LAJMI I FUNDIT:

Durrës-Kukës, tuneli i Kalimashit, kalim me pagesë pas rihapjes

Durrës-Kukës, tuneli i Kalimashit, kalim me pagesë pas rihapjes

Tuneli i Kalimashit do të jetë me pagesë pas rihapjes. Do të jetë kompania menaxhuese turke "Savronik" që do të mbledhë paratë për automjetet që do të qarkullojnë përmes tunelit, si dhe në autostradën Morin-Kukës-Milot. "Me rihapjen e tunelit do të fillojë edhe aplikimi i pagesave dhe për këtë do të bëhet instalimi i trarëve elektronikë", thotë për "Shekulli"-n njëri prej operatorëve të kompanisë menaxhuese. Sipas operatorit, trarët kanë ardhur, por ende nuk janë instaluar.

Ky proces së bashku me informatizimin e të gjithë kontrollit të tunelit do të kryhet gjatë periudhës që tuneli vazhdon të qëndrojë i mbyllur, ku krahas punëve ndërtimore do të realizohen edhe punimet elektronike, si vendosja e kamerave të kontrollit dhe instalimi i pajisjeve elektromekanike.

Tarifat e pagesave për kalimin e automjeteve në tunelin e Kalimashit janë përcaktuar paraprakisht. Ato do të jenë 200 lekë për veturat, 500 lekë për furgonët dhe 1000 lekë për autobusët dhe kamionët.

Ndërkohë që sistemi i pagesës do të jetë tërësisht elektronik, i ngjashëm me sistemin e pagesave për parkimin e automjeteve në aeroportin e Rinasit, ku çdo pagesë do të jetë e kontrolluar nga sistemi, kur në momentin ku do të dalë vlera e printuar e pagesës, do të bëhet e mundur hapja e traut.


Qeveria shqiptare ka lidhur një kontratë dyvjeçare me kompaninë turke "Savronik" për menaxhimin e tunelit të Kalimashit.

Në dispozicion të kësaj kompanie është akorduar një vlerë prej 3 miliardë lekësh që do të përdoret për një periudhë 2-vjeçare për menaxhimin e plotë të tunelit të Kalimashit. Ndërkohë, kompania ndërtuese "Bechtel&Enka" që nga mbrëmja e 11 tetorit vazhdon punën përgjatë 24 orëve në të dy tubat e tunelit.

Në tunelin përmes të cilit është qarkulluar para 11 tetorit po vazhdon përforcimi i strukturave me shufra çeliku dhe më pas me betonimin e sipërfaqeve anësore në gjatësinë prej rreth 1 kilometër në mesin e tunelit. Kompania "Bechtel&Enka" ka deklaruar muajin maj të vitit të ardhshëm si afatin e fundit për përfundimin e të gjitha punimeve në të dyja galeritë e tunelit të Kalimashit.

Fuoristradat, 1500 lekë për të kaluar "mbi" tunel

Mbyllja e tunelit të Kalimashit ka bërë që të gjithë udhëtarët nga Kukësi, Hasi e Kosova të drejtohen nga rruga e ashtuquajtur e vjetër, pikërisht në segmentin Morinë-Kukës-Fushë-Arrës-Pukë-Bushat-Lezhë-Tiranë apo Morinë-Kukës-Fushë-Arrës-Shpal-Rrëshen.

Por mbyllja e tunelit ka stimuluar biznesin e automjeteve tip "fuoristrada" të cilat qarkullojnë në rrugë të vështira.

Pronarë të këtyre automjeteve janë vënë në dispozicion të udhëtarëve që dëshirojnë të qarkullojnë nga Kalimashi në Thirrë përmes një rruge malore që lidh dy grykat e tunelit. Kjo rrugë është e gjatë rreth 15 kilometra dhe shtrihet deri në lartësitë mbi 1000 metër mbi nivelin e detit. Rruga është përdorur më parë për transport të lëndës drusore dhe me fillimin e punimeve në tunel është riparuar nga "Bechtel&Enka" dhe është përdorur nga personeli i kësaj kompanie për t’u lidhur me të dy anët e tunelit, kur kjo vepër nuk kishte përfunduar së shpuari nga të dy anët. Kundrejt një pagese prej 1500 lekësh, pronarët e fuoristradave u shërbejnë udhëtarëve nga Kalimashi në Thirrë dhe anasjelltas.

Por kjo rrugë paraqet plot rreziqe në qarkullim për shkak se ajo shtrihet në një terren malor dhe me një pjerrësi të madhe. Ndaj policia ka marrë urdhër që të mos lejohet qarkullimin përgjatë këtij segmenti. Por drejtuesit e këtyre mjeteve i kanë bërë sfidë policisë, ku nuk janë penguar nga askush që të qarkullojnë.