LAJMI I FUNDIT:

BE, Ballkani Perëndimor dhe procesi i zgjatur i anëtarësimit

BE, Ballkani Perëndimor dhe procesi i zgjatur i anëtarësimit
Ilustrim

Lucia Schulten

Udhëtimi treditor i presidentes së Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, deri në fundjavë ka në agjendë takimet me presidentët dhe kryeministrat e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnje-Hercegovinës, Serbisë, Kosovës dhe Malit të Zi.

Sipas Komisionit të BE-së, ky është një udhëtim gjatë të cilit ashtu si edhe vitet e kaluara në fokus do të ketë kryesisht procesin e zgjerimit të BE-së si dhe të ashtuquajturin plan zhvillimi për Ballkanin Perëndimor.


Vizita zhvillohet përpara publikimit të raporteve të progresit për vendet aspirante për në BE gjatë procesit të zgjerimit. Vlerësimi i përparimeve për reformat e vendeve kandidate do të publikohet javën e ardhshme, sipas planit aktual të Komisionit të BE-së.

Vizita e kreut të Komisionit të BE-së ofron gjithashtu mundësinë, për të shprehur pritshmëritë dhe mesazhet në nivelin më të lartë politik, thotë për DW, Vessela Tcherneva nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie të Jashtme. Po ashtu, për kreun e komisionit von der Leyen, është një rast edhe për të dëgjuar, sepse në rajon ka skepticizëm që procesi i anëtarësimit po ecën si duhet dhe se oferta e BE-së është vërtetë e besueshme.

Gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor është premtuar përpara 20 vjetësh anëtarësimi në BE. Sot këto vende kanë avancuar me ritme të ndryshme. Që nga java e kaluar, BE-ja dhe Shqipëria kanë nisur bisedimet për pjesën përmbajtjesore të anëtarësimit. Do të negociohet në vazhdimësi për 35 kapituj, që përcaktojnë sektorët e drejtësisë, në të cilat Shqipëria duhet të përshtasë sistemin e sam e legjislacionin e BE-së.

Mali i Zi dhe Serbia i kanë nisur këto bisedime që prej një dekade. Maqedonia e Veriut ende është në pritje të hapjes së negociatave, ndërsa për Bosnje Hercegovinën mungojnë disa hapa që u paraprijnë bisedimeve përmbajtjesore. Kosova deri tani konsiderohet vetëm si “kandidate e mundshme për anëtarësim” – edhe për shkak të konfliktit me Serbinë. Kosova që shpalli pavarësinë nga Serbia më 2008 ende nuk është njohur nga pesë vende të BE-së: Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia. Për aq kohë sa nuk janë normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, anëtarësimi në BE është i pamundur, sepse me procesin e anëtarësimit duhet të merren rregullisht vendime njëzëri nga të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së.

Sidoqoftë, BE-ja e mbështet rajonin. I ashtuquajturi plan zhvillimi është një paketë prej gjashtë miliardë eurosh për periudhën 2024 deri më 2027, që përbëhet nga katër miliardë euro kredi dhe dy miliardë euro grante. Qëllimi është që vendet e Ballkanit Perëndimor të afrohen përpara anëtarësimit në BE në tregun e brendshëm evropian. Komisioni i BE-së premton që ekonomia e vendeve pritëse fuqizohet dhe ekonomitë e tyre në dekadën e ardhshme mundësisht të dyfishohen. Për të marrë paratë, vendet duhet të paraqesin agjendat e tyre të reformave, që venë në jetë rekomandimet e Komisionit të BE-së.

Milena Mihajlovic, bashkëthemeluese e thinktankut European Policy Centre (CEP) në Beograd, vlerëson në një bisedë për DW-në paktin e zhvillimit si një shembull i parë konkret për nismën e integrimit gradual të përpiluar më 2022. Të tjerë shembuj, sipas mendimit të saj, do të pasojnë, si p.sh. në sektorin e bashkëpunimit institucional. Nga presidentja e Komisionit, Mihajlovic pret që ajo të insistojë në zgjidhjen e konflikteve rajonale, siç është dialogu Beograd-Prishtinë i ndërmjetësua nga BE-ja. Përparime në këtë drejtim janë kusht bazë për lëvrimin e parave të BE-së.

Pikërisht pas fillimit të luftës sulmuese ruse në Ukrainë, në Bruksel konsiderohet e rëndësishme në aspektin gjeostrategjik, që vendet e Ballkanit Perëndimor të pranohen në BE. Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, tha në shtator gjatë një fjalimi në Bled të Sllovenisë: “Në kohën e rivaliteteve gjeostrategjike një Bashkim Evropian më i madh na jep neve një zë më të fuqishëm në botë”. Megjithatë: Kjo nuk u jep këtyre vendeve “biletën falas të udhëtimit”, thekson ekspertja Tcherneva, edhe sikur shumë udhëheqës në rajon tani mund të kujtojnë se për shkak të gjendjes gjeopolitike nuk u duhet më të përpiqen shumë. Këtë pritet ta bëjë të qartë gjatë vizitave në rajon, von der Leyen.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor tani duhet të tregojnë që mund të bëjnë përparime, thekson analistja Mihajlovic. Dhe, ato duhet të përgjigjen ndaj sinjaleve pozitive nga BE: BE-ja nga ana e vet duhet të përpiqet që të shmangë skepticizmin e këtyre vendeve, se pavarësisht garancive dhe programeve, ajo nuk e ka vërtetë seriozisht me perspektivën e anëtarësimit. /DW/

Në trend

Më shumë

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres

Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres

Magazina
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Azia
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Edhe një problem për Trumpin, policia konfirmon dyshimet për sulm seksual të kandidatit për Sekretar të Mbrojtjes

Edhe një problem për Trumpin, policia konfirmon dyshimet për sulm seksual të kandidatit për Sekretar të Mbrojtjes

Amerika
Kalo në kategori