LAJMI I FUNDIT:

Të hënën promovohet libri “Hyrje në Psikolinguistikë” i autorit Rrahman Paçarizi

Të hënën promovohet libri “Hyrje në Psikolinguistikë” i autorit Rrahman Paçarizi

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se ditën e hënë, më datë 21 tetor, do të mbajë promovimin e librit “Hyrje në Psikolinguistikë” të autorit Rrahman Paçarizi.

Libri do të promovohet në orën 18:00, në librarinë “Dukagjini” (te sheshi “Nënë Tereza”).

Për të diskutuar rreth librit, në panel do të jenë të pranishëm: Shkumbin Munishi – linguist: Enkelejda Kapia – linguiste; dhe Labinot Balaj – psikolog. Promovimi do të moderohet nga Liridona Bytyçi.

“Dukagjini” fton të gjithë dashamirët e librit dhe, në veçanti, studiues e studentë të fushës, që të marrin pjesë në këtë promovim, ku do të kenë rastin edhe të diskutojnë me autorin.

Shënim: Libri “Hyrje në Psikolinguistikë” ofron një tablo të përgjithshme të katër nënfushave kryesore të psikolinguistikës; prodhimi i gjuhës, të kuptuarit e gjuhës, të nxënët e gjuhës dhe çrregullimet gjuhësore.

Rrahman Paçarizi ka lindur në vitin 1972. Studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i kreu më 1994, në Prishtinë, ku magjistroi më 2003 dhe doktoroi më 2006 me temën “Aspekte psikosociolinguistike të akceptimit të shqipes standarde në Kosovë”. Më 1997 ka nisur punën si asistent në Degën e Gjuhës Shqipe, në Fakultetin e Filologjisë në UP, ku vazhdon edhe sot si profesor i rregullt.

Rrahman Paçarizi ka punuar gazetar dhe redaktor në “Radio Free Europe/Radio Liberty” (1999-2009). Për dy mandate ka qenë kryetar i Bordit të Drejtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës.

Rrahman Paçarizi ka botuar dy përmbledhje me poezi (1994 e 1997), ndërsa për romanin “Shtatë udhë” është shpërblyer me çmimin vjetor “Anton Pashku” të Ministrisë së Kulturës, në vitin 2020.

Për dy mandate ka drejtuar “Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Rrahman Paçarizi ka mbajtur ligjërata në universitete të ndryshme të Evropës, si në: “Humboldt Universitat” në Berlin, në “Charles University” në Pragë, në “Ca’ Foscari” në Venecie, në Universitetin “Nicolae Copernicus” në Torun, në universitetin “Primorska” në Kopër, në Universitetin e Vjenës etj. Ka marrë pjesë në konferenca të ndryshme ndërkombëtare, si në Tiranë, Napoli, Kosice, Berlin etj.

Paçarizi ka botuar një kapitull në “Onomatopoeia in the World’s Languages – Handbook of Comparative Linguistics”, botuar nga De Gruyter, si dhe një numër punimesh në revista ndërkombëtare të indeksuara në platformat prestigjioze “Scopus” dhe “WoS”.