LAJMI I FUNDIT:

Lajmi që dikur tronditi botën: Cila është e vërteta për akuzat që i shkuan nga Kosova, Kurt Waldheimit?

Lajmi që dikur tronditi botën: Cila është e vërteta për akuzat që i shkuan nga Kosova, Kurt Waldheimit?

Në vitet ’80 të shekullit të kaluar, një lajm tronditi botën: Kurt Waldheim - ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, që këtë post e ushtroi në dy mandante (1972-1981) - doli të ishte bashkëpunëtor dhe oficer i lartë nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Hakif Bajrami, historian nga Kosova, ishte ndër ata historianë që hodhi njolla ndaj figurës së këtij diplomati, të nderuar e të dekoruar nga personalitete të shumta botërore, madje edhe nga ish-lideri komunist i ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito, shkruan Telegrafi.

Këto lajme kanë dalë pikërisht në kohën kur Hakif Bajrami ishte kryetar i Komisionit të Historianëve që merreshin me shkrimin e historisë së Partisë Komuniste të Kosovës. Bajrami atëbotë është thënë se kishte lejen e Ali Shukriut – komunistit luajal i politikës serbe – për të hulumtuar arkivat e Beogradit. Ndaj, ende ekzistojnë dyshimet se publikimet që ndërlidhen me figurën e Waldhemit, i ishin servuar Bajramit për interesa të politikës së asaj kohe, pikërisht në kohën kur ish-Sekretari i OKB-së vazhdonte karrierën politike si president i Austrisë.


Më 7 shkurt të vitit 1988, Agjencia Telegrafike Hebraike (JTA), raporton se Waldheim ka marrë pjesë në ekzekutimin e 104 shqiptarëve më 1944. Por, historianët gjermanët që nisën të hulumtojnë të kaluarën e Waldheimit, nuk mundnin të gjenin dokumentet që e ndërlidhin atë me deportimin e civilëve të ish-Jugosllavisë në kampet e punës e të vdekjes. Zyra e Waldheimit (Presidenca austriake), siç raportonte JTA, ka mohuar këto akuza që janë publikuar edhe nga javorja gjermane Der Spiegel.

Hakif Bajrami

Akuzat vinin pikërisht nga Bajrami, që ishte drejtor i Arkivit të Kosovës. Ai thoshte se i ka dokumentet, por nuk i ofronte. Bajrami po ashtu kishte refuzuar të bashkëpunonte me një komision ndërkombëtar të historianëve, të formuar nga Austria, për të hulumtuar të kaluarën ushtarake të Waldheimit, transmeton Telegrafi.

Sipas dëshmive që gjenden edhe në enciklopedinë online, Wikipedia, Waldheim ishte oficer komunikues në Bosnje, në qershor-gusht 1942; ndërsa nga janari 1943, e deri në shkurt 1945, thuhet se ka shërbyer si oficer i Armatës E në Mitrovicë dhe në Sarajevë të Bosnje dhe Hercegovinës.

Më 1986 Waldheim ka thënë se ka shërbyer si përkthyes dhe nëpunës që nuk kishte asnjë informatë për dhunën ndaj civilëve serbë dhe masakrat në provincat e atëhershme të ish-Jugosllavisë. Ndaj, deklarimi i Bajramit për pjesëmarrjen e tij në ekzekutimin e 104 civilëve shqiptarë, ishte goditja më e madhe që iu bë Waldheimit.

Historiani Bajrami thotë për Telegrafin se ekziston dokumenti për Kampin e Përqendrimit në Prishtinë, të vitit 1944, dhe se ai është i botuar në shtypin shqiptar dhe i arkivuar në Arkivin e Kosovës. Ndërkaq, për refuzimin e tij për të bashkëpunuar me historianët ndërkombëtarë, deklaron: “I kam refuzuar për të vetmen arsye se nuk i kam njohur se kush janë. Ndaj, nuk kam dashur të bashkëpunoj me ta”.

Po ashtu, Bajrami thekson se dokumentin për Kampin e Prishtinës e ka përpiluar pushteti i atëhershëm në Prishtinë, në të cilin dokument thotë se shkruhen lëvdatat për vrasjen dhe pushkatimin e 104 shqiptarëve më 23 tetor 1944.

Telegrafi e ka kërkuar këtë dokument në Arkivin e Kosovës, por nga aty thanë se dokument të tillë nuk posedojnë.

“Çdo historian që merret me Luftën e Dytë Botërore, mund ta merr atë dokument. Dihen botërisht kampet e përqendrimit të Prishtinës, të Stantërgut, Burrelit etj.”, insiston Bajrami.

Ai madje flet edhe për akuzat e shumë historianëve që, sipas tij, “për interesat e tyre shtetërore donin t’i mbanin marrëdhëniet e mira me Austrinë”.

“Kundër meje është ngritur Aleks Buda. Ai në një gazetë kishte thënë: ‘Ne në Shqipëri nuk posedojmë dokument për Kurt Waldheimin. Ai nuk ka qenë në Tiranë’ ”, thekson Bajrami. ”Akuzohem nga qeveria e ‘marionetave’ dhe fashistët serbë, që i kam dërguar në Tiranë dy milionë dokumente. Dy milionë jo, por nja gjysmë milioni po”.

Sipas Bajramit, Kurt Waldheim dhe Xhafer Deva janë përgjegjës për ekzekutimin e 104 patriotëve shqiptarë! Madje, thotë se ekzistojnë faktet për Armatën E (që ka vepruar në Shqipëri, Kosovë, Greqi e territoret e ish-Jugosllavisë), ku thuhet se ka shërbyer Waldheim.

“Ditari i Armatës E është në Beograd dhe një tjetër në arkivin nacional të Washingtonit, të cilin dokument e ka dhënë Tito në atë kohë”, u shpreh Bajrami, i cili Telegrafit ka refuzuar t’ia ofrojë këto dokumente.

Ndërkaq, një gjë dihet: në Arkivin e Kosovës ekziston dokumentacioni i mediave të dikurshme serbe (p.sh. “Politika”), ku si armik kryesor i interesave serbe përmendet Austria, sepse ishte pikërisht ky shtet që luftonte për interesat e shqiptarëve. /Telegrafi/