LAJMI I FUNDIT:

Amandamentimi i Kushtetutës në çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjen e presidentit

Kosova vetëm pak vite pas miratimit ndeshet me sfidën e amandamentimit të aktit të saj më të lartë juridik- Kushtetutës. Në këtë rast sfida i referohet mënyrës së zgjedhjes së presidentit. Kështu, në vend që atë ta zgjedhë Kuvendi i Kosovës, si ishte deri tash, pritet që presidenti i ardhshëm i vendit të zgjidhet nga votat e drejtpërdrejta të qytetarëve të Kosovës. Kjo sfidë u imponua për shkak të ngërçeve politike që u manifestuan ndërmjet partive politike të përfaqësuara në kuvend me rastin e zgjedhjes së, të thuash, të të gjithë presidentëve që pasuan Presidentin Historik Dr.Ibrahim Rugovën. Si rrjedhojë, zgjedhja e presidentit të vendit u bë edhe pjesë e pazareve të partive politike që morën mandatet për formimin e Qeverisë. Këto situata patën për rrjedhojë edhe paraqitjen e gjendjeve kur zgjedhja e presidentit të vendit rezultoi të ishte bërë në mënyrë kundër-kushtetuese. Në këtë aspekt, vlerësohet të jetë vendim i arsyeshëm ai me të cilin Kuvendi i Kosovës dekretoi komisionin për t’i hyrë amandamentimit të Kushtetutës së vendit në kontekst të ndryshimit të mënyrës së zgjedhjes së presidentit. Komisioni, sipas të dhënave të bëra publike, ka finalizuar punën në lidhje me mandatin e dhënë dhe pritet që propozimet e tij t’ia paraqesë Kuvendit gjatë muajit janar të vitit 2012.

Ndonëse për opinionin publik akoma nuk janë të qarta se cilat janë propozimet e komisionit në fjalë lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, e shoh të nevojshme që t’i vë në dukje disa aspekte të cilat i vlerësoj imediate për t’u adresuar në Kushtetutë sa i përket kësaj çështje.

E para, Mënyra e zgjedhjes. Në lidhje me këtë çështje, të thuash, ka pajtueshmëri gati të plotës, që zgjedhja e presidentit të ardhshëm të Kosovës të bëhet me votim të drejtpërdrejtë nga qytetarët e vendit. Së këndejmi, Kushtetuta duhet që në mënyrë shprehimore ta adresojë një mënyrë të tillë zgjedhje të presidentit.


E dyta, Kandidatura e presidentit. Vlerësoj se Kushtetuta duhet të adresojë zgjidhjen sipas të cilës kandidaturat për president do të mund t’i paraqesin partitë politike parlamentare. Njëkohësisht, kjo e drejtë duhet t’u takojë edhe qytetarëve. Së këndejmi, çdo qytetar- shtetas i Kosovës duhet të ketë të drejtën e kandidimit për president, por me kushtin që të sigurojë një numër substancial të nënshkrimeve të qytetarëve të vendit. Numri i nënshkrimeve që do të duhej siguruar në këto raste vlerësoj se duhet të jetë i barabartë me numrin e votave që e sigurojnë pragun një partie politike për t’u bërë parti parlamentare (5%) që, siç rezulton, duhet të sillet midis 25.000 deri në 30.000 (nënshkrime).

E treta, Shtetësia. Kushtetuta duhet të ruajë zgjidhjen ekzistuese se për president të vendit mund të kandidojë vetëm personi që është shtetas i Kosovës. Mirëpo, vlerësoj se në Kushtetutë duhet të zë vend zgjidhja sipas së cilës, në rast se presidenti ka një shtetësi të dytë, i njëjti duhet të heqë dorë nga ajo shtetësi në momentin kur të zgjidhet president. Në këtë aspekt, presidenti vendimin e shtetit të huaj lidhur me këtë çështje do të duhej ta bëjë publik më së largu brenda gashtë muajve të ardhshëm.

E katërta, Mosha. Vlerësoj se ka arsye fakti që në Kushtetutë të mbahet zgjidhja sipas së cilës personi për t’u zgjedhur president i Kosovës duhet të ketë mbushur moshën 35 vjeçare.

E pesta, Mandati. Po ashtu edhe sa i përket mandatit vlerësoj se zgjidhja ekzistuese është ajo që do duhej mbetur e paprekur. Ky mandat aktualisht është 5 vite dhe me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat të dytë.

E gjashta, Betimi. Ndonëse zgjedhja e presidentit me votat e drejtpërdrejta të qytetarëve ka ngjallur shumë dilema rreth përcaktimit të autoritetit para të cilat ai duhet ta japë betimin, vlerësoj se megjithatë zgjidhja më e mirë është që kjo të bëhet para deputetëve të Kuvendit të Kosovës- atyre që mandatin e e kanë fituar nga zgjedhësit e drejtpërdrejtë. Në këtë rast bien poshtë të gjitha dilemat lidhur me atë se në cilin vend do duhej dhënë betimin presidenti. Gjithsesi Kushtetuta duhet të mbajë zgjidhjen se presidenti i Republikës së Kosovës fillon mandatin pasi të ketë dhënë betimin.

E shtata, Funksionet publike. Personi që zgjidhet president nuk duhet të ketë mundësi të ushtrimit të asnjë funksioni tjetër publik, si dhe nuk duhet t’i lihet asnjë mundësi që të mund të ushtrojë ndonjë funksion në parti politike.

E teta, Imuniteti. Presidenti i Republikës së Kosovës duhet të gëzojë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi për veprimet dhe vendimet brenda fushëveprimit të përgjegjësive të presidentit të Republikës së Kosovës. Por, ai nuk duhet të gëzojë imunitet nga ndjekjet penale në rastet kur ai kryen vepër penale jashtë përgjegjësive të tij si president.

E nënta, Shkarkimi. Çështja e shkarkimit të presidentit po ashtu është çështje komplekse. Sidoqoftë, mendoj se shkarkimin e presidentit do të duhej lënë si mundësi që ta bëjë Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Ajo një vendim të tillë do të mund ta marrë vetëm kur për të votojnë 2/3 e gjyqtarëve të saj. Shkarkimi i presidentit mund të iniciohet kur këtë e kërkojnë 1/3 e deputetëve. Për iniciativën e tillë, Kuvendi duhet të deklarohet me votim të fshehtë, kurse kërkesa do të duhej konsideruar e miratuar atëherë kur për të voton gjysma e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Pas kësaj, kërkesa do duhej të përcillet te Gjykata Kushtetuese, e cila pastaj merr vendimin për shkarkimin eventual të presidentit. Shkarkimi i Presidentit do të mund të inicohet vetëm në rast se ai shkel Kushtetutën, përkatësisht ligjin në fuqi, ka ndonjë problem të rendë me shëndetin, apo është i përfshirë në ndonjë krim të rëndë.

E dhjeta, Zëvendëspresidenti. Meqenëse mund të paraqiten situatat kur vendi mund të ngelë pa president, qoftë për shkak të shkarkimit, vdekjes apo ndonjë shkaku tjetër (mungesa e gjatë në detyrë), vlerësoj së do të ishte zgjidhje e duhur që me Kushtetutë të institucionalizohet edhe posti i zëvendëspresidentit. Në këto raste, atij do të duhej t’i jepej mundësia që për një periudhë të caktuar kohore (deri sa të zgjidhet presidenti i ri) të ushtrojë detyrat e presidentit.

Një çështje që ka ngjallë debate kohëve të fundit, e që ndërlidhet me mënyrën e zgjedhjes së presidentit, është ajo që ka të bëjë me qartësimin e kompetencave të presidentit. Pavarësisht se sipas vlerësimit tim kjo çështje është dashur të adresohej në kohën kur është marrë vendimi për t’i hyrë amandamentimit të Kushtetutës çështjen e mënyrës së zgjedhjes së Presidentit, vlerësoj se është koha e fundit kur Kuvendi i Kosovës do të duhej të vendosë mbi zgjerimin e mandatit të Komisionit gjegjës kushtetues edhe në këtë aspekt- qartësimin e kompetencave. Kjo për faktin se disa kompetenca që aktualisht i ka presidenti, nëse eventualisht do të mund të arsyetoheshin derisa ai zgjidhej nga Kuvendi i Kosovës, me kalimin në sistemin që zgjedhja e tij bëhet nga qytetarët, ato e humbin kuptimin. Këto çështje kryesisht kanë të bëjnë me emërimin e drejtorit, zëvendësdrejtorit dhe inspektorit të përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, por edhe me çështje të tjera, sidomos nga lëmi i sigurisë së vendit.

(Autori është anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës)