LAJMI I FUNDIT:

Ali Hoxha kundër Hoxhë Alisë!

Ali Hoxha kundër Hoxhë Alisë!

Pas këtyre zgjedhjeve, ku të gjithë festuan nga pak dhe të gjithë nga pak u hidhëruan, u pa ajo që ishte tashmë e ditur, se në Kosovë nuk ka dallime ideologjike në mes të partive kryesore, e madje as programe që dallojnë. Edhe për një çështje të gjithë pajtohen. Dallon vetëm personi. Pra, secili mendon se pikërisht ai duhet të qeverisë komunën. Je në pushtet, ke biznes! Nuk je, pra nuk ke! Pra, qëllimi madhor është karrigia, e parimet janë për t’u shkelur! Pas votimeve.

Për këtë qëllim, krejt mund të jenë kundër krejtve dhe krejt mund të bëjnë koalicione me krejt. Ideologjia ka vdekur ndër ne! Veç meritokracia ka mbijetuar! Në qeveri dhe përreth saj. I kanë konvertuar meritat në lek, me kurs të volitshëm. Qy lek! Euro, thuaj!

E ideologjia, sipas ligjit se energjia nuk humbet vetëm transformohet, është mbështjellë me plafin e të drejtave të njeriut. Të drejtat për të rritur devetë dhe skifterët e shkretëtirës, bashkë me bagëtitë dhe shpezët tona! Kësaj radhe, në këto zgjedhje kjo nuk ishte aq e dukshme. Krejt publicitetin e morën militantët në veri, duke thyer dhe rrënuar në vendvotime.


Bashkësia ndërkombëtare dhe ne kemi mirëkuptim për të drejtat e minoriteteve, për të demoluar demokracinë. Pra, ideologjia ka vu shami apo ka veshur çizme, por sidoqoftë si gjithnjë ajo është kamufluar, kryesisht me rrobat kamufluese të të drejtave të njeriut.

Pra, kush mund të jetë kundër të drejtave të njeriut? Askush! Më nuk është pengesë të jesh as kundër demokracisë, sepse kjo është e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Të jesh kundër çdo gjëje dhe kundër çdokujt.

Kështu, nuk kishte pengesa për koalicione. Varet kush mbështet dhe kush financon. Në një komunë, Partia Demokratike e Kosovës bënte aleancë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, e në tjetrën luftonin mes vete. Partia kundër lidhjes. Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë koalicione sipas komunës e sipas njeriut. Edhe Aleanca për Kosovën e Re bëri koalicione sipas nevojës. Kështu fitoi dy komuna. Aleanca për Ardhmërinë, kundër Aleancës për Kosovën e Re, që po ashtu i bie të bëjë me Ardhmërinë. Ardhmëria kundër Ardhmërisë! S’ka ideologji! Veç interes!

Përpos Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk bëri aleancë me askënd, e në disa vende madje as me vetveten, sepse doli dobët, të gjithë e kërkuan njëri-tjetrin. Por, Vetëvendosja e fitoi kryeqytetin! Përfoljet për koalicion me këtë apo atë subjekt, madje me ndërmjetësimin e vetë Kryeministrit të Shqipërisë si garantues të marrëveshjes, pak duken të besueshme. Më tepër merren për spekulime.

Në fund, pavarësisht çehres së tyre, pjesa dërrmuese e atyre që humbën uruan kryetarët e rinj të komunave. Ndihej dora e hekurt e faktorit ndërkombëtar në mbrojtje të procesit të votimit. Në fund të procesit, pjesa dërrmuese u pajtua se kishte krejt pak parregullsi, dhe këto manifestohen edhe në rezultatet e zgjedhjeve, ku partitë që dyshoheshin për vjedhje të votave në zgjedhjet e kaluara dështuan në shumë vende.

Pra, kësaj radhe faktori ndërkombëtar ishte vërtet i interesuar për një proces pak a shumë korrekt, dhe këtu duhet veçuar ambasadorja dinamike e SHBA-së. Kështu, kësaj radhe ata vunë vijat e kuqe dhe ato, kryesisht, u respektuan. Kjo na bën të mendojmë përse këto vija nuk ishin vendosur më herët apo ndoshta nuk ishte ende koha?! Në fakt tingëllon keq nëse thuhet se nuk ishte koha… për demokraci. Por ndoshta bërja e shtetit i paraprin demokracisë.

Përndryshe, Kryeministri i vendit doli dhe votoi, por mbeti e paqartë a votoi për Ali Hoxhën apo për Hoxhë Alinë. Sipas tij, dy kundërkandidatët nuk dallojnë shumë, aq më tepër se kandidati i tij, me të cilin ai i befasoi të gjithë në partinë e vet, pati dalë huq në këto zgjedhje. Ish-ushtaraku, i cili në të gjitha hulumtimet e porositura të opinionit dilte ndër të parët. Por, si duket ai nuk u pa si një person autonom, i cili mund t’u thotë “jo” grupeve joformale që kryeqytetin e shohin si bazën e përfitimeve të tyre.

Ajo që ra në sy te të gjithë është deklarimi i PDK-së dhe LDK-së pas zgjedhjeve, ku secila pretendonte se tani është (ende) partia më e madhe në vend. PDK-ja thirret në numrin e përgjithshëm të votave e LDK-ja në atë të komunave të fituara. Edhe AAK-ja deklaroi se në fakt, nuk ka humbur me vota, sepse ka fituar pak a shumë të njëjtën përqindje të votave edhe pse humbi disa komuna. Ngjashëm edhe AKR-ja, e cila fitoi dy komuna të mëdha. Edhe numri i votuesve në lista ishte mahnitës, gati sa numri i popullsisë. Ranë në ujë krejt teoritë se jemi popullata më e re në Evropë.

Ajo që vije si pikëpyetje e madhe e shoqëruar me një pikëçuditje edhe më të madhe është: nëse numri i votave në fakt ka mbetur i njëjtë me të kaluarën, edhe pse të gjithë u pajtuan se procesi ishte i ndershëm. Zgjedhjet e kaluara ishin shembull i vjedhjes së votave! Atëherë çfarë po ndodh. Kush po…?!

Ka disa mundësi! Vërtet mund të ndodhë që zgjedhjet e kaluara të kenë qenë korrekte, edhe pse të gjithë u pajtuan, përfshi ndërkombëtarët, se kishte vjedhje masive të votave.

Mundësia tjetër mund të jetë se këto zgjedhje po ashtu kanë qenë të manipuluara, por kjo është bërë aq mjeshtërisht, sa nuk e ka kuptuar askush, madje as ata, të cilët e kanë realizuar këtë.

Varianti i tretë mund të jetë se herën e kaluar, kur kishte vjedhje masive të votave, secili i paska vjedhur votat e veta. Kjo megjithatë meriton të vlerësohet. Të vjedhësh votat e tua nuk është krim ose së paku nuk tingëllon ashtu. Kështu si duket menduan edhe gjykatat, sepse dënimet për ata që u zunë me votë për dore ishin simbolike.

Pra, si po e shihni, çdo gjë shkoi sipas një rendi dhe kjo mbase do të kuptohet veç më vonë.

Kryeministri, çdo kryetari aktual nga partia e tij ia uronte sërish fitoren dhe postin e kryetarit, duke u premtuar investime dhjetëra e qindra milionëshe nga buxheti i republikës. Urime dhe suksese, zoti kryetar! Tash këta, shumica e tyre po ua urojnë kundërkandidatëve të tyre fitoren. Publiku është konfuz. Më parë kundërshtonte përse Kryeministri po premton paratë, që nuk janë të tijat e as të partisë, ndërsa tash po pyetet, a do t’i mbajë premtimet Kryeministri? A do të investojë në komunat ku ka humbur partia e tij?

Pyetje legjitime, e cila ende nuk ka marre përgjigje. Ndoshta kjo deklaratë po ruhet për zgjedhjet e paralajmëruara nacionale në vitin e ardhshëm.

E dorëheqjet, më pyeti një mik gazetar?! Askush s’po i përmend dorëheqjet, asnjëri nga udhëheqësit e partive që humbën.

Askush nuk ka humbur, mik, i thashë, veçse janë zhvendosur! “Ishte kjo veç një shuplakë e lezetshme”, më tha një mike deputete, nga partia më e fortë, edhe se edhe vetë “Partia e Fortë”! Aso shuplake, e cila pas një “uh”, pasohet edhe me një “oh”. Ah, kush (nuk) e di sa i madh është roli i pasthirrmave në politikë?!

Për fund fare, Partia e Fortë lëshoi një komunikatë, e cila nuk është për media, por mund të shpërndahet vetëm vesh më vesh. Qytetarët e Prishtinës nuk i pëlqyen fontanat. As me hedhje vertikale e as me hedhje të kryqëzuar.

Kush e di, ndoshta, pikërisht kjo mund të jetë arsyeja! Urime e suksese!