LAJMI I FUNDIT:

Epoka e re e gënjeshtrave

Epoka e re e gënjeshtrave
Mark Zuckerberg po përqafon qasjen e Elon Muskut në “X” (foto: Algi Febri Sugita/Zuma Press Wire/Rex/Shutterstock)

Nga: Chris Stokel-Walker / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Media sociale gjithmonë ka vepruar si një pasqyrë e shtrembëruar e shoqërisë. Algoritmet dhe amplifikimi i vazhdueshëm në internet kanë ndihmuar në theksimin e aspekteve më të këqija të jetës sonë, ndërsa fshehin dhe zhdukin ato më të mirat. Kjo është, pjesërisht, arsyeja pse jemi kaq të polarizuar sot, me dy grupe që bërtasin kundër njëri-tjetrit në mediat sociale dhe përballë një hendeku të madh dëshpërimi.

Kjo është arsyeja pse një deklaratë, këtë javë, nga një prej titanëve të teknologjisë së madhe është kaq shqetësuese. Humbeni shpresën, të gjithë ju që hyni këtu: më pak se dy javë përpara se Donald Trumpi të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë si president i SHBA-së, Meta, kompania e Facebook-ut, WhatsApp-it, Instagram-it dhe Threads-it, ka bërë ndryshime të mëdha në moderimin e përmbajtjes dhe, kësisoj, duket se po përshtatet me pikëpamjet e presidentit të ardhshëm.


Po ashtu nga Chris Stokel-Walker:
Gjigantët e teknologjisë synojnë të marrin të gjitha të dhënat tona
Arsyet se pse ChatGPT-ja nuk duhet të jetë pjesë e “xhepave” tanë
Arrestimi i Pavel Durovit të Telegram-it është veprim i duhur

Në një video-mesazh të çuditshëm të postuar në faqen e tij personale në Facebook, të martën, CEO i Meta-s, Mark Zuckerberg, njoftoi se platforma po heq kontrolluesit e fakteve. Në vend të tyre? Sundimi i turmës.

Zuckerbergu deklaroi se platforma, e cila ka më shumë se tre miliardë përdorues në të gjithë botën – që hyjnë çdo ditë në aplikacionet e saj – do të adoptojë një format në stilin e Elon Muskut për “shënimet e komunitetit” për të përcaktuar se çfarë është dhe çfarë nuk është e pranueshme në platformat e tij. Duke filluar nga ShBA-ja, kompania do të zhvendosë në mënyrë dramatike dritaren e Overtonit drejt atyre që bërtasin më shumë.

CEO i Meta-s pothuajse e pranoi se ky hap ishte i motivuar politikisht. “Është koha të kthehemi te rrënjët tona për lirinë e shprehjes”, tha ai, duke pranuar se “kufizimet mbi tema si imigracioni dhe gjinia […] janë të shkëputura nga diskursi kryesor”. Ai pranoi gabimet e kaluara të “censurës” – me shumë gjasa duke iu referuar katër viteve të fundit të frenimit të fjalimeve politike gjatë presidencës së një presidenti demokrat – dhe shtoi se do të “punojë me presidentin Trump për të kundërshtuar qeveritë e huaja që shënjestrojnë kompanitë amerikane për të censuruar më shumë”.

Komenti më provokues ishte një deklaratë se Meta do të zhvendosë atë që ka mbetur nga ekipet e saj të besueshmërisë dhe të sigurisë, si dhe të moderimit të përmbajtjes, nga Kalifornia liberale në Teksasin që mbështet fuqishëm republikanët. Gjithçka që mungonte në video ishte që Zuckerberg të mbante një kapelë “MAGA” dhe një armë.

Të jemi të qartë: të gjithë biznesmenët bëjnë lëvizje të zgjuara për t’u përshtatur me klimën politike. Dhe, pak stuhi janë më të ashpra sesa Uragani Trump që po i afrohet ShBA-së. Por, vendimet e pak njerëzve kanë më shumë rëndësi sesa ato të Mark Zuckerbergut.

CEO i Meta-s ka qenë, gjatë 21 viteve të fundit, një pjesë qendrore e shoqërisë sonë. Fillimisht, ai drejtonte një faqe interneti të përdorur nga studentët e kolegjeve. Sot, ajo faqe përdoret nga miliarda njerëz nga të gjitha shtresat shoqërore. Ajo që në fillim të viteve 2000 ishte një përpjekje argëtuese në internet, tani është shndërruar – për të përdorur fjalët e Elon Muskut – në një shesh publik. Atje ku shkon Meta, e ndjek bota – si brenda ashtu edhe jashtë internetit. Dhe, Meta sapo ka vendosur të marrë një kthesë drastike dhe dramatike djathtas.

Mos më besoni mua. Besojuni vëzhguesve. “Njoftimi i Meta-s sot është një tërheqje nga çdo qasje e arsyeshme dhe e sigurt ndaj moderimit të përmbajtjes”, tha në një deklaratë Bordi i Mbikëqyrjes së Facebook-ut të Vërtetë, një arbitër i pavarur dhe i vetëemëruar i lëvizjeve të Meta-s.

Arsyeja pse ata e thonë këtë është se, nëse ka një gjë që kemi mësuar nga polarizimi i mediave sociale gjatë dekadës së fundit, është se ata që janë më të zemëruar shpesh fitojnë debatet. Indinjata dhe gënjeshtrat kanë aftësinë të përhapen me shpejtësi në media sociale dhe janë mbajtur pjesërisht nën kontroll vetëm falë ndërhyrjeve të platformave kur situatat dilnin jashtë kontrollit. (Vetëm katër vite më parë, Meta pezulloi Donald Trumpin nga Facebook-u dhe Instagram-i për dy vjet, pas nxitjes së dhunës që tronditi Kapitolin më 6 janar 2021.)

Rrjetet sociale gjithmonë janë përballur me sfida në moderimin e përmbajtjes në platformat e tyre. E vetmja gjë e sigurt, pavarësisht vendimeve të marra, është se ato gjithmonë arrijnë të zemërojnë gjysmën e popullsisë. Për më tepër, këto platforma nuk i kanë ndihmuar vetes me mungesën kronike të investimeve, duke preferuar rritjen e biznesit me çdo kusht. Prej kohësh, ato kanë deklaruar se moderimi efektiv është një problem i pazgjidhshëm, por është një problem që vetë e kanë krijuar përmes ndjekjes së papenguar të përshkallëzimit.

Sigurisht, monitorimi i diskursit në internet është i vështirë. Po ashtu, edhe moderimi efektiv i përmbajtjes në shkallën që kompanitë si Meta përpiqen të operojnë nuk ka qenë funksional. Por, zgjidhja nuk është heqja dorë nga ky proces dhe zëvendësimi i tij me “shënime të komunitetit”. Pretendimi se kjo qasje është një mjet racional dhe i bazuar në prova fsheh realitetin: është një veprim i motivuar politikisht, i përshtatshëm për një udhëheqës që këtë javë pa largimin e Nick Cleggut, një centrist i vetëquajtur “radikal”, nga roli i tij si shef global i politikave, në favor të një drejtuesi me prirje republikane. Gjithashtu, Zuckerbergu emëroi Dana Whitein, CEO-n e Ultimate Fighting Championship dhe një aleat të ngushtë të Trumpit, në bordin drejtues të Meta-s.

Në shumë mënyra, nuk mund ta fajësojmë Zuckerbergun që po i nënshtrohet Donald Trumpit. Problemi qëndron te pasojat e mëdha që sjell ky vendim.

Ky moment përfaqëson një zhdukje të idesë së “të vërtetës objektive” në media sociale – një koncept që tashmë ishte në një situatë kritike, por që mbahej gjallë pjesërisht falë gatishmërisë së Meta-s për të financuar organizata të pavarura faktkontrolluese. Këto organizata ndihmonin në ruajtjen e një elementi të vërtetësisë të lirë nga anshmëria politike. Por, tani gjithçka është përmbysur: nata është ditë, lart është poshtë, Meta është X, dhe Mark Zuckerberg është Elon Musk. Përgatituni për katër vite të trazuara, plot helm dhe mungesë faktesh në botën e interneti. /Telegrafi/