LAJMI I FUNDIT:

Agresioni kundër shtetit të Kosovës

Serbia kërcënon me luftë të hapur Kosovën. Kështu janë cilësuar tendencat e Beogradit për mbajtjen e zgjedhjeve lokale e parlamentare të Serbisë edhe në shtetin e Kosovës. Ky vlerësim i klasës sonë politike (qeveritare), nuk duket të jetë aq bindës, a i vendosur. E them këtë nisur nga fakti se agresion i Serbisë nuk u cilësua djegia e pikave tona kufitare në veri (përmes strukturave paralele serbe), agresion nuk u quajt as bllokimi i rrugëve dhe pengesat për shtrirjen e autoriteteve Republikës së Kosovës në këtë pjesë.

Lufta e hapur e Beogradit për zhbërjen e shtetësisë së Kosovës, u shpërblye nga elita jonë politike, duke bërë kompromise me sovranitetin (pranimi i fusnotës i cili lexohet si kthim në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së), fazë kjo qe ishte funksionale deri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008 (shpallja e pavarësisë dhe hartimi i Kushtetutës së Kosovës).

Serbia pak ditë pas marrëveshjes për fusnotën (prezantimi i Kosovës në nismat rajonale) dhe marrjes së kandidaturës për anëtarësim në BE, ka shtuar tejet agresionin e saj kundër shtetit të ri. Beogradi, duke qëndruar parantezë e strukturave ilegale në veri (në të gjitha dimensionet), vazhdon t’i atakojë institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, si në aspektin ekonomik, politik e propagandistik.


Mbajtja e zgjedhjeve lokale e parlamentare serbe në veriun e shtetit tonë, ka për synim forcimin e Serbisë brenda Kosovës, legalizimin e strukturave kriminale, për të vazhduar edhe me aplikimin e parimeve juridike sipas kushtetutës hegjemoniste të Serbisë fqinje. Agresioni i shtuar i Serbisë rrjedh edhe nga leximi ose interpretimi i fusnotës dhe thirrjes qe i bën Rezolutës 1244, e cila e njeh Kosovën si entitet etnik, por jo edhe si shtet të pavarur (faza parastatutore). Edhe pse fusnota është referencë për përfaqësimet rajonale të Kosovës, Serbia fqinje mundohet qe këtë princip ta aplikojë edhe për rregullimin e brendshëm territorial të shtetit të Kosovës.

Për arritjen e këtyre synimeve do të kërkohet edhe një faze e re bisedimesh në të ardhmen. Pas thyerjes së kritereve të shtetësisë (pranimi i fusnotës), do të kërkohen edhe kompromise tjera edhe më të dhimbshme nga Kosova. Nëse Brukseli vazhdon me kushtëzime ose “kompromise” të imponueshme në dëm të Kosovës, lehtë mund të llogarisë edhe në një luftë të re në Ballkan.

Të gjitha përpjekjet e Serbisë kundër Republikës së Kosovës kanë për synim krijimin e kantoneve të veçanta serbe. Pikënisja e gjithë kësaj uverture fillon me përpjekjet për krijimin e një statusi special në veri, për të avancuar më vonë në republikën serbe, ngjashëm me “Republika Srpska” në Bosnjë.

Ditë më parë edhe ambasadori britanik në Kosovë, Jan Klif, ka theksuar se “nuk do të lejohet që veriu i Kosovës të shndërrohet në një ‘Republika Srpska’ të dytë. Mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe do të legjitimonte ekzistimin e strukturave paralele serbe në Kosovë, prandaj ato janë të papranueshme”.

Nismat për autonomi në veri vijnë edhe nga institucione periferike siç është fondacioni “Carnege Europe”. Ky fondacion rekomandon se BE-ja duhet të iniciojë bisedime Prishtinë-Beogradi, me qëllim qe “përmes autonomisë rajonale në veri të tejkalohet ndarja mes veriut dhe pjesëve tjera të Kosovës”.

Koncepti i ndarjes është keqinterpretuar këtu, ngase vet “autonomia për veriun” do të thotë ndarje nga pjesa qendrore e shtetit të Kosovës. Iniciativa të tilla janë të njohura kohëve të fundit, kinse për “pajtueshmëri” shqiptaro-serbe. Pajtueshmëri e vetme në mes të shqiptarëve dhe serbëve mund të ndodhë atëherë kur Serbia të heqë dorë nga qëllimet ekspansioniste ndaj vendit tonë, të distancohet nga të palarat e saj në dëm të popullit shqiptar, dhe të njeh pa asnjë kusht shtetin e pavarur dhe sovran të Republikës së Kosovës.

BE-ja vazhdon ta përkëdhelë Serbinë sikur nëna fëmijën e keq. Përkrahja e pa rezervë nga Brukseli, për të gjitha tekat e Serbisë në rrugën e integrimeve (me kushtetutën hegjemoniste dhe mbajtjen gjallë të strukturave paralele), lehtësisht mund të qojnë rajonin drejt një konflikti të hapur ndëretnik. Ky rrezik vjen për faktin se shqiptarët nuk mund ta bartin pafundësisht në qafë Serbinë agresore. Brukseli duhet të rikujtojë se Serbia në dekadën e fundit të shekullit XX ishte agresore e tri luftërave ballkanike. Edhe pse ishte shkaktare e tri luftërave, Serbia sërish mbetet e përkëdhelura e BE-së.

Edhe sot, në vend qe të ndëshkohet shkaktari i turbulencave në Ballkan, kësaj i lejohet që të “evropianizohet” duke dëmtuar interesat e Republikës së Kosovës. Nëse Brukseli mendon se duke i bërë lajka Serbisë mund ta fusë nën tutelën e vet, për ta “civilizuar” më vonë, ose ta shkëpusë nga lidhjet e forta me Rusinë, e ka shumë gabim. Serbia në BE do të jetë Rusi e vogël, duke i shërbyer më shumë interesave të Moskës se sa vet principeve të Brukselit.

Anëtarësimi pa kushte e kritere të duhura, mund të lëkund peshën qe e ka sot BE-ja, si bashkësi kombesh të civilizuara. Greqia mund të shërbejë si mësim i mirë në këtë drejtim. Por, duket se Brukseli dëshiron ende testim me lojën “standardet pas anëtarësimit”.

Prishtina zyrtare e cilësuar si klasë politike e përulur, nuk është fare e përfillshme nga BE-ja, të paktën si autoritet me ndikim. Proklamimi i politikave shtetërore të Kosovës, sipas kërkesave të BE-së, OKB-së, etj., është degradim dhe shpërfillje e interesave tona nacionale. As Brukseli e as Uashingtoni nuk qëndrojnë roje në pragun tonë të shtëpisë. Kthimi në Rezolutën 1244 është dështimi më i madh që ka mundur të bëjë kjo elitë politike e cila udhëheq aktualisht me Kosovën.

Retorikat e nxehura të kryeministrit Hashim Thaçi, rreth zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, duke shtuar se “paralajmërimi i Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare në territorin e Kosovës paraqet agresion, ndaj të cilit Kosova do të kundërpërgjigjet. Shqiptarët mund të jetojnë më se miri në një shtet etj.”, ngjajnë të jenë retorika boshe dedikuar për tregun e brendshëm. Sikur fraza të tilla të dëgjoheshin para se Kosova të pranonte rrëshqitjen në 1244, do të ishin më bindëse. Po të ishin këto fjalë të dala nga zemra, nuk do të prekej asnjë milimetër çështja e shtetësisë, as në nismat ndërkombëtare.

Sovraniteti është mburoja më e fortë e parimeve të pacenueshmërisë. Shteti i Kosovës do të kishte më shumë autoritet politik por edhe moral, sikur të mos kishte ndodhur fusnota. Realisht, principet e 1244-shit krijojnë dualizma juridikë me shumë të panjohura. Kjo vjen nga fakti se Kushtetuta e Kosovës, si akti më i lartë juridik (me kthimin e 1244) vlen vetëm për ato pjesë ku njihen ose pranohen segmentet e saja juridike, brenda shtetit tonë.

Ndërkaq, në veriun e Kosovës janë ta aplikuara ligjet e UNMIK-ut, bazuar në Rezolutës 1244 të KS të OKB, por edhe “ligjshmëria” e Serbisë fqinje (targat serbe, dokumentet e identifikimit, udhëheqësit ilegalë të dalë nga zgjedhjet e Serbisë etj). Gati si fushatë mund të cilësohet edhe aksioni policor i gushtit të vitit 2011, në veri. Ngase, pasojë e këtij reagimi janë bllokimi i rrugëve dhe vrasja e policit Enver Zymberi.

Republika e Kosovës ndjen nevojë imediate për një klasë politike me kredibile, më autoritare dhe më të përgjegjshme. Në këtë kontekst, duhen krijuar politika më efektive (jo vetëm ndaj krimit dhe korrupsionit), por për të mbrojtur në mënyrë më të dinjitetshme tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës. Miratimi i Rezolutës nga ana e Kuvendit të Kosovës, me anë të së cilës kundërshtohet mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në territorin tonë, është organizimi më i fuqishëm dhe më legjitim në mbrojtjen e parimeve të shtetësisë.

Qeveria e Kosovës e ka për obligim ligjor që t’i mbrojë interesat e shtetit dhe të gjithë qytetarëve të vet. Ky princip duhet të jetë i prekshëm dhe i aplikueshëm në tërë territorin e Kosovës. Ndryshe nga këto principe, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës janë kthyer në arenë fushate elektorale se kush është më patrioti, duke harruar përgjegjësinë qe e ka pushteti në mbrojtjen e interesave të shtetit dhe qytetarëve të vet.

Formulimi i fusnotës se Kosova përfaqësohet në nismat rajonale pa prejudikim për statusin, sipas Rezolutës 1244 dhe mendimit këshillëdhënës të GJND-së, është degradim i shtetësisë dhe sovranitetit. Pra, vet formulimi i fusnotës dhe interpretimi i saj bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Pikërisht mbi këto formulime të paqarta të fusnotës, Kosova dhe Serbia edhe më keq do të përplasën në nismat rajonale. Duke iu referuar Rezolutës 1244, Serbia do ta trajtojë Kosovën si krahinë të saj (por nën protektorat ndërkombëtar). Në anën tjetër Kosova do t’i shpërfill tendencat e Serbisë për ruajtjen e legjitimitetit të kësaj të fundit ndaj shtetit tonë.

Beogradi do të reagojë kundër përfaqësimit të Kosovës së pavarur, gjithnjë duke u bazuar në kushtetutën e vet hegjemoniste. Pikërisht për këtë arsye, Prishtina nuk është dashur të pranojë asnjë marrëveshje me Serbinë, pa hequr dorë kjo e fundit nga kushtetuta e cila e mban Kosovën si pjesë të saj.

Pasojat e fusnotës do të jenë afatgjata dhe të paparashikueshme. Fusnota është shteg përmes të cilit Serbia vazhdon ta keqtrajtojë Kosovën, jo vetëm në nismat rajonale, por edhe përmes pakicës së vet në shtetin tonë. Kthimi nën 1244 ka qenë synim i përhershëm i Serbisë, edhe rënia në këtë derexhe ka ndodhur pikërisht për “hatër” të Beogradit. Në prezantimet ndërkombëtare (përmes fusnotës) Republika e Kosovës nuk prezantohet sipas Kushtetutës së vet, por në bazë të Kornizës Kushtetuese e cila e prezanton shtetin tonë si etni të veçantë, por me status të pa definuar.

Kosovës i duhet konfirmim ndërkombëtar edhe për aktet e veta juridiko-kushtetuese, e jo të atillë që është i zbatueshëm vetëm brenda territorit. Pra, Kushtetuta e Kosovës nuk është akt i njohur ndërkombëtarisht dhe si e tillë është minor, ngase çdo shtet i pavarur bazohet në Kushtetutën vet edhe në instanca ndërkombëtare. Kthimi në Rezolutën 1244 i lë hapësirë Serbisë, qe të rrahë tellallin e statusit të pazgjidhur për Kosovën edhe pse një gjë e tillë është mbyllur me 17 shkurt të vitit 2008.

Në trend

Më shumë

"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë një zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori