LAJMI I FUNDIT:

Çfarë na bën ajri i ndotur?

Çfarë na bën ajri i ndotur?

“Një minutë i makinës së ndezur mbush 150 tullumbace me gazra të dëmshme”.

Ky është vetëm njëri prej mbishkrimeve në tabelat e vendosura ditëve të fundit në Prishtinë, me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve që t’i braktisin makinat dhe të ecin në këmbë.

Këto tabela janë një tjetër rikujtim për qytetarët e Kosovës se në çfarë ajri jetojnë. Çdo vit në sezonin e dimrit, atyre u shtohet edhe ky hall: çfarë ajri po thithin?


Ndotja e ajrit përbën ndër kërcënimet kryesore për shëndetin e njeriut, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë [OBSH]. Sipas saj, 99 për qind e popullsisë botërore, jeton në zona ku nuk përmbushen standardet për kualitet të ajrit, shkruan Evropa e Lirë.

Grimcat PM 2.5 që përhapen në ajër kanë ndikimin më të keq në shëndetin e njeriut.

Grimcat [PM 2.5 dhe 10] janë shumë të imëta, dhe për shkak të peshës së vogël qëndrojnë lehtë në ajër, prandaj depozitohen lehtë në organizmin e njeriut përmes ajrit të thithur.

Sipas të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës – përgjegjës për monitorim të cilësisë së ajrit – më 2024 janë regjistruar 32 ditë me ndotje të ajrit mbi standardin e përcaktuar nga Agjencia Evropiane e Mjedisit – pra 32 ditë kur grimcat e ajrit PM 10 kanë qenë mbi nivelet e lejuara, në krahasim me 120 ditë më 2010.

“Standardi i lejon vetëm 35 ditë. Ne e kemi ulur ndotjen, por kurrsesi nuk jemi të kënaqur që të kemi tejkalime. Qoftë edhe nëse një ditë, një orë, kemi tejkalim të standardit, për neve është e papranueshme”, ka thënë Shkumbin Shala, specialist i cilësisë së ajrit në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, periudha më kritike e ndotjes së ajrit në Kosovë është prej nëntorit deri në shkurt.

Prishtina sot në vendin e katërt me ajrin më të ndotur në botë
Lexo po ashtu Prishtina sot në vendin e katërt me ajrin më të ndotur në botë

Kush janë ndotësit më të mëdhenj të ajrit?

Blloqet në termocentralin ekzistues të Kosovës A, kompanitë e mëdha sikurse Feronikeli, mbetjet e gjigantit metalurgjik Trepça, sektori i mbeturinave, sektori i transportit, ekonomitë familjare, mungesa e gjelbërimit dhe sektori i ndërtimtarisë në zonat urbane, konsiderohen shkaktarët më të mëdhenj të ndotjes, sipas Shalës.

Sipas një raporti të Bankës Botërore të vitit 2019, kosovarët dhe popujt që jetojnë në Ballkan dhe Evropën Lindore, thithin më shumë grimca toksike sesa fqinjët në Evropën Perëndimore, dhe kjo edhe për shkak të më pak politikave për reduktim të ndotjes së ajrit dhe ngrohjes dhe gatimit duke përdorur lëndë djegëse të ngurta [shporete me dru dhe qymyr].

Ngjashëm edhe në raportin e vitit 2024 të OBSH-së – për ndotësit e ajrit brenda ambienteve shtëpiake në Kosovë – përmendet se ndër burimet kryesore të ngrohjes për ekonomitë familjare në Kosovë është stufa me dru, si kërcënim real për shëndetin e njeriut, përfshirë edhe tymosjen e cigares në ambiente të brendshme.

Institucionet shëndetësore në botë vlerësojnë se ajri i ndotur shkakton probleme në sistemin e frymëmarrjes, kancer në mushkëri, bronkit, astmë, sëmundje kronike të mushkërive, probleme në sistemin kardiovaskular, probleme neurologjike, ndikon në zhvillimin e trurit të fëmijëve, në sistemin riprodhues, dhe në probleme me lëkurën.

Personat e moshuar, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe të varfrit si kategori sociale, thuhet se e vuajnë më së rëndi ajrin e keq të një vendi.

Vdekjet e parakohshme

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) i ka thënë Radios Evropa e Lirë se 1.150 vdekje në vit i atribuohen cilësisë së keqe të ajrit, çka paraqet 12.1 për qind të vdekshmërisë totale nga të gjitha shkaqet natyrore.

Instituti ka thënë se këto të dhëna i mbështet në studimin e kryer nga projekti Millenium Challenge Cooperation në periudhën 2017-2019 në Kosovë.

Institucione tjera kanë të dhëna tjera.

Sipas raportit të Bankës Botërore, rreth 760 njerëz vdesin para kohe çdo vit në Kosovë për shkak të ekspozimit në ajër të ndotur.

Sipas Agjencisë Evropiane për Mjedis, numri i vdekjeve të parakohshme nga ekspozimi në nivele të dëmshme të grimcave PM 2.5 është ulur nga 3.888 në 2005, në 2.608 më 2021.

Më keq se Kosova, në nivel rajonal, janë Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Shkumbin Shala ia ka atribuuar këtë ulje adoptimit të praktikave të mira prej vendeve që veçse e kanë tejkaluar këtë fazë të ndotjes së ajrit.

Ai ka përmendur investimin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) më 2013 për mbulimin e deponisë së hirit, shtrirjen e ngrohtores përmes KEK-ut në Prishtinë, si dhe vetëdijesimin e një pjesë të qytetarëve për dëmet e djegies së thëngjillit apo druve.

“Në vjetët e fundit kjo ulje nuk vërehet në masë të rënies drastike, siç ka ndodhur në të kaluarën, pasi investimet e mëdha janë bërë, tani na duhen investime të vogla, me korrigjime në zonat urbane, te pjesa e ndërtimit, te pjesa e bizneseve. Ndoshta komuna mund ta menaxhojë më mirë që disa biznese si, restorante, autolarje e servisime që nuk janë të nevojshme në qendër të qytetit, të largohen në periferi”.

Shala rekomandon se për përmirësim të mëtejmë të situatës, duhet të shtyhet përpara përdorimi i energjisë së rinovueshme, të përmirësohet sistemi i transportit publik, të ketë kontroll të emetimeve industriale dhe të ketë fushata ndërgjegjësimi për mbështetje të politikave mjedisore.

Çfarë mund të bëjë gjithsecili?

Autoritetet sugjerojnë se në ditët kur ajri është i cilësisë së dobët, nuk rekomandohet të dilni të ambiente të hapura, nëse nuk është e domosdoshme, apo të përdorni maskat e tipit N95.

Por, ajo që mund të bëni për ruajtje të ambientit përfshin mosdjegien e druve, qymyrit apo peletit, të reduktoni harxhimin e rrymës, të shmangni makinën dhe të ecni apo të përdorni biçikletën.

Në trend Lajme

Më shumë
Detaje se si vdiq 36-vjeçari në QKMF-në në Podujevë

Detaje se si vdiq 36-vjeçari në QKMF-në në Podujevë

Lajme
Çka është dialogu strategjik për të cilin angazhohet SHBA-ja?

Çka është dialogu strategjik për të cilin angazhohet SHBA-ja?

Lajme
Telefonata e vajzës që alarmoi Tiranën, zbulohet çfarë gjeti policia në apartamentin në Astir

Telefonata e vajzës që alarmoi Tiranën, zbulohet çfarë gjeti policia në apartamentin në Astir

Lajme
Qeveria aprovon rritjen e pensioneve për invalidët, veteranët dhe pjesëtarët e UÇK-së

Qeveria aprovon rritjen e pensioneve për invalidët, veteranët dhe pjesëtarët e UÇK-së

Lajme
​Kush u intervistua në zyrën e kryeministrit, Haxhiu: Insistoni për përgjigje tek Blerim Isufaj

​Kush u intervistua në zyrën e kryeministrit, Haxhiu: Insistoni për përgjigje tek Blerim Isufaj

Lajme
Akuzat e Berishës ndaj Majkos, reagon SPAK

Akuzat e Berishës ndaj Majkos, reagon SPAK

Lajme
Kalo në kategori