LAJMI I FUNDIT:

Thirret në SPAK për çështjen Gërdeci, Shkëlzen Berisha flet pas dëshmisë: Politizimi, nuk e ndihmon të vërtetën

Thirret në SPAK për çështjen Gërdeci, Shkëlzen Berisha flet pas dëshmisë: Politizimi, nuk e ndihmon të vërtetën

I biri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha pasi ka dëshmuar sot për dosjen “Gërdeci” ka folur për mediat.

Ai është thirrur nga Prokuroria e Posaçme SPAK për të dëshmuar për shkak të një faksi në të cilin është përmbajtja e letrës miratuese nga Ministria e Drejtësisë për kontratën që do të lidhej në Gërdec, një kopje e së cilës ka dalë nga zyra e Aldo Bumçit, ish-ministër i Drejtësisë. Në këtë faks ishte mbishkrimi “për Shkëlzenin”.

“Ky faks as nuk është nisur nga adresa ime, as nuk ka ardhur në adresën time. I takon prokurorisë të mësojë nëse ky faks është origjinal. Zotin Aldo Bumçi dhe zotin Fatmir Mediu i kam njohur para se të ishin ministra, kur ishin ministra, i kam miq dhe tani”, tha ai.


I pyetur se për çfarë ka komunikuar me ish-ministrin Mediu, Shkëlzen Berisha tha se kanë komunikuar për çështje personale të Fatmir Mediut, ndërsa shtoi se kjo çështje është “politizuar tejskajshëm” dhe një gjë e tillë nuk e ndihmon të vërtetën.

“Politizimi i tejskajshëm i kësaj çështje nuk e ka ndihmuar zbardhjen e të vërtetës”, tha Shkëlzen Berisha. /Telegrafi/