përfitimet që sjellin këto pagesa. Barrierat kryesore që konsumatorët përmendin janë shqetësimet për sigurinë e transaksioneve dhe edukimin e pamjaftueshëm mbi avantazhet dhe mundësitë e metodave të pagesës digjitale. Si një lider global në pagesat elektronike, Visa synon të ofrojë zgjidhje të avancuara teknologjike që garantojnë sigurinë dhe besueshmërinë e transaksioneve, duke edukuar në mënyrë aktive tregun dhe përdoruesit për përfitimet e këtyre risive. Në këtë mënyrë, ne inkurajojmë transaksione pagesash më efikase dhe të sigurta, duke u ofruar përdoruesve thjeshtësi dhe komoditet në aktivitetet e tyre të përditshme. Gjithashtu edhe në planin afatgjatë, duke krijuar një shoqëri digjitale gjithëpërfshirëse ku aksesi në pagesat digjitale dhe shërbimet financiare është i mundur për të gjithë, pavarësisht nga gjeografia, vendndodhjen ose burimet ekonomike.

Telegrafi: Çfarë risish po prezanton Visa në sigurinë e pagesave për të rritur besimin e përdoruesve në metodat digjitale të pagesave në Kosovë?

Ana Draskoviç: Visa punon vazhdimisht për të ofruar risi me qëllimin për të rritur besimin e përdoruesve në metodat e pagesave digjitale. Gjatë pesë viteve të fundit, ne kemi investuar mbi 9 miliardë dollarë globalisht në mbrojtjen nga mashtrimet, duke përfshirë mbi 500 milionë dollarë në inteligjencën artificiale dhe infrastrukturën e të dhënave për të siguruar transferta më të sigurta dhe më të zgjuara parash, madje edhe për të parandaluar aktivitetet mashtruese. Duke pasur parasysh se sulmet kibernetike ndodhin afërsisht çdo 11 sekonda, është e qartë se në cilin drejtim duhet të lëvizë industria jonë kolektivisht. Visa është e angazhuar në mënyrë aktive në mbrojtjen e të dhënave personale të përdoruesve të saj, duke u ofruar atyre një mjedis pagese më të sigurt, në çdo kohë dhe kudo.

Telegrafi: Si bashkëpunon Visa me partnerët vendas për të përmirësuar infrastrukturën dhe mjedisin për zhvillimin e pagesave digjitale në këtë treg?

Ana Draskoviç: Ne bashkëpunojmë me partnerët lokalë për të siguruar që teknologjitë tona janë të integruara dhe të përshtatura me nevojat dhe rregullat lokale, duke u ofruar kështu përdoruesve një nivel të lartë mbrojtjeje dhe sigurie kur përdorin pagesa digjitale. Së fundmi, së bashku me Google dhe NLB Bank në këtë treg, lançuam shërbimin e ri, Google Pay, i cili sjell mundësinë e pagesave të shpejta pa kontakt për të cilat nuk keni pse të mendoni, falë portofolit digjital Google. Pajisjet celulare luajnë një rol vendimtar në rutinat e përditshme të konsumatorëve dhe prezantimi i Google Wallet përmirëson përvojën e tyre të pagesave, duke ofruar një mënyrë më të përshtatshme dhe më të sigurt për të kryer transaksione. Pavarësisht nëse kryejnë punë nëpër qytet apo bëjnë blerje në internet, përdoruesit tani kanë mundësinë të shijojnë një proces të thjeshtë pagese me vetëm me një prekje.

Telegrafi: Si prisni që zakonet e pagesave të konsumatorëve në Kosovë të evoluojnë më tej, dhe cili është trendi kryesor për të ardhmen?

Ana Draskoviç:  Pagesat elektronike po rriten në mënyrë të pandalshme dhe ky trend do të vazhdojë. Sipas vlerësimit të FIS-it, pagesat me para në dorë do të përbëjnë më pak se 13% në shifrat globale deri në vitin 2026 dhe në bazë të rezultateve të hulumtimit, konsumatorët në Kosovë nuk dëshirojnë të jenë në atë 13%. Kosova po adopton me shpejtësi metoda të reja të pagesave digjitale dhe është në rrugën e krijimit të një ekosistemi të fortë dhe gjithëpërfshirës të pagesave digjitale në këtë rajon. Kuletat digjitale, pagesat me kartë ose pagesat nëpërmjet orëve, metodat e vërtetimit biometrik si shenjat e gishtërinjve ose njohja e fytyrës janë tashmë gjerësisht të pranishme në tregun e pagesave. Ndërsa kriptovalutat si Bitcoin ende përfaqësojnë një teknologji relativisht të re, ato aspirojnë të bëhen e ardhmja e pagesave. Pagesat e bazuara në AI, si dhe aplikacionet dhe platformat e pagesave Peer-to-Peer, përfaqësojnë vetëm disa nga format e ardhshme të pagesave.