LAJMI I FUNDIT:

Rritet numri i kultivuesve të bimëve mjekuese

Rritet numri i kultivuesve të bimëve mjekuese

Mullaga, e cila në të kaluarën është rritur në mënyrë të egër nëpër malet e Kosovës, ajo kohëve të fundit është duke u kultivuar në mënyrë të organizuar nga ana e fermerëve. Ata që kultivojnë këtë kulturë bujqësore theksojnë se leverdia dhe tregu i sigurt për shitjen e saj ka bërë që të merren edhe me kultivimin saj krahas kulturave të tjera bujqësore. Aktualisht në Kosovë janë 280 fermerë që kultivojnë bimë aromatike mjekuese.

Fermeri Muzafer Luma nga fshati Glloboqicë i Komunës së Kaçanikut, tregon se mullaga hyn në grupin e bimëve mjekësore aromatike. Në parcelën, të cilën e kam të mbjellë me këtë bimë, një pjesë të saj e shfrytëzoj për eksperimente të doktoraturës, kurse pjesën tjetër për qëllime komerciale. Ai tregon se për kultivimin e sipërfaqes prej 10 ari me mullagë, ka të angazhuar disa punëtorë, pasi që sipas tij duhet angazhim i madh për këtë kulturë bujqësore. “Mullaga është një bimë me profitabilitet të lartë dhe konsiderohet si bimë familjare ku mund të kyçen nxënësit, studentët, gratë dhe pensionistët në vjelje”, tha Luma.

Sipas tij, për ta tharë mullagën duhen kushte specifike, pasi që duhet të jenë edhe temperaturat e larta për tharje. “Është e domosdoshme që fermeri të ketë serrë ose tharëse ngase menjëherë pas vjeljes lulet duhet të thahen në temperatura 40-50 grade celsius. E gjatë periudhës korrik -gusht mjafton serra, ndërsa në shtator patjetër duhet tharëse ngase kushtet klimatike nuk janë në favor të tharjes së luleve në serrë të mullagës”, thekson Lumi, i cili është duke doktoruar për Bujqësi në Tiranë.

Mullaga sipas tij, konsiderohet si kulturë që ia vlen të kultivohet nga fermerët që nuk kanë tokë të mjaftueshme, ngase ka një profitabilitet të lartë ekonomik. “Në 10 ari mund të merret rendiment deri 200-300 kg lule të thata ku një kilogramë i lules së tharë sillet prej 10 euro”, tha ai.


Ndërkaq, Halit Avdija, pronar i kompanisë “Agroproduct”, në fshatin Syne të Komunës së Istogut, i cili merret me grumbullimin e bimëve aromatike mjekuese, tregon se kanë rritur sasinë e eksporteve, por krahas kësaj është rritur edhe numri i fermerëve që kultivojnë bimët aromatike mjekuese. “Ne si kompani kemi nënshkruar kontrata me mbi 280 fermerë në fillim të vitit për grumbullimin e bimëve aromatike mjekuese”, tha ai. Avdijaj tregon se viteve të fundit është shtuar numri i fermerëve që kultivojnë këtë lloj të bimëve. “Po është rritur dukshëm numri i fermerëve të cilët kultivojnë bimë të ndryshme mjekuese.

Aktualisht janë 280 fermerë që kultivojnë këto bimë”, thekson ai.

Pronari i Kompanisë “Agroproduct”, Halit Avdija thotë se bimët aromatike mjekuese kosovare i eksportojnë në Gjermani, Zvicër dhe Austri derisa janë duke i shikuar mundësitë edhe për eksportimin e produkteve të tyre ne shtete të tjera të botës.

Ndryshe, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), edhe sivjet, ashtu si edhe viteve të kaluara, do t’i mbështes përmes granteve investive kultivuesit e bimëve mjekuese.

Kosova vlerësohet se zonat malore i ka tejet të pasura me bimë jodrusore dhe fruta të malit dhe se grumbulluesit e tyre në nivelin qendror i kanë tregjet e siguruara në vendet evropiane dhe nuk kanë probleme me shitjen e tyre. /FermaIme/Telegrafi/