LAJMI I FUNDIT:

Jo të gjithë duhet të kenë një mendim për AI-në

Jo të gjithë duhet të kenë një mendim për AI-në
Ilustrimi: Ewan White / FT

Nga: Stephen Bush / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Muaji Kombëtar i Shkrimit të Romanit [NaNoWriMo – National Novel Writing Month] është një nismë amerikane që është shndërruar në aktivitet botëror, në të cilin pjesëmarrësit përpiqen të përfundojnë në muajin nëntor një dorëshkrim me 50 mijë fjalë. Disa nga këto drafte të para eventualisht bëhen romane – versioni fillestar i asaj që u botua si Cirku i natës [The Night Circus] i Erin Morgensternit, lindi si një përpjekje në NaNoWriMo – por, shumica këtë nuk e bëjnë. Dhe, shumë pjesëmarrës pranojnë haptazi se po shkruajnë për kënaqësinë e krijimit dhe jo se presin të fitojnë ose para ose ndonjë prestigj nga ky aktivitet.

Vitet e fundit, NaNoWriMo është dërrmuar nga polemikat. Këtë vit, organizata është goditur nga një pohim të cilin vetë e shkaktoi, pasi deklaroi se megjithëse nuk ka një qëndrim të qartë për përdorimin e inteligjencës gjeneruese artificiale [AI] në shkrim, beson se “të gjykosh kategorikisht përdorimin e mjeteve të shkrimit të AI-së” kjo paraqet “diskriminim ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara dhe ndaj shtresave më të varfra [ableist and classist]”. (Sidoqoftë, nënkuptimi se njerëzit e klasës punëtore dhe njerëzit me aftësi të kufizuara mund të shkruajnë letërsi vetëm me ndihmën e AI-së gjeneruese, kjo me sa duket është në rregull.)


Goditja që pasoi është se një anëtar i bordit, shkrimtari Daniel José Older, dha dorëheqjen nga neveria. (NaNoWriMo që atëherë ka kërkuar falje dhe ka tërhequr deklaratën fillestare.)

Shumë pak rrezikon nëse merr pjesë në NaNoWriMo, ndoshta përveç vullnetit të mirë të miqve dhe të afërmeve nga të cilët mund të kërkosh të lexojnë punën tënde më pas. Ata që regjistrohen në faqen e internetit mund të bisedojnë me pjesëmarrësit e tjerë në forumet e tyre të diskutimit, ndërsa shpërblehen me disa pika përmes ca grafikave të vogla që shënojnë arritjet e tyre. Nëse dëshiron të shkruash një roman eksperimental të quajtur Refleksionet mbi divorcin nga një studiues në fund të karrierës [A Mid-Career Academic’s Reflections Upon His Divorce], që thjesht është përsëritje e fjalëve fyese, asgjë nuk të ndalon ta bësh këtë. Nëse dëshiron të shkruash fjalët “shkruajë 50 mijë fjalët e para të një romani të zhvillimit të personalitetit [coming-of-age novel] në stilin e shkrimtarit Paul Beatty”, në ChatGPT, dhe ta dorëzosh, edhe këtë mund ta bësh. Në të dy rastet, është koha jote ajo që ti ke humbur.

I gjithë argumenti është jashtëzakonisht i marrë, por përmban dy mësime të dobishme.

Njëra është se organizatat dhe kompanitë duhet të japin më pak mendime. Është e pakuptueshme për mua se pse NaNoWriMo duhet të ketë një mendim në lidhje me përdorimin e AI-së. Organizatat duhet të kenë ndërgjegje sociale, por kjo duhet të kufizohet në gjërat që ato në fakt drejtpërdrejt i kontrollojnë. Ata duhet të kujdesen për drejtësinë gjatë punësimit, për efektet që zinxhirët e tyre të furnizimit kanë në botë, ashtu si NaNoWriMo që duhet të kujdeset nëse forumet e diskutimit janë të moderuara mirë (temë kjo për një polemike tjetër të mëparshme). Por, duhet të kenë pak ose aspak interes për çështjet që nuk kanë asnjë mënyrë për t’i ndaluar ose parandaluar pjesëmarrësit për atë që bëjnë me AI-në.

Një rregull i mirë i përgjithshëm për një organizatë që shqyrton nëse duhet të bëjë një deklaratë për një temë, është të pyesë veten se çfarë ndryshimesh materiale brenda kontrollit të saj propozon të bëjë si rezultat i kësaj dhe pse. Këto ndryshime mund të variojnë nga dhurimi i parave deri te punësimi. Për shembull, shitësi i kozmetikës Lush ka dhënë shuma të mëdha parash për bamirësitë e reformës policore, ndërsa Julian Richer, themeluesi i Richer Sounds, i zinxhirit të pajisjeve shtëpiake të argëtimit, shkoi aq larg saqë në vitin 2019 e ktheu biznesin në një trust në pronësi të punonjësve.

Por, nëse një organizatë ose nuk dëshiron ose nuk është në gjendje të bëjë ndryshime reale në mënyrën se si funksionon ose shpenzon para, atëherë në nëntë nga dhjetë rastet ky është një tregues se do të fitojë shumë pak dhe do të përmirësojë shumë pak gjëra përmes deklaratave.

Mësimi i dytë ka të bëjë me mënyrën se si organizatat duhet t’i përgjigjen përdorimit dhe adoptimit të gjerë të AI-së gjeneruese. Ashtu si NaNoWriMo nuk mund të më ndalojë që t’i kërkoj Gemini-t të Google-it të shkruajë një roman për një kolumnist shumë të pashëm që zgjidh krimet, punëdhënësit nuk mund të ndalojnë dikë që të shkruajë letrën motivuese me të njëjtën metodë. Kjo nuk do të thotë se ata duhet domosdo ta mbështesin atë, por do të thotë që disa forma vlerësimi janë bërë në mënyrë të pashmangshme test i aftësisë për të punuar më mirë me AI-në gjeneruese po aq sa edhe aftësia për të shkruar ose për të hulumtuar në mënyrë të pavarur. Punësimi, një nga gjërat më të vështira që bën çdo organizatë, tashmë po bëhet më i vështirë dhe si rezultat i kësaj periudhat e provës do të bëhen më të rëndësishme.

Të dy mësimet kanë diçka të përbashkët: janë një kujtesë se organizatat nuk duhet të përqendrohen në gjërat që janë jashtë kontrollit të tyre. Pjesë e shkrimit të një romani të mirë është zgjedhja e fjalëve të duhura në vendet e duhura dhe në kohën e duhur. Po kështu është edhe të dish se kur është koha që një organizatë të flasë – dhe kur duhet të heshtë. /Telegrafi/