LAJMI I FUNDIT:

Nurboja: Vlerësimi i Kosovës nga Fitch, hap i madh për integrimin financiar

Nurboja: Vlerësimi i Kosovës nga Fitch, hap i madh për integrimin financiar

Agjencia e Vlerësimit Kreditor Fitch Ratings ka dhënë Vlerësimin Kreditor ‘BB-‘ për Kosovën, duke shënuar kështu herën e parë që vendi merr këtë lloj vlerësimi si shtet.

Vlerësimi Kreditor është indikator tepër i rëndësishëm që tregon aftësinë e një vendi për të shlyer borxhet, dhe merr parasysh qëndrueshmërinë e politikave fiskale, borxhin publik, deficitin, rritjen ekonomike, sektorin bankar, dhe cilësinë e qeverisjes ndër tjera.

Ndaj kësaj ka reaguar kryetari i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, Bashkim Nurboja, i cili e ka quajtur një hap të madh në integrimin financiar.


“Vlerësimi i Kosovës nga Fitch. Një hap i madh për integrimin financiar. Gëzuar”, ka shkruar ai në Facebook.

Në raportin e publikuar më 19 Prill, Fitch Ratings thekson në veçanti kredibilitetin e politikave fiskale, stabilitetin dhe nivelin e ulët të borxhit publik, deficitin e ulët buxhetor, dhe sektorin bankar të qëndrueshëm si arsyet kryesore që kanë mbështetur pozitivisht vlerësimin e tyre kreditor për Kosovën.

Sipas raportit, Fitch Ratings ka vlerësuar punën e bërë nga Qeveria në fushën e politikave fiskale me uljen e deficit buxhetor si dhe rritjen e vazhdueshme të mbledhjes së tatimit. Agjencia vlerëson nivelin e ulët të borxhit publik i cili ka rënë në 17% të BPV-së si dhe shkallën e inflacionit në rënie, e cila në muajin mars ka prekur nivelin 2.3%.

Përveç qëndrueshmërisë fiskale si dhe një sektori bankar rezilient e mirë të kapitalizuar, Agjencia ka vlerësuar edhe stabilitetin politik të vendit si faktor pozitiv, për faktin që Qeveria Kurti është mirë e pozicionuar për të shërbyer mandatin e plotë. Raporti vlerëson edhe punën e Qeverisë në realizimin e reformave të nevojshme si dhe luftimin e korrupsionit, përkundër sfidave.

Ky Vlerësim Kreditor e vendos Kosovën në hartën botërore të shteteve serioze me politika të qëndrueshme, duke forcuar kështu edhe më tej pozicionin e vendit dhe njohjen në arenën ndërkombëtare. Njëkohësisht, Vlerësimi Kreditor shërben edhe si pasaportë e shtetit, përmes së cilës investitorët e huaj do t’a kenë më të lehtë të informohen për zhvillimin ekonomik dhe politikat financiare të vendit, duke e bërë kësisoj më të lehtë procesin e tërheqjes së investimeve të huaja në Kosovë.

Procesi i Vlerësimit Kreditor është mbështetur nga USAID në kuadër të projektit për “Promovim të Investimeve dhe Qasje në Financa”. Kjo mbështetje forcon edhe më tej bashkëpunimin që Republika e Kosovës ka me USAID dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Telegrafi/