LAJMI I FUNDIT:

Të njohësh nga burgu pikat turistike të Pogradecit

Të njohësh nga burgu pikat turistike të Pogradecit

Ndonëse quhet institucion i ekzekutimit të vendimeve penale, qëllimi nuk është thjesht vuajtja e dënimeve, por përgatitja e këtyre personave për të rinisur sërish jetën.

Këtij qëllimi i shërben edhe ekspozita me fotografi në burgun e grave të Pojskës në Pogradec, shkruan A2 CNN.

Trashëgimia kulturore dhe vendet turistike të qytetit të Pogradecit, u sollën për gratë që u privohet liria në këtë institucion, nëpërmjet fotografive të marra nga arkivi i muzeut të Pogradecit.


“Është një aktivitet i veçantë, në mënyrë që vajzat dhe gratë të njihen me trashëgiminë kulturore të zonës, por edhe me disa nga atraksionet turistike” , thotë për A2 CNN Froseda Tole, përgjegjëse e muzeut Pogradec.

Në fakt, ekspozita ja ka arritur qëllimit, për sa kohë disa nga banoret e këtij institucioni pohojnë se u njohën këtu për herë të parë me disa nga pikat turistike dhe trashëgiminë kulturore të Pogradecit.

“Aktiviteti mu duk shumë interesant. Mësova shumë gjëra që nuk i dija për Pogradecin edhe për zonat rreth tij”, thotë një e dënuar, e cila nuk dëshiron të identifikohet.

Aktivitete të tilla pritet të jenë më të shpeshta, duke planifikuar madje edhe mbrëmjet poetike brenda institucionit të vuajtjes së dënimit.