LAJMI I FUNDIT:

A po rrezikohet ekzistenca e Institutit Albanologjik?

Ndoshta keni dëgjuar për Institutin Albanologjik në Prishtinë? Ndoshta prindërit tuaj e kujtojnë më mirë, apo ndoshta gjyshërit tuaj? Ju ndoshta së paku e dini se ku ndodhet, por për rëndësinë dhe veprimtarinë e tij sot sigurisht se dini pak…

Instituti Albanologjik i Prishtinës është institucion i lartë kulturor e shkencor, i cili merret me hulumtimin, ruajtjen dhe studimin e vlerave të kulturës sonë nacionale. Është i themeluar këtu e 56 vjet më parë e deri tani ka nxjerrë nga shtypi mbi 380 botime, studime dhe revista shkencore dhe i ka dhënë kulturës sonë emra të njohur studiuesish.

Gjatë historisë së tij, ky monument i gjallë i kulturës sonë nacionale, u përball shumë herë me mbyllje nga joshqiptarët, ose edhe së paku, nga ata që nuk u ndien shqiptarë. Periudhat e rënda të historisë që i kaloi kombi, u reflektuan edhe në veprimtarinë e këtij institucioni. I themeluar më 1953, u mbyll më 1955, për t’u rithemeluar më 1967 dhe për t’u mbyllur prapë me dhunë të egër më 1994, për t’iu liruar objekti më 1998, për të pushuar së funksionuari më 1999 dhe për t’iu kthyer prapë jetës brenda atij viti.


Të gjitha këto ia shkaktuan organet pushtetmbajtëse, të cilat i dominuan shqiptarët në periudha të ndryshme të historisë. Duke qenë një institucion, vetë emri i të cilit lidhet ekskluzivisht me shqiptarinë dhe me njësinë kombëtare, edhe në rrethanat e reja të pasluftës në Kosovë ky institucion e pati të rrezikuar ushtrimin e veprimtarisë së tij, si zakonisht, nga joshqiptarët dhe nga ata që nuk ndiheshin shqiptarë.

Sot gjithkush e di se për të mbijetuar nuk mjafton lavdia historike as edhe sakrifica që ke mundur të bësh në të kaluarën, pasi që jeta dhe aktualiteti ekzistues kërkon adaptim në rrethana të reja. Prandaj sigurisht se ju do të pyesni se ku është sot, pra ku ka arritur sot ky institucion kulturor? Sot është keq, madje gjendja e tij është shumë afër me pozitën që kishte në periudhat kur pushtetin tonë e drejtonin ata që nuk na donin të mirën.

Sot Instituti Albanologjik i Prishtinës ka mbetur me një numër të pakët të studiuesve, përderisa pjesa më e madhe e tyre kanë dalë në pension dhe së shpejti edhe pjesa tjetër do të pensionohen. Ata pak që do të mbesin janë shumë të pakët në numër, kur dihet se para dy vjetësh edhe ata studiues të rinj që u punësuan, nga nëntë shtatë sosh e lëshuan punën për shkak të mundësive tepër të vogla financiare që i ofron ky institucion.

Punëtorët që janë brenda vazhdojnë të punojnë dhe të nxjerrin studime, por botimet e tyre e kanë tepër të kufizuar plasimin në treg. Projektet që punohen në këtë institucion e kanë fatin të barten nga viti në vit për shkak të mungesës financiare për realizimin e tyre. Studiuesit i kanë tepër të kufizuara, për të mos thënë që nuk i kanë fare, mundësitë për t’u prezantuar në simpoziume e konferenca ndërkombëtare, përderisa ato kombëtare, në Shqipëri apo edhe ndonjëherë në Maqedoni arrijnë t’i përcjellin me shpenzime vetanake ose me ndihmën e donatorëve zemërmirë, të cilët çdo herë e më shumë po rrallohen.

Mungojnë bashkëpunimet në nivel institucional me institutet e tjera në rajon e më gjerë, me bibliotekat e me institucionet e tjera të kulturës. Mungojnë projektet e përbashkëta, hulumtimet e trajnimet në nivel profesional ku studiuesit nga Instituti do të ndanin me të tjerët dijet e tyre profesionale për kulturën nacionale.

Një institucion i këtillë i kulturës nacionale është nevojë e domosdoshme për kulturat kombëtare të cilitdo shtet në botë, pavarësisht nëse nuk emërtohet nën emrin e kulturës nacionale. Institute të tilla ka Shqipëria (Qendra për Studime Albanologjike) ka Kroacia (Institut za etnologiju i folkloristiku www.ief.hr), ka Serbia (Balkanološki institut http://www.balkaninstitut.com/eng/index.html), ka Bullgaria (Ethnografic Institute and Museum http://hs41.iccs.bas.bg/), ka Finlanda (Finnish Literature Society http://www.finlit.fi/index.php?lang=eng), ka Franca (Institut de France http://www.institut-de-france.fr/), ka Italia (Istituto Italiano http://www.istitutoitaliano.it/eng/index.htm), madje ka edhe Amerika me vargun e muzeumeve dhe instituteve kulturore, të famshmin Smithsonian Institution (http://www.si.edu/).

Përderisa shtetet e fuqishme perëndimore i kanë siguruar atyre ekzistencë në vazhdimësi edhe ish-shtetet komuniste, përkundër reformave që kanë bërë me rënien e sistemit të kaluar, kanë arritur t’i ruajnë këto institute kombëtare. Të gjitha këto institucione të kulturave nacionale nëpër botë veprojnë sot, të pavarura ose në kuadër të akademive, varësisht se si e ka të rregulluar shteti i vet statusin e këtij institucioni.

E shteti jonë, si i e ka rregulluar statusin e këtij institucioni? Ndonëse i themeluar në kohën e Jugosllavisë, ky institucion kulturor ishte hapur në emër të së drejtës së kombeve dhe kombësive, e shqiptarëve, si kombësi që trajtoheshin atëherë, iu lejua të kenë një institucion të këtillë kulturor.

Por sot, kur Jugosllavia nuk është më, sigurisht se dikush mendon që nuk duhet të jetë as Instituti Albanologjik, mirëpo ky institut ishte i shqiptarëve dhe vazhdon të jetë i tillë derisa të ketë shqiptarë në Kosovë, e siç po shihet të tillët janë dhe do të vazhdojnë të jenë shumicë këtu. Atëherë edhe prania e institutit që e bën hulumtimin, ruajtjen dhe studimin e vlerave të kulturës shqiptare është më se i nevojshëm në Kosovë. Madje për mbajtjen, zhvillimin dhe përparimin e tij duhet të ketë një rol të madh shteti dhe institucionet shtetërore, të cilat e kanë për obligim të ruajnë dhe të zhvillojnë kulturën nacionale të banorëve të vet.

Projektet që punohen e do të punohen në këtë Institut do të duhet të jenë projekte të rëndësisë kombëtare e shtetërore dhe duke u përkrahur nga shteti ato do të fuqizojnë dhe mbajnë shtyllat e kulturës nacionale të shtetit. Popuj të shumtë nuk i kanë institucionet e tilla dhe i themelojnë, përderisa ne i kemi, por i lëmë “gjallë e për gazepi” derisa të japin shpirt, siç po i bëhet Institutit Albanologjik.

Sot Instituti Albanologjik rrezikon të bëhet nën-njësi e Universitetit, kinse nën emrin e politikave të reja zhvillimore ku planifikohet të rritet puna hulumtuese- shkencore e universitetit. Kjo strategji, në shikim të parë dikujt mund t’i duket joshëse, por kjo rrezikon që në një të ardhme statusi i Institutit Albanologjik, i këtij instituti me rëndësi parësore kombëtare, të mos jetë më shumë se institut i një fakulteti, i tillë çfarë sot kanë shumë fakultete dhe që të drejtën për ekzistimin/mosekzistimin e tij ta ketë Universiteti dhe atëherë kur atij të mos i shërbejë më edhe ta mbyllë.

Sipas ligjit në fuqi, Ligji Nr. 2004/42 – Ligji për veprimtarinë kërkimore – shkencore, kapitulli VIII, neni 69, pika 2 shkruan: “Me hyrjen në fuqi të këtij Ligji… Institucionet shkencore, të themeluara me ligje të veçanta, vazhdojnë punën si institucione shkencore publike të pavarura: a) Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, b) Instituti i Historisë, c) Instituti Albanologjik i Prishtinës”. Atëherë, ky ndryshim statusi që synohet t’i bëhet Institutit Albanologjik, është në shpërputhje të plotë me Ligjin mbi Arsimin e Lartë që është në fuqi, dhe një veprim i këtillë nga Ministria e Arsimit, (e cila momentalisht është institucioni që e ka nën përkujdesje Institutin Albanologjik), do ta bënte atë vetë shkelëse të Ligjit mbi Arsimin e lartë.

Sigurisht se nuk mendoj që Instituti Albanologjik do të duhej të izolohej dhe të mbetej një institucion i vetëm, por bashkëpunimi me Universitetin do të duhej të bëhej në nivel të barabartë institucional, me memorandume bashkëpunimi ku specialistët e fushave profesionale nga Instituti Albanologjik do të jepnin kontributin e vet në lëndë të caktuara, pa ndërprerje të punës së vet hulumtuese-shkencore dhe ku do të ndihmonin në përgatitjen e specialistëve të rinj, me ç’rast do të arrihej ngritja e nivelit akademik të mësimit. Kjo është e vetmja formë, e cila do të ruante autonominë e këtij institucioni akademik dhe njëkohësisht do t’i shërbente nevojave hulumtuese e shkencore të universitetit.

Përderisa për gjendjen e tij të sotme të katandisur si mos më keq, nuk dëshiron ta marrë fajin Ministria e Arsimit, as Kuvendi dhe as Qeveria, secili në mënyrën e vet kanë dorë në këtë bashkëfajësi. Sot nuk iu duket vetja shumë fajtorë, por në një të ardhme kur fëmijët tanë do të shohin veten të pa identitet me siguri se ata do ta dinë shumë mirë kujt t’ia adresojnë fajin.

Mungesa e studimeve për vlerat e identitetit nacional, e shprehur si mungesë vetëdijeje për vlerat tona si komb, na bën të humbur në kohë dhe në hapësirë dhe një gjendje të këtillë nuk e kemi larg. Më shumë se e secilit, ruajtja e vlerësimi institucional i vlerave tona është detyrë e shtetit, është detyrë e atyre që drejtojnë institucionet vendimmarrëse.

Përgjegjësi ekskluzive e tyre, krahas të gjitha detyrave të tjera që kanë është edhe ruajtja dhe vlerësimi i drejtë i vlerave të kulturës sonë nacionale. Përderisa lejohet ekzistimi dhe financimi i instituteve të tjera nacionale nga Qeveria jonë, siç është rasti me Institutin e Sllavistikës në Mitrovicën e veriut, atëherë pse neve shqiptarëve që përbëjmë mbi 90% të popullatës së Kosovës, kjo e drejtë po na dobësohet dhe po na rrezikohet deri në masën e mohimit, në një të ardhme jo të largët?!

Në trend

Më shumë

"Le t'i dridhet toka", G-Bani thur planin për të vënë në kurth Gjestin

Magazina

"Ia dolëm", Parashqevi Simaku lirohet nga spitali i New York-ut - biznesmeni Elton Ilirjani publikon pamje të artistes

Magazina
Lëndohet një 20 vjeçar nga një shpërthim në shtëpinë e tij në Gjakovë, policia dyshon për mjete tjera të pashpërthyera

Lëndohet një 20 vjeçar nga një shpërthim në shtëpinë e tij në Gjakovë, policia dyshon për mjete tjera të pashpërthyera

Kronika e Zezë
Modric ‘sulmoi’ Vinicius Jr në sy të të gjithëve: Braziliani i tërbuar u vërsul në dhomat e zhveshjes, Ancelotti sqaron situatën

Modric ‘sulmoi’ Vinicius Jr në sy të të gjithëve: Braziliani i tërbuar u vërsul në dhomat e zhveshjes, Ancelotti sqaron situatën

Ndërkombëtare
Jordania e gatshme për luftë me Izraelin nëse Netanyahu i dëbon me forcë palestinezët

Jordania e gatshme për luftë me Izraelin nëse Netanyahu i dëbon me forcë palestinezët

Azia
Ministri francez i Mbrojtjes njofton se aeroplanët e parë luftarak Mirage 2000 arrijnë në Ukrainë

Ministri francez i Mbrojtjes njofton se aeroplanët e parë luftarak Mirage 2000 arrijnë në Ukrainë

Evropa
Kalo në kategori