Ah, Mesjeta!
Ka nisur të bëhet dukuri. Po rrihen policët e shtetit, po rrihen imamët nga xhemati i politizuar, burrat po rrihen nga gratë. Po rrihen autoritetet, rend e pa rend, me ligj e pa ligj!
Duhet të krijohen rregulla! Rregulla se si të rrihen autoritetet! Shteti nuk bënë të rrihet gjithkah! As imamët. As burrat. Se për gratë ka rregulla. E dëgjuam në një video në Facebook, dijetarin plak nga Egjipti të ligjërojë për rregullat se si duhet të rrihet një grua nga burri i saj. Ky është emancipim. Nga frika se nuk e kemi pa, militantët e rinj të besimit politik po e ndanin me ne, dhjetëra herë. E dijetari egjiptian thotë se gruaja bën të rrihet, por duhet respektuar rregullat. Nuk bën të goditet në fytyrë, të rrihet me shkop të gjatë, as të dëmtohet në organet reproduktive etj. Ndërkohë, pika e parapëlqyer e femrave që rrahin burrat po duket se është pikërisht riprodhimi. Aty dhemb më shumë.
Por, ky nuk është një diskutim publik se kush guxon apo nuk guxon të rrihet. As për dhunën në përgjithësi. Natyrisht, askush nuk guxon të rrihet. Së paku jo në vendet e civilizuara. Në Kosovë ne kemi ecur edhe më përpara. As qentë endacak nuk guxojnë të rrihen! Këto ditë ata e hëngrën një pensionist në pikë të ditës. Ani çka? Çka dinë qentë çka është pensionisti! Qytetar, kur ndeshesh përballë me një kopeje qensh endacakë, kujdes! Silluni sikur po ndesheni me krimin e organizuar. Mos i ngucni! Mos u dilni përpara se shteti nuk ka çka bën! Liria e juaj, relative, kufizohet me lirinë e tyre absolute!
Derisa po e kaloja afër parkut të qytetit, më preu rrugën një grup qensh endacak dhe instiktivisht po e hulumtoja liderin e grupit. Atë i cili i pari e kafshoi pensionistin. Atë që dha shembull! Pastaj, më shkoi një mendim hakmarrës, primitiv: përse vëlla nuk i vrasin, si qentë! Me ligj! Por, nuk bën! Shtazët kanë të drejta! E qytetarët?
Nga përvoja historike, dihet kush mundet me i rrahë qytetarët. Qytetarët mundet me i rrahë ministri i Brendshëm, për shembull. Për qejf të vetin ose me kërkesë gojore të kryeministrit. Këtë mund ta bëjë përmes policëve të uniformuar ose të ndonjë civili apo militanti partie që futet mes policëve dhe i godet qytetarët. Kemi parë në ekran se si policët bëjnë sehir e civili i rrahë civilët. Munden me të rrahë edhe truprojat e kryeministrit, apo të presidentes. Truprojat për atë punë janë! Për shembull, kur kalon presidentja, ti duhet menjëherë me i futë duart në xhepa, ose me bartë dorëza pa gishta. Ose për shembull, donë kryeministri me pi kafe në filan kafiqin, në Malishevë për shembull, pikërisht në vendin ku ti je i ulur tashmë! Çka ka për diskutim këtu?! Ti je i keqi në tregim. Qohu dhe lësho udhë, se rrehesh! E prishë rendin me padëgjueshmëri qytetare!
Por, jo të gjithë qytetarët guxojnë të rrihen. Për shembull, minoritetet nuk bënë të rrihen. Për kompensim, guxon të rrihet opozita. Vend e pa vend. Guxon të rrihet edhe shteti kur e pengon pushtetin. Jo vetëm pushtetin formal, por sidomos atë informal. Pushteti është pushtet. Fuqi!
Pra, pasi pushteti, është pushtet, nuk është marre me të rrahë!
Por, deri tash, nuk është dëgjuar për imamë të rrahur nga besimtarët e organizuar politikisht. Sepse, organizimi politik në baza fetare është i ndaluar me ligj. Në të kaluarën, pra tradicionalisht, imamët mund të rriheshin veç nga shteti, nëse e kishin lëshuar rrugën e partisë. Partia, natyrisht, nuk ngatërrohej me Zotin. Partia andej e Zoti këndej!
Tash, në Bosnje për shembull, edhe ky një vend që u modernizua nga OKB, xhemati i rreh jo vetëm imamët tradicional, por edhe çikat me “miniça”. I rrahin këmbëve me thupër, si masë edukative.
Përpara ka ndodhur shpesh që policët të rrihnin qytetarët. U pat bërë shprehi. Polici nuk quhej polic nëse pas kafes së mëngjesit apo para se të linte detyrën nuk e ka rrahur së paku një nxënës që pinte duhan tinëz. Mos me të rreh shteti së paku njëherë në vit, nuk të shkonte mbarë as shëndeti. E policët nuk rriheshin. Regjimi e ruante autoritetin e shërbëtorit të vet. Tash rrihen. Rrihet shteti nga vet pushteti! Nga pushteti joformal, sepse formalisht zyrtarët nuk kanë të drejtë të bartin kompetencat e tyre te djemtë. As te dashnoret. As te…! Kurrkund! As nuk kanë të drejtë t’ju japin fëmijëve kallashët në shkollë. As në gjueti. Është e ndaluar të kesh kallash! Kështu, pushteti e rreh shtetin.
Nejse gratë janë rrahur edhe përpara! Ky ka qenë sport nacional. Burrat e rrahur keq nga baba mbret, krajli, ose partia, janë shfryrë te gratë. Kështu është dëshmuar burrnia e lëkundur! Tregohet se në kohën e aksionit të armëve, policët e Rankoviqit, tashmë të rehabilituar nga regjimi demokratik serb, i lidhnin burrat nëpër pemë e drunj në oborr të shtëpisë dhe i rrihnin përpara fëmijëve dhe grave. Natyrisht, shoku Tito nuk dinte asgjë për këtë punë! Ai vdiq si burrë i mirë! E burrat tonë të sertë rriheshin sikur gratë. Ky ishte një kontribut për barazinë gjinore. Zhburrnoheshin. Kishte rregulla. Burrat i rrihnin gratë dhe fëmijët, e shteti i rrihte burrat. Pat dalë fjala se nuk është marre me të rreh shteti. Polici o dora e babës mbret, krajlit, shokut Tito, shokut Enver e shokëve të tjerë! S’o marre!
Kështu, derisa rriheshin burrat e lidhur, disa gra qanin, e disa me kokë ulur edhe nënqeshnin. Ato nuk njihnin kriminelë të tjerë përpos burrave të vet. S’e nuk dilnin nga shtëpia. U mjaftonte liria brenda shtëpisë!
Por, dihet puna për gratë. Më tepër jam i brengosur për burrat. Sipas statistikave, në Shqipëri, vetëm kohëve të fundit, shtatë burra i kanë paditur bashkëshortët e tyre për ushtrim dhune! I kanë rrahë! Duke marrë parasysh traditën e lavdishme, kjo është një epidemi! Prandaj, duhen norma! Urgjentisht! Për me i mbrojt burrat.
Pa dashur me e impliku në këtë çështje madhore edhe ministrin e Drejtësisë, shfrytëzoj rastin të bëj apel publik që të nxirren sa më shpejt normat se në të cilat raste dhe si mund të rrihen burrat , por edhe policët, imamët etj. Si mund të rrihet shteti, me një fjalë! E drejta për t’u rrahur me rregulla është e drejtë njerëzore.
Pra, ministër, ndërro normat! Ose po i kthejmë të vjetrat bashkë me moralin tonë tradicional! Atëherë dihej qysh e tek! Përvojë mijëvjeçare! Mesjeta, me dizajn të ri, mbetet gjithnjë alternativë!
Ah, Mesjeta! Atëherë dihej rendi i gjërave! Edhe rregullat! S’ka pasë nevojë me e mendu çdo hap!
A po dalim krejt andej?
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëGerta Gixhari e lëndon Gjestin? I hedh alkool në sy
Gjesti lë përkohësisht shtëpinë e Big Brother VIP Albania
Zjarr në një fabrikë në Bibaj të Ferizajt, zjarrfikësit dhe policia intervenojnë me urgjencë
‘Trazira’ në Big Brother VIP Albania - pas lëndimit të Gjestit shpërthejnë debatet në shtëpi
Vetaksident në Pejë, vdes shoferi i automjetit
Musk: USAID është një organizatë kriminale – është koha që të shuhet
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Publikohen pamjet: A po luante Real Madridi me më shumë se një kundërshtar ndaj Espanyolit?
Barcelona po e mbyll afatin kalimtar dimëror me një top transferim - Deco në negociata
Përplasje mes Morgan dhe Carlson për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, reagon ambasadori Meidani: Historia s'do të rishkruhet!
Bëri ndërhyrje horror në Mbappen, lojtari i Espanyolit tregoi se çfarë i tha francezit
Jozi befason me përgjigjen kur pyetet për vendin më të çuditshëm ku ka kryer marrëdhënie
Perez del kundër një top transferimi, cilësohej si zëvendësuesi i Toni Kroos