LAJMI I FUNDIT:

DFC, Fondi shtetëror amerikan për zhvillim, investon në Gjirafa

DFC, Fondi shtetëror amerikan për zhvillim, investon në Gjirafa

Gjirafa, kompania më inovative në fushën e teknologjisë dhe e-commerce në rajon, ka zyrtarizuar një investim të rëndësishëm prej 5 milionë dollarësh nga U.S. International Development Finance Corporation (DFC). Ky investim është pjesë e raundit të ardhshëm të financimit të Seria C dhe përfaqëson një hap të madh drejt avancimit të ekonomisë së internetit në Ballkanin Perëndimor, duke vendosur bazat për zgjerim rajonal të Gjirafës.

Një Partneritet që shënon histori

Ceremonia e lansimit të këtij partneriteti u mbajt në ambientet e Gjirafës, ku morën pjesë personalitete të rëndësishme si Erin Elizabeth McKee, Ndihmës Administratore në Byronë për Evropë dhe Euroazi të USAID, Jeffrey M. Hovenier, Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, dhe Larry Sack, Drejtor për Zhvillim në DFC, përmes një video mesazhi. Në këtë ngjarje morën pjesë edhe James M. Hope, Zëvendës Ndihmës Administrator i Lartë në USAID, Eileen Devitt, Drejtoreshë e Misionit të USAID në Kosovë, Mergim Cahani, Themeluesi dhe CEO i Gjirafës, si dhe përfaqësues të shumtë nga bizneset dhe mediat.


Ambasadorja McKee e përshkroi investimin si një mundësi të jashtëzakonshme për të integruar Kosovën më tej në ekonominë globale dhe për të forcuar lidhjet e bashkëpunimit rajonal që promovojnë stabilitetin. Ajo theksoi se mbështetja do të ndihmojë në rritjen e bizneseve të vogla duke i integruar ato në një platformë të fuqishme si Gjirafa.

Ambasadori Hovenier vlerësoi rëndësinë e këtij partneriteti, duke nënvizuar se investimi është kritik për zhvillimin e ndërmarrësve në Kosovë dhe për zgjerimin rajonal të Gjirafës. Ai falënderoi z. Cahani dhe ekipin e tij për vizionin dhe punën e palodhur gjatë viteve për të ndërtuar një kompani të suksesshme.

DFC dhe Gjirafa: Partneriteti i parë i këtij lloji në Kosovë

Larry Sacks, Drejtori për Zhvillim në DFC, e cilësoi këtë partneritet si historik, duke vënë në dukje rolin thelbësor që do të luajë në zgjerimin e shërbimeve të Gjirafa në rajon. Ai theksoi se mbështetja financiare nga DFC do të lehtësojë zgjerimin e shërbimeve të e-commerce dhe medias në të gjithë Ballkanin.

Rrugëtimi drejt Serisë C të financimit

Themeluesi dhe CEO i Gjirafës, Mergim Cahani, ndau rrugëtimin dhe sfidat deri në këtë moment, duke reflektuar mbi misionin e kompanisë për të ndërtuar ekonominë e internetit në Evropën Juglindore. Ai deklaroi se ky investim prej 5 milionë dollarësh është pjesë e objektivit për raundin e ardhshëm të investimeve Seria C, duke mundësuar rritje të mëtejshme.

Cahani nënvizoi pritshmëritë për ndikimin afatgjatë të këtij investimi, duke synuar digjitalizimin e mijëra bizneseve në rajon, krijimin e vendeve të reja të punës dhe lehtësimin e transaksioneve ndërkufitare. Ai përshkroi përpjekjet e përbashkëta për të shfrytëzuar potencialin e e-commerce për të nxisur rritjen ekonomike dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në Kosovë dhe më gjerë.