LAJMI I FUNDIT:

Maqedoni, paralajmërohen protesta nëse nuk rriten pagat në administratë

Maqedoni, paralajmërohen protesta nëse nuk rriten pagat në administratë

Gjashtë Ministri dhe dy institucione shtetërore nesër nisin protestat e paralajmëruara për shkak të mosnënshkrimit të marrëveshjeve të reja kolektive për rritje të pagave për 30%. Punonjësit do të protestojnë 30 minuta, kurse vendet e protestës do të ndryshojnë çdo ditë.

Pas grevës së punonjësve të Prokurorisë Shtetërore, nga nesër rreth 3.500 punonjës të Entit Shtetëror për Statistika, Ministrisë së Kulturës, Ambientit Jetësor, Çështjeve Evropiane, Transformimit Digjital, Transportit dhe Lidhjeve dhe Ekonomisë dhe Punës, do të dalin në protesta 30-minutëshe me kërkesa për rritjen e pagave për 30% dhe nënshkrimit të marrëveshjes kolektive.

“Nuk është numri i madh I punëtorëve që kërkojmë këto të drejta. Kërkesat nuk janë nga dje. Qeveria ka njohuri dhe kemi mbështetje nga Ministritë. Të gjitha Ministritë para miratimit të Buxhetit dërguan draft-marrëveshje kolektive në Ministrinë e Financave dhe mendoj se mund të gjendjen mënyra se si të dëgjohen kërkesat tona për 30% që kërkojmë me vite të tëra.”


Qeveria ka shprehur shqetësime, nëse protesta është politikisht e motivuar, për shkak se, sic thonë, sindikalistët menjëherë paralajmëruan grevën pa u shterrur mekanizmat tjerë.

Por, nga Sindikatat thonë se nuk bëhet fjalë për grevë, por për protestë. Të punësuarit do të protestojnë vetëm gjysmë orë, kurse pjesën tjetër të ditës do të kryejnë detyrat e tyre të punës.

Ndryshe, kohë më parë, me pajtim të Ministrisë së Financave, për realizimin e marrëveshjeve kolektive, paga më të larta për 30% fituan Shërbimi për punë të përgjithshme të Qeverisë, Sekretariati i Përgjithshëm, një pjesë e shëndetësisë, arsimit dhe financave.