LAJMI I FUNDIT:

Sydow: Presim zgjedhje të mira në të gjitha aspektet

Sydow: Presim zgjedhje të mira në të gjitha aspektet

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi u takua të hënën me Bjorn Von Sydow, raportues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërkaq ky i fundit tha se shpreson për organizimin e mirë të zgjedhjeve në të gjitha aspektet dhe me përfundimin e tyre të fillojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi theksoi se në takimin me Sydow ka biseduar për situatën e krijuar në Kosovë pas dorëheqjes së presidentit dhe mocionit të mosbesimit për Qeverinë dhe për mundësinë që në Komisionet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në të ardhmen, sa herë që do të bisedohet çështja e Kosovës në komisionet e kësaj Asambleje, të jenë edhe përfaqësuesit e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Raportuesi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bjorn Von Sydow, theksoi se me Krasniqin ka pasur takime edhe më herët, por tash tha se do të jetë më mirë, pasi do të ketë mundësi për një përfaqësim apo pjesëmarrje më të rregullt të Kuvendit të Kosovës në takimet e Komisioneve Parlamentare të Asamblesë së Këshillit të Evropës, sa herë që në Këshillin e Evropës dhe në Komisionet e tij, kur diskutohen çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën.

“Vizita ime këtu është e lidhur me zgjedhjet e përgjithshme që mbahen së shpejti…Të mos ketë prishje, as me para as me ndonjë formë tjetër, të këtyre zgjedhjeve ditën që do të mbahen ato. Që të ketë një proces të mirë, në të gjitha aspektet e votimit–me votimet listat e votuesve, numërimi i votave e kështu me radhë… Kur të gjitha këto të përfundojnë, kur të kemi një kryetar të Kosovës, një kryeministër, shpresojmë se do të mund të fillojë dialogu i institucionalizuar mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Sydow.


Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së presidentit i pyetur rreth rastit të Rahovecit tha se në përgjithësi mund të thuhet se edhe në rastin e Rahovecit ka pasur parregullsi, por vërtet kanë qenë minore dhe nuk do të duhej t’i zmadhoheshin.

Ai tha se pret që partitë politike në Kosovë që e kanë përgjegjësinë kryesore për organizimin dhe mirëmbajtjen e zgjedhjeve e dinë rëndësinë e këtyre zgjedhjeve dhe po ashtu konsideroi se Komisioni Qendror Zgjedhor i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura teknike.

“…Në anën tjetër, në këto zgjedhje të 12 dhjetorit do të kemi edhe vëzhgues ndërkombëtarë, presim që të ketë vëzhgues me numër të shtuar edhe të ‘Demokracisë në Veprim’, ndoshta ‘Demokracia në Veprim’ do ta nxjerrë një mësim të duhur nga zgjedhjet e Rahovecit për të qenë më e organizuar dhe më e konsoliduar edhe në këto zgjedhje”, tha Krasniqi. /Telegrafi/