LAJMI I FUNDIT:

Grupi i PD, kërkesë në Kushtetuese për “emigrantët”

Grupi i PD, kërkesë në Kushtetuese për “emigrantët”

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për marrjen e një opinion këshillimor nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut për zbatimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në marrëveshjen për emigrantët të arritur mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane.

Në kërkesën e 30 deputetëve demokratë thuhet se Shqipëria, si shtet anëtar i Këshillit të Europës dhe ratifikues i Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, ka detyrimin të sigurojë çdokujt brenda territorit të saj të drejtat dhe liritë e përcaktuara nga Konventa.


“Në këtë kuptim, është shumë e rëndësishme që gjatë shqyrtimit të kushtetutshmërisë së marrëveshjes për emigrantët, Gjykata të analizojë dhe konkludojë mbi shkeljet e pretenduara të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat njëkohësisht përbëjnë edhe shkelje të Kushtetutës”, thuhet në shkresën e firmosur nga Kryetari i Grupit të PD, Gazment Bardhi./Tv Klan