LAJMI I FUNDIT:

Berisha përuron autostradën Lushnje-Fier

Berisha përuron autostradën Lushnje-Fier

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e përfundimit të autostradës Lushnjë-Fier. Kjo autostradë, ka një gjatësi 21.5 km dhe për ndërtimin e saj është shpenzuar rreth 20 milionë euro

Autostradë është realizuar nga firma e ndërtimit Maltauro & Delma. Në këtë projekt, krahas autostradës me katër korsi, janë përfshirë dhe ndërtimi i lidhjeve midis rrethrrotullimit të Lushnjes dhe kilometrit zero të aksit te ri Lushnjë-Fier, ndërtimi i tre mbikalimeve për automjetet, si dhe ndërtimi i pesë mbikalimeve për këmbësorët, të cilat janë realizuar në pjesën e parë nga rrethrrotullimi i Lushnjës deri në rrethrrotullimin e Kolonjës.

Në ceremoninë e inaugurimit merrnin pjesë Ambasadori i Italisë në Tiranë, Saba D’Elia, Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, deputetë të zonës, përfaqësues të pushtetit vendor, përfaqësues të kompanisë ndërtuese Maltauro & Delma, etj.

Kryeministri Berisha vlerësoi standardin e ndërtimit të kësaj autostrade, duke theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka ajo në lidhjen e dy epiqendrave të Myzeqesë, Lushnjes dhe Fierit dhe në zhvillimin e tyre.


“Lushnja bëhet i vetmi qytet me hyrje dhe dalje autostradë me katër korsi dhe ajo e meriton plotësisht atë. Lushnja është djepi i pluralizmit, është një nga epiqendrat kryesore të zhvillimit të vendit”, u shpreh Kryeministri.