LAJMI I FUNDIT:
Gjilani 1° cloudy

Komuna e Gjilanit inaguron çerdhen në fshatin Dobërqan – 60 fëmijë me hapësirë të re për mësim dhe zhvillim

Komuna e Gjilanit inaguron çerdhen në fshatin Dobërqan – 60 fëmijë  me hapësirë të re për mësim dhe zhvillim

Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit ka inauguruar sot çerdhen në fshatin Dobërqan, një institucion parashkollor që do të ofrojë shërbime për 60 fëmijë.

Në ceremoninë e përurimit, kryetari i komunës, Alban Hyseni, shprehu kënaqësinë për realizimin e këtij projekti, duke nënvizuar rëndësinë e institucioneve parashkollore në zhvillimin e fëmijëve.

“Jam shumë i lumtur që, ashtu siç kemi vendosur gurthemelin, sot jemi mbledhur për të inauguruar këtë çerdhe,” tha Hyseni.


Ai shtoi se edukimi i hershëm është vendimtar për nisjen dhe zhvillimin e duhur të fëmijëve.

Kryetari Hyseni theksoi se kjo është çerdhja e dytë e inauguruar në komunë, pas asaj në fshatin Zhegër, ndërsa ky institucion i ri është gati për të nisur punën.

Ai gjithashtu paralajmëroi përurimin e dy çerdheve të tjera parashkollore në të ardhmen si pjesë e prioriteteve të komunës.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e pranishme në ngjarje, vlerësoi çerdhen si një institucion me standarde të larta dhe të pajisur plotësisht për zhvillimin e procesit edukativ.

Ajo uroi fillim të mbarë për fëmijët dhe rikujtoi rëndësinë e edukimit të hershëm për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë. /Telegrafi/