Ministria e Jashtme gjermane ka shprehur shqetësimet e saj për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës në jug të Serbisë.
“Fenomeni i të ashtuquajturit ‘pasivizim’ përshkruan masa që pengojnë qasjen e shqiptarëve etnikë në jug të Serbisë në shërbimet publike. Të prekurve u vështirësohet regjistrimi në vendbanime ose në marrjen e një letërnjoftimi. Shpesh raportohen raste ku organet i çregjistrojnë banorët, pas kontrolleve të bëra enkas, kur ata janë me pushime, në udhëtime, ose nuk janë në banesë për disa ditë. Riregjistrimi ka pengesa të mëdha. Kjo bën që të zvogëlohet numri i anëtarëve të pakicës që janë të regjistruar”, thuhet në përgjigje për DW.
Në kundërshtim me obligimet ligjore
Ministria e Jashtme gjermane kujton se kjo tendencë bie ndesh me obligimet e Serbisë për respektimin e të drejtave të pakicave.
“Këto të drejta janë të garantuara si me Kushtetutë dhe me Ligjin për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare. Veç kësaj, Serbia ka ratifikuar Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare të Këshillit të Evropës. Tendenca e ‘pasivizimit’ të popullsisë shqiptare etnike në jug të Serbisë është në kundërshtim me këto obligime ligjore”, thotë MPJ gjermane.
Ministria e Jashtme dhe Ambasada në Beograd janë në kontakt të rregullt me përfaqësuesit e pakicës shqiptare, bëhet e ditur nga MPJ e Gjermanisë. Edhe Këshilli i Evropës e monitoron situatën e pakicës shqiptare në jug të Serbisë. Komisioni Evropian ka parashikuar në kapitullin negociues me kandidaten e BE-së 23 disa masa për mbrojtjen e pakicës shqiptare, përfshirë një plan veprimi për realizimin e të drejtave të pakicave kombëtare. Në kuadër të dialogut shoqëror mes qeverisë serbe dhe pakicës shqiptare, janë dakorduar disa masa, ku përfshihet edhe një plan për integrimin e anëtarëve të pakicës shqiptare në sektorin publik dhe në institucionet shtetërore në nivel komunal (2023-2026), sqaron MPJ gjermane.
“Zbatimi i këtyre planeve kërkon ende një monitorim të saktë nga BE dhe Këshilli i Evropës”, thotë MPJ.
Situata e shqiptarëve në jug të Serbisë kërkon më shumë vëmendje
Sipas një studimi të Institutit Max-Planck nga viti 2023, në vitet e fundit mijëra shqiptarë nga Lugina e Preshevës janë fshirë nga regjistrat pa dëshirën e tyre. Riregjistrimi është shumë i komplikuar. Disa kanë paraqitur tani padi kushtetuese.
Kohët e fundit, një delegacion i shqiptarëve nga Lugina e Preshevës ishte në Gjermani, i udhëhequr nga Shaip Kamberi, deputeti shqiptar në parlamentin serb, për të tërhequr vëmendjen e Berlinit për situatën e shqiptarëve në jug të Serbisë.
Knut Abraham (CDU/CSU) i tha DW se informacionet janë “shqetësuese”.
“Kjo përfshin situatën ekonomike, por edhe fshirjen e adresave nga regjistrat e votuesve, në të cilat dyshohet se janë të përfshira autoritetet shtetërore”, tha Abraham, i cili është gjithashtu anëtar i Këshillit të Evropës.
Politikani i FDP-së, Thomas Hacker, i tha DW -së se situata e pakicës shqiptare në Serbi “meriton më shumë vëmendje ndërkombëtare”.
Aktualisht, fokusi është shumë i përqendruar në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo bën që çështje të tjera po aq të rëndësishme të mbeten në hije.
“Për më tepër procesi i pasivizimit duket si një proces gradual i heqjes së të drejtave”.
Serbia duhet të zbatojë planin e veprimit për përfaqësimin më të mirë të pakicës shqiptare në institucionet lokale.
“Serbia është angazhuar për këtë dhe duhet të përmbushë detyrimet”, tha Hacker.
Ai shtoi se duhet gjetur një zgjidhje edhe për të rinjtë që kanë përfunduar studimet në Prishtinë. “Sukseset e Procesit të Berlinit duhet të vlejnë edhe për pakicat në Serbi”, tha politikani gjerman.
Në kuadër të Procesit të Berlinit gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – kanë nënshkruar ndër të tjera një marrëveshje për njohjen reciproke të diplomave dhe kualifikimeve profesionale. Serbia e ka dërguar marrëveshjen në parlament, por ende nuk e ka ratifikuar plotësisht.
Kosova dhe Shqipëria ishin të parat që e ratifikuan. /DW/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëPolicia e Shtetit publikon pamje se si 32-vjeçari në Durrës ua mori dy shtetasve varëset nga qafa, vihet në pranga
Kurti: Lojërat Olimpike 2024 po sjellin botën në Paris, Macroni na bëri bashkë liderët e botës demokratike
Rreziqet në Kosovë, ato të sigurisë dhe nga radikalët islamistë - çfarë thuhet në raportin hulumtues të Institutit për Siguri dhe Rezilience?
“Koha e Kurtit në të pame, homazhe e takime”, zëdhënësi i Qeverisë i reagon Demit
Zgjedhjet e rregullta parlamentare, Cakolli tregon se kur mund të mbahen ato
Rama vazhdon me publikimin e videove nga plazhet: Pamje nga Himara, Borshi, Jala e Dhërmiu – ku gjen pushues nga e gjithë bota
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
Ofertë e veçantë – vila në Brezovicë ofrohet me zbritje ID-246
Një jetë e re fillon këtu – banesa e gatshme 2+1 në rrugën ‘Gazmend Zajmi’ ID-251
Më të lexuarat
Koci jep detajet e fundit për rastin e Faton Hajrizit: Çdo informacion po e marr me rezervë të madhe
Ish-fituesi i Kupës së Botës, Philipp Lahm, jep shtëpi me qira me Airbnb për vetëm 21 euro në natë - ai premton se do të mirëpresë personalisht mysafirët
Sondazhi i New York Times - kush po udhëheq, Harris apo Trump
"Unë jam gjallë, nuk është ende vonë", gjermani i dënuar me vdekje në Bjellorusi kërkon ndihmë përmes televizionit shtetëror
E nisi me humbje të thellë me Juventusin, këto janë fjalët e Thiago Mottas
E gjuajtën edhe në Kosovë, Bebe Rexha i drejtohet sigurimit në shqip që të mos e largojë fansin: Lëre lëre, është vetëm një bluzë