LAJMI I FUNDIT:

Kompania Numarics me seli në Kosovë bashkohet me bankën zviceriane Radicant

Kompania Numarics me seli në Kosovë bashkohet me bankën zviceriane Radicant

Kompania zvicerane Numarics me zyrë edhe në Kosovë, e themeluar në vitin 2020 nga shqiptari Kristian Kabashi dhe Dominique Rey, do të bashkojë forcat me filialin e bankës Radicant në Zvicër.

Bëhet e ditur se ky hap do të zgjerojë bazën e shitjeve të kompanive tashmë të shkrira në një të vetme dhe do të vendosë themelet për rritje financiare shtesë.

Siç raportohet, bashkimi i të dy kompanive do të ofrojë një gamë plotësisht të integruar shërbimesh bankare, investimesh financiare dhe çështje administrimi, përcjell Telegrafi.


“Shkrirja e planifikuar është një tjetër hap i rëndësishëm në zbatimin e strategjisë sonë të diversifikimit”, tha Kryetari i Këshillit të Basellandschaftliche Kantonalbank (BLKB), Thomas Schenider, një prej investitorëve të kompanisë.

Ndryshe, bashkimi do të zgjerojë edhe bazën e investitorëve të tjerë.

Kjo pasi, përveç BLKB-së, në kompaninë e re do të përfshihen edhe investitorë të tjerë si Founderful, FiveT, Seed X, Davidson Capital dhe UBS, të cilat kanë investuar më parë në Numarics.

Ndryshe, Numarics është e specializuar në çështjet e administrimit të biznesit në tregun zvicerian, duke kombinuar Inteligjencën Artificiale (Al) dhe ekspertizën e auditorëve të certifikuar.

Që nga themelimi, kompania nga Kosova ka pozicionuar veten në tregun zviceran me shërbime financiare digjitale inovative dhe të gjithanshme.

Ajo i përgjigjet kërkesave të ndryshme dhe thjeshton planifikimin e kostove për menaxhimin e biznesit. /Telegrafi/