LAJMI I FUNDIT:

Ambasadorët dhe vendi “kurrkund”

Qëllimi i këtij shkrimi është meditim me zë, publikisht, rreth një deklarate krejt parimore. Dorën në zemër gjuha e sajë nuk ishte aspak diplomatike. Është krejt çështje tjetër sa janë diplomatë, diplomatët e akredituar në Kosovë!

Problemi lindi sepse një deputet i opozitës e ka kuptuar shumë seriozisht detyrën e vet prej deputeti. Ai vërtetë mendon se në parlament e përfaqëson qytetarin. Ai dhe disa të tjerë. Ai mendon se paguhet majmë, nga buxheti për të marrë vendime.

E për me marrë vendime, paraprakisht duhet menduar. Kjo di të jetë e lodhshme. Shumë deputetë as që e lodhin kokën të mendojnë. Mendon partia. Mendon kryetari i grupit parlamentar. Mendon shefi. Mendon zinxhiri i shefave deri te Boss-i. Deri te kumbara.


Sa u përket deputetëve, po të kishin kaluar në “kushtetuese” edhe privilegjet, krejt kish qenë për mashalla. Por, të jesh deputet nuk është edhe aq e lehtë edhe pse krejt vendimmarrjen e kanë të përmbledhur në tri pulla të thjeshta. Ka disa që i habisin edhe pullat. Duan të shtypin NO dhe i mëshojnë YES. Ka disa që nga shprehia e shtypin sustën YES edhe kur opozita propozon ndonjë rezolutë. Pastaj i kapë paniku. Ka edhe të atillë që nuk e pëlqejnë votimin elektronik për shkak të transparencës. Me qejf kishin ndejët në ekipin fitues, ndërkaq kishin votuar për opozitën. Ka edhe nga e kundërta ku deputet të opozitës kishin nxjerrë farë fitimi duke votuar për pozitën.

Por nejse, deputeti që na shtyri të mendojmë, tregoi se përpos me rrëzua kamionë din edhe me thanë jo. E me thanë jo është punë e madhe. Duhet me qenë i fuqishëm, i pasur ose i gatshëm për sakrifica. Kërkon jo veç kurajo, por edhe presupozon ekzistimin e vullnetit të lirë. Ka dikush që edhe kur nuk i “bëhet”, nuk mundet të thotë jo. Po mendoj edhe kur nuk i hahet, mos e kuptoni keq. Nuk mundet me thënë jo sepse e ka bërë pazar vullnetin e vet.

Por ishte një kohë kur nuk ishim në pozitë me thënë jo. As po. Ne po kërkonim vetëm liri, të shpëtojmë, e neve na e ngarkuan në barrë krejt rendin e ri botërorë. Situata paraqitej konfuze. Barra ishte e madhe, por ishte çmimi i lirisë.

Presidentin e zgjedhur e kishin zanë peng. Shteti paralel kishte ikur dika. Luftëtarët gueril ishin diku thellë në mal. Ushtarët dhe paramilitarët serbë bënin çka u donte qejfi me njerëzit e thjeshtë. E njerëzit e thjesht zhgërryheshin për një vekne bukë nëpër baltën e Bllacës.

Pastaj erdhën bombat. Erdhën nga qielli. Si prej zoti. Pastaj u kthyem në shpi. Çdo gjë ishte e djegur e rrënuar. Ata që na ndiqnin po iknin me tre gishta lart, në shenjë fitoreje. Me ta ikën edhe shumë bashkëqytetarë të cilët kishin ndonjë arsye të kenë frikë nga kthimi i fqinjëve të tyre. Tash po duan të kthehen bashkë me policët dhe ushtarët. Sërish!
Në atë kohë, ambasadorëve të huaj ua “kqyrshim” gojën çka po flasin. Edhe ndërkombëtarëve, pavarësisht prej pozite apo prej vendeve që vinin. Mjaftonte që ishte ndërkombëtarë. Kishte edhe pjesëtarë nga fiset ende primitive të kontinenteve që nuk shquhen për demokraci. Edhe ata na mbanin ders për demokracinë. Ne besonim. Ishin ndërkombëtarë!

Na ndihmuan shumë, padyshim! Pastaj filluan, me raste edhe të na ofendojnë. Edhe ambasadorët nganjëherë. Dikush ndihej i fyer, e dikush thoshte: “nashtë, ata na shpëtuan”.

Por, një deputet goxha vrazhdë pyeti këto ditë: “Kush hamamin është, ambasadori X?”

Përgjigjja nuk mund të jetë e thjesht sa pyetja. Varet cili ambasador. Ka ambasadorë dhe Ambasadorë! Disa ambasadorë e çelin derën e qeverisë me këmbë. Disa me maje të gishtave. Disa me kallauz. E disa se qelin hiç, se qeveria shkon lartë, në kodër.

Disa s’kanë kohë me u marrë me qeverinë, presidencën, parlamentin. Pavarësisht prej renditjes hierarkike. Kanë punë më të rëndësishme. Disa e përkrahin vetëm njërin ministër, disa një tjetër. Ministrat nuk i përfaqësojnë veç partitë. Duhet baraspeshë edhe në mes të ambasadave.

E mira e krejt kësaj është se përkundër retorikës, qytetarët e kanë kuptuar që ambasadorët e akredituar këtu e përfaqësojnë një shtet. Ose së paku kështu do të duhej të ishte. Edhe kur na pëlqen edhe kur nuk na pëlqen. E shtetet janë të fuqishme dhe të dobëta. Mike, jo-mike, e shumica prej tyre indiferente emocionalisht.

Por, edhe ata janë njerëz. Nuk janë gjithnjë në nivelin e detyrës. Kanë edhe dobësitë e tyre. Tash, pajtohemi besoj se nuk i kanë dërguar diplomatët më të përgatitur këtu. E rrethanat janë shpesh tejet konfuze që kërkojnë personalitete me potencial të jashtëzakonshëm. Ata shpesh e shikojnë çështjen si burokratë e nuk kuptojnë se kanë ardhur në një vorbull civilizimesh.

Motivet për emërimin e dikujt ambasador në Kosovë mund të jenë nga më të ndryshmet. Përpos atyre të zakonshme dhe formale, disa mbase janë dërguar këtu edhe për dënim. Disa janë dërguar këtu mbase për t’u “ba shpi”. Disa… për të bërë qejf. Paj, në hartën e botës Kosova është veç një njollë e vogël politike. Problem. Diçka që herëpashere merr përmasat e vrimave të zeza në univers. Aty ku “bluhet” materia.

Është shumë afër mendsh se shumica e ambasadorëve janë dërguar këtu për të bërë përvojë. Me ushtrua në neve. Eksperimenti mund të jetë i suksesshëm edhe nëse pacienti vdes. Kështu thonë anekdotat konspirativiste.

Ndoshta para se me i nisë këtu u kanë thënë: po shkoni në një vend as mish as peshk. Ai vend është i pa formë dhe ju duhet të e formësoni. Është i pangjyrë dhe ju duhet të e ngjyrosni me ngjyrat e flamurit tonë. Ata as vet nuk dinë çka janë. A shqiptarë a kosovarë, a turq, a grekë, a serbë. Nuk janë një mendje as kah me u lutë, apo kah me u falë. Nuk janë të një mendje as çka është mirë e keq, çka është marre e çka krenari! Ideale me punua me ata. Keni me u kënaqë!

Dhe mbi të gjitha, u thonë: ata janë të dëgjueshëm.
Janë të ‘ngueshëm’ aq shumë sa mundet me qenë bezdisëse. Shumë prej politikanëve nuk bëjnë asgjë pa të pyet. Duhet me udhëheqë në vend të tyre, e ata e marrin rrogën. Pa përkrahjen tënde nuk dalin as në zgjedhje. Nuk shkojnë në tribuna dhe takime me popull. Nuk i besojnë popullit të vet.

Shpesh ndodhë që politikanët të shkojnë prej feste në festë nëpër ambasada. Fillojnë me pi në njërën ambasadë e në tjetrën i zë rakia. Pastaj nuk e kuptojnë se ku i ka “zënë”.

As populli nuk e kupton, por e ndien duhmën e vendimmarrjes së dehur. Dehen edhe qytetarët dhe shajnë çunin e vogël që na thotë me këmbëngulje se mbreti është cullak. “Le bre, mos ban hajgare”!

E programet për te rritur po shikohen gjithnjë e me pak. Jo për shkaqe morale, por se ne politike ka gjithnjë e me shume striptiz. Zhveshje morale para qytetarëve. Porno politikë!

Në trend

Më shumë
Nesër bëhet varrimi i tre fëmijve që humbën jetën nga shembja e objektit në Jabllanicë të Gjakovës

Nesër bëhet varrimi i tre fëmijve që humbën jetën nga shembja e objektit në Jabllanicë të Gjakovës

Lajme
“Diellza imagjinare”, Bledi Mane ironizon me Gjestin: Është një fantazist i fortë, dashuron vetëm veten dhe famën

“Diellza imagjinare”, Bledi Mane ironizon me Gjestin: Është një fantazist i fortë, dashuron vetëm veten dhe famën

Magazina
Tragjedia në Jabllanicë, pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin e shembjes së objektit ku humbën jetën tre fëmijë

Tragjedia në Jabllanicë, pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin e shembjes së objektit ku humbën jetën tre fëmijë

Lajme
Mesazhi brutal që Ruben Amorim i dha Rashfordit para se të transferohet tek Aston Villa

Mesazhi brutal që Ruben Amorim i dha Rashfordit para se të transferohet tek Aston Villa

Premier League
Milani arriti marrëveshje me skuadrën italiane për shitjen e Theo Hernandez, por francezi refuzoi këtë lëvizje

Milani arriti marrëveshje me skuadrën italiane për shitjen e Theo Hernandez, por francezi refuzoi këtë lëvizje

Serie A
Sonte në Big Brother martohen Jozi dhe Loredana, por nuk ftojnë në dasmë Rozanën dhe Laertin

Sonte në Big Brother martohen Jozi dhe Loredana, por nuk ftojnë në dasmë Rozanën dhe Laertin

Magazina
Kalo në kategori