LAJMI I FUNDIT:

Lëvrimi ka rendësi të madhe për vreshtat

Lëvrimi ka rendësi të madhe për vreshtat

Tashmë po përfundon sezoni i vjeljes së rrushit dhe vreshtarët duhet të përgatiten për lëvrimin vjeshtor të vreshtave. Ekspertët i këshillojnë vreshtarët se si duhet lëvruar vreshtat, para se bora të zbardhë tokën. Sipas tyre, punimet e vjeshtës kanë rol të rëndësishëm në zhvillimin e hardhisë së rrushit. Menjëherë pas vjeljes punën kryesore që vreshtarët duhet ta bëjnë është lëvrimi, i cili duhet të bëhet në kushte të përshtatshme klimatike, gjegjësisht kur nuk ka shi në tokë.

Eksperti, Shyqeri Salihu thotë se lëvrimi i vreshtave duhet të bëhet në një thellësi që përfshinë perimetrat nga 25 deri në 30 centimetra. “Vreshtarët tanë duhet të kenë parasysh se lëvrimi duhet të bëhet gjithmonë tërthor pjerrësisë së kodrës, në këtë rast po flas për vreshtat që janë të ndërtuara nëpër bregore. Dihet se bregoret janë vend shumë i përshtatshëm për kultivimin e hardhisë prandaj lëvrimi duhet të bëhet në trajtë kurrizesh sipas horizontaleve”, thekson Salihu.

Ai shpjegon se si duhet të lihet dheu, të mbulohet hardhia me të apo jo. Ai tregon se është shumë e rëndësishme të dihet edhe zona se ku është e ndërtuar vreshta meqë temperaturat luajnë rol të rëndësishëm. “Ne duhet të dimë së pari se në çfarë zona i kemi të shtrirë vreshtat. P.sh., në zonat ku temperaturat janë më të larta vreshtat mund të lëvrohen në atë mënyrë që dheu të mos i mbulojë rrënjët e hardhisë. Por, nëse temperaturat shkojnë nën minus dhe në ato zona kemi ngrica, atëherë lëvrimi duhet të bëhet në atë mënyrë që kanali të krijohet në mes të rendit, ndërsa dheu i mbulon rrënjët e hardhisë dhe i mbanë ngrohtë gjatë stinës së dimrit dhe si rezultat pengon depërtimin e ngricave në cung të hardhisë”, tha Salihu.

Në anën tjetër, faktor tejet i rëndësishëm është edhe plehërimi i vreshtave gjatë lëvrimit të tyre.


Vreshtari Alush Selimaj, thotë se nuk e ka praktikuar edhe shumë plehërimin në vjeshtë. “Gjatë vjeshtës unë e kam lëvruar por nuk e kam plehëruar me pleh artificial. Më shumë plehun e kam praktikuar në fillim të pranverës dhe atë pleh të kafshëve. Por plehun artificial nuk e kam praktikuar shumë në vreshta”, thekson Selimaj.

Por, eksperti Shyqeri Salihu thotë se plehërimi i vreshtave në vjeshtë e forcon hardhinë më tepër. Ai thekson se vreshtat që prodhojnë duhet të plehërohen së paku një herë në tre vjet me 400-500 kg/ha plehra organike. “Plehërimi i ndihmon forcimit të hardhisë dhe në pranverë ajo hardhi është shumë më e fortë, meqë ajo absorbon të gjitha elementet që i duhen për ushqim, duke përfshirë azot, hekur, kalcium dhe shumë elemente të tjera. Plehu organik hidhet në vjeshtë në brazda të thella 25-30 cm por duhet të kemi kujdes që ai të hidhet deri në 50 cm larg rendit të hardhive”, sugjeron Salihu vreshtarët.

Ndryshe, sipas ekspertëve plehërimi arrin efektet më të mëdha nëse ai hidhet kur toka ka lagështi, gjegjësisht në kohë me shi ose nëse ato zona janë nën sistemin e ujitjes. /FermaIme/Telegrafi/