LAJMI I FUNDIT:

Kamala Harris nuk është lidere me ndikim dhe kjo mund të jetë forca më e madhe e saj

Kamala Harris nuk është lidere me ndikim dhe kjo mund të jetë forca më e madhe e saj

Nga: Simon Jenkins / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Për punën më të fuqishme në botë, Kamala Harris tani prin në garën si kandidate e Partisë Demokratike. Duket shumë e pakualifikuar, megjithëse jo më shumë se dy burrat trashëgimtare të cilëve dëshiron të jetë. Kritika ndaj dështimeve të liderëve që sjell demokracia amerikane, prej kohësh ka qenë ves evropian. Në vend të kësaj, mund të jetë më e dobishme që të sugjerohen pikat e forta të tyre të mundshme.

Harrisi është juriste 59-vjeçare nga Kalifornia dhe vajzë e akademikëve emigrantë – njëri xhamajkan dhe tjetra indiane. Si ambicioze, u bë prokurore e përgjithshme e shtetit të saj dhe përfundimisht senatore. Ishte gruaja e parë amerikane me ngjyrë dhe e para amerikane e Azisë Jugore që mbajti postin e zëvendëspresidentit. Derisa duket e mundshme që fushata e Trumpit do të përqendrohet në linjat e sulmit mbi racën dhe gjininë e saj, dy fitoret e zgjedhjeve të Barack Obamas – pavarësisht teorive të pafundme konspirative të cilat përqendrohen në trashëgiminë e tij – sugjerojnë se kjo nuk do të luajë domosdo rol te votuesit. Dhe, ShBA-ja është me siguri gati për një grua në Shtëpinë e Bardhë.


Është folur shumë për mungesën e arritjeve të saj si zëvendëspresidente, por arritjet janë të rralla në atë detyrë. Bideni fillimisht e ngarkoi atë me kupën e helmuar të krizës kufitare me Meksikën; kritikët e saj qëllimisht këtë e pohojnë. Ishte problem i pazgjidhshëm. Politika e brendshme është gjithashtu e mbushur me ndarjet për abortin dhe krimin. Në të parën Harris ka qenë një aktiviste e hapur. Për të dytën ka shkruar një libër konservator.

Detyra urgjente e Harrisit është të bashkojë Partinë e shkatërruar Demokratike në një makineri të aftë luftarake, nëse jo për të ndalur Trumpin në rrugëtimin e tij, atëherë të paktën për një Kongres që është në gjendje të pengojë ambiciet e tij më të egra. Për këtë nevojiten aftësitë e ndryshme drejtuese. Në veprën e tij sfiduese, Miti i liderit të fortë, politologu Archie Brown rrëzoi tezën se personalitetet që “dominojnë kolegët dhe përqendrojnë vendimmarrjen në duart e veta” janë më karizmatikë dhe më të suksesshëm. Duke gjetur prova në të dy anët e Atlantikut, arriti në përfundimin se “udhëheqja kolegjiale”, që aq shpesh shihet si dobësi, në fakt është forcë. E përmendi Eisenhowerin dhe Reaganin në ShBA dhe Attleein dhe Wilsonin në Britani.

Në Britani, pushteti rrjedh nga aftësia e liderit për të vepruar në harmoni me kabinetin dhe partitë parlamentare. Po kështu, në ShBA qëndron në rendin e partive në Kongres, në negocimin e kontrolleve dhe balancave. Liderët rrallëherë fitojnë duke u ngritur mbi institucionet e qeverisë dhe duke i përkulur ato sipas vullnetit të tyre.

Forca e Harrisit duhet të qëndrojë diku tjetër, në mbështetjen e një organizate të bashkuar të Partisë Demokratike të traumatizuar nga mënyra e largimit të Bidenit. Ky institucion tani ka interes të madh për t’u mbledhur rreth saj. Ajo nuk e ka asnjë zonë elektorale. Do të ketë nevojë për partnerë, mbështetës, aleatë dhe ndihmës, ekip me përvojë dhe talent. Ata duhet ta nxisin mbështetjen në shtetet kyçe, duke promovuar pikat e saj të forta dhe duke minimizuar dobësitë.

Shumë presidentëve të kaluar u ka munguar përvoja e posteve të larta, por kjo nuk duhet të jetë defekt. Kompetencat kërkuese të Harrisit si prokorure dhe në komisionet e Senatit, dëshmojnë për inteligjencë të mprehtë të saj. Gatishmëria për të mësuar është shpeshherë më e dobishme sesa besimi se veçse kemi mësuar. Për sa kohë që Harrisi i dëgjon këshillat, ajo mund të fitojë. Për më tepër, amerikanët e dëshpëruar për të shmangur presidencën tjetër të Trumpin, tani nuk kanë asnjë mundësi tjetër. Ata duhet ta ndihmojnë Harrisin për t’ia dalë mbanë. /Telegrafi/