Jo vetëm në një fshat, por edhe në disa vende në Kosovë ka Varre të Krushqve. Janë përmendur ato nëpër letra nga autorë të ndryshëm, por pa thënë diçka më tepër se vetë toponimi. Nga vjen emri? Si ndodhi që ato varre që shihen edhe sot e të quhen Varret e Krushqve?
Gojëdhënat për Varret e Krushqve janë përsëritur me shekuj dhe asnjëherë, askush nuk ka thënë diçka më shumë se që dihet deri më tash.
Thuhet se krushqit kur takoheshin në rrugë ishin aq të egër sa nuk ia lëshonin rrugën njëra palë tjetrës për të kaluar tutje. Shtrohet vetvetiu pyetja: vallë mos të parët tanë ishin aq të egër, apo besonin në besëtytni, pa zgjidhje tjetër për këtë problem. Një studim i thellë, edhe nën dhe, ndoshta do të zgjidhte enigmën që na takon ekskluzivisht neve, pasi ato varreza populli ynë i quan me shekuj me emrin Varret e Krushqve.
Mos vallë nusja i kishte dhënë besën dikujt tjetër dhe ai “trimi” apo cubi u doli krushqve para duke i vrarë të gjithë dhe duke ua grabitur nusen? Nëse “trimi” ishte me disa shokë të armatosur, sa ishin të armatosur krushqit? Nëse vargu i krushqve ka hasur një varg tjetër krushqish, si mund të vriteshin te gjithë mes veti pa menduar për shtegdalje?
Nga prizmi i sotëm lirisht mund të shtrohet pyetja? çfarë misteri i shtynte ata të mos ia lirojnë rrugën njeri tjetrit? Mund të shtrohen edhe dhjetëra pyetje tjera, për të marrë përgjigje sadopak të besueshme.
Derisa shumë zbulime arkeologjike janë bërë nëpër vende të ndryshme të Kosovës, Varrezat e Krushqve nuk i ka prekur askush në asnjë rast; nëse zbulimet arkeologjikë, qofshin ato edhe me vlera të mëdha, mund të kontestohen e madje edhe të dalin synime për përvetësimin e tyre, më sa dihet deri sot askush nuk ka shfaqur synim për përvetësimin e Varreve të Krushqve. Ato varre janë të shënuara me gurë kolosal e mesatar. Mund të thoshte dikush se ato janë të këtyre apo të atyre, por tek ato, së paku deri tash nuk është parë ndonjë simbol. As edhe vetë sllavët që ishin të fundit pushtues në këto treva nuk i kanë prekur, së paku ato varre që dihen ku janë/
Mos ndoshta askush nuk dëshironte të përvetësonte një dukuri të tillë aq të ligë e aq tragjike?
Po të ishin Varret e Krushqve në Vitak të vetmet në tokat shqiptare në Drenicë, do të ishte ky rast shumë më pak misterioz, por Varre të Krushqve ka edhe gjetiu, në disa vendbanime të Kosovës. Pasi Varret e Krushqve në Vitak nuk janë unike (të vetme), atëherë lirisht mund të themi se kjo dukuri tragjike ishte e shprehur brenda popullit tonë dhe, si e tillë, me tërë egërsinë ndodhi jo vetëm një herë.
Nga gojëdhënat dihet se pas një kohe të gjatë duke parë këtë dukuri tragjike, njerëzit tanë kishin menduar ta zgjidhin disi.
Kishin vendosur të zgjedhin nga një “tarak mashkull” që në gojëdhëna quhet “rrotel”. Në çdo dasmë pastaj, kur udhëtonin krushqit për të marrë nusen, me krushk udhëtonte çdo herë edhe rroteli. Nëse krushqit e dy dasmave takoheshin në rrugë dhe duhej patjetër njëra palë t’ia lironte rrugën tjetrës, atëherë dilnin në dyluftim mes tyre dy rrotelat dhe cili fitonte betejën (jo me vrasje, por me mundje) krushqia e tij ia lironin rrugën palës fituese. Jo pak herë edhe rrotelat ishin rrokë aq shumë sa kishin përfunduar me vrasje të njeri-tjetrit. Me kohë ishin hequr edhe rrotelat. As me rrotela nuk ishte zgjidhur konflikti për lejekalim, kështu që, populli kishte menduar ndryshimin e rrugës (thymja e rrugës) gjatë kthimit të krushqve me nuse. Kjo zgjidhje sa duket më shumë kishte dal si rezultat i rrëmbimit të nuses në rrugë. Ishte vendosur që para flamurit të rreshtoheshin dy vëzhgues (avxhinj në turqisht) burra pleq e të mençëm (mushtullkxhinj – mbase edhe kjo është fjalë me origjinë turke). Pas tyre shkonte bajraktari, por kur përmendet bajraku, atëherë shtrohet pyetja kishte apo nuk kishte bajrak asokohe? Me sa duket ndryshimi i gojëdhënave është bërë me kalimin e kohës edhe atyre fjalëve të moçme u janë shtuar ca fjalë e fjali, por edhe objekte që nuk përputhen me legjendën. Bajraku para krushqve përmendet shumë më vonë, përveç nëse është fjala për ndonjë dasmë të ndonjë princi të njohur
Varret e Krushqve nuk i gjejmë në Kanunin e Dukagjinit. Nëse nuk mund të gjenin ndonjë zgjidhje për këtë dukuri tragjike në Kanun, si mund të kishin ndodhur vrasjet e krushqve në rrugë dhe të ishin aq tragjike dhe të mos kishte menduar dikush për një zgjidhje fatlume?
Ka emërtime të vjetra shqip. Ka, siç u thonë më vonë, toponime të vjetra shqip. Është atje Përroi i Djallit (anasit e quajnë “Prroni i Dreqollit”). Është aty ku nuk e pret udhëtari as makinisti në një kthesë të thellë e të gjatë mes mali në rrugën Pejë-Mitrovicë. Prej aty, në anën e poshtme të rrugës, nja treqind hapa tutje, poshtë në luginë, janë Varret e Krushqve! Dhe fare pak njerëz e dinë se Vitaku është emër fshati – toponim me origjinë turke. Si është e mundur që Përroi i Djallit të jetë aq afër me vendin ku janë vrarë krushqit e dy dasmave deri te nuset? A ka lidhje Përroi i Djallit me atë lendinë ku janë varrosur më shumë se njëqind krushq?
Gojëdhënat, më shumë se çdo shënim tjetër, me pak fjalë i kanë mbijetuar kohës. Për Përroin e Djallit dihet vetëm emri dhe atë as pushtuesi sllav nuk e ndryshoi. Pse u caktua vija ndarëse administrative e dy Kazave të Vilajetit të Kosovës pikërisht në Vitak, as për këtë nuk e gjen dot askush një fjalë shpjegimi. Mund të thuhet se u caktua ai vend pikërisht se aty ishin me qindra varre të krushqve dhe populli i njohu dhe i njeh akoma me po këtë emër. Në hartat e pushtuesve nuk dihet me çfarë simboli janë shënuar. Po dihet vetëm se ato varre quhen ashtu dhe asgjë më shumë. Më vonë me shtimin e popullatës në atë trevë, janë hapur varre të reja, por askush nuk është varrosur pranë atyre varreve. Për popullatën, ai vend ishte, është dhe mbetet i shenjtë.
A mund të zbërthehet enigma e Varreve të Krushqve ndonjëherë?
Dihet mirë se secili varr ka qenë i shënuar me gurë, por me asnjë shkronjë apo simbol tjetër. Askush kurrë nuk ka filluar ndonjë hulumtim për të zbërthyer enigmën; atë enigmë që ka dëshmi që preket me dorë, e ato janë me dhjetëra varre. Megjithëse dikur gurët dukeshin që nga Përroi i Djallit, me kalimin e kohës ato varre janë mbuluar me barë e me shkurre dhe sot gati nuk duken fare. Tash gurët kolosal të Varreve të Krushqve që ishin dikur në Vitak, pothuajse nuk shihen edhe nga afër.
Asnjë popull, asnjë pushtues nuk ka pretendua tjetërsimin apo mohimin e këtyre varreve. Për Varret e Krushqve janë thurë tregime me shekuj. Nga ato tregime kemi mësuar për zakonin tonë tragjik. Brezi i ri di më pak për këtë fakt tragjik.
Varret e Krushqve nuk janë legjendë, por fakt. Në tregimin që i ka mbijetuar kohës thuhet se kur krushqit me nuse janë takuar në një rrugë, asnjëra palë nuk ia ka liruar rrugën tjetrit dhe ashtu janë kacafytur dhe vrarë mes veti të gjithë deri në një. Ndryshimi i drejtimit të rrugëtimit të krushqve gjatë kthimit me nuse bëhet akoma, por tashmë edhe ky fakt më nuk zbatohet me çdo kusht. Në shumë dasma më askush nuk flet për këtë dukurinë e moçme që ka marrë shumë jetë.
Serish shtrohet pyetja: çka ka të vërtetë brenda vetës kjo gojëdhënë? Nëse Rozafën e murosën në murin e kështjellës, vëllai i vogël sipas legjendës mbeti besnik (por, tradhtoi të shoqen). Kur shtrohet sot kjo çështje, del se vëllai i vogël ishte vet tradhtari, e jo besniku. Ai nuk i tregoi të shoqes për murosjen që e pret nëse ajo e sjellë dreken! Nëse dy vëllezërit tjerë iu kishin treguar nuseve të tyre që mos ta sjellin dreken, ata kishin mbajtur besën ndaj grave të veta. Kush e më kë kishte lidhur besë? A mundet njeriu ynë të lidhte besë me dy e më shumë palë në të njëjtën kohë? Në rrethanat e reja dy vëllezërit me të moçëm dalin besnik, ndërsa vëllai i vogël që nuk i tregoi nuses, del të jetë tradhtar. Si mund të shpjegohet fjala besë në këtë rast? A mos vallë me kohë ndryshoi edhe kuptimi i fjalës besë? Apo ndoshta Varret e Krushqve fshehin akoma enigmën e vërtetë që nuk e njohim.
Megjithëse jetojmë në shekullin XXI, ndoshta një gjurmim serioz do të mund të zbërthente përfundimisht enigmën, apo ndoshta nuk do të zbulohej kurrë e vërteta. Ndoshta dikush i vrau dasmorët për t’ua rrëmbyer nusen, apo ndoshta nusja ia kishte dhënë besën dikujt tjetër siç na del të kënga e Aga Ymerit?
Më herët, bagëtia ka kullotur pa ndërpre mbi ato varre dhe kështu ato edhe janë mirëmbajtur pa vetëdije të barinjve. Moti, mbi ato varre nuk kullosin bagëtia, pasi fshatarët janë shpërngulur nga fshati dhe askush nga përgjegjësit dhe për mbrojtjen e vendeve të njohura arkeologjike nuk shfaq ndonjë kujdes as interes. Përroi i Djallit është aty, Varret e Krushqve janë aty, edhe fshati që ndante dy kazatë për pesëqind vjet është aty. A e din dikush, pse vija ndarëse e dy kazave u vendos aty? A ndodhi rastësisht apo dikush e kishte studiuar mirë krejt gjeografinë e asaj pjese dhe ashtu vendosi?
Po të ishin shënuar dhe mirëmbajtur si vend i shenjtë, ashtu siç konsiderohej deri tash, Varret e Krushqve do të bëheshin pikë referimi për shumëçka që iu intereson njerëzve të fushës së hulumtimeve arkeologjike.
Varret e Krushqve është dashur të marrin vendin e merituar në hartën arkeologjike dhe të rrethohen e mirëmbahen më shumë e më mirë se varret e zakonshme. Sa për ndonjë hulumtim shkencor do të ishte fort me rëndësi të vërtetohet nëse është e vërtetë apo jo “legjenda” që ruhet akoma.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëKëshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus
Cana thyen heshtjen dhe flet për përballjen Rumani - Kosovë: Dardanët nuk e kanë vendin në Ligën C
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A