Marko Attila Hoare
Bota liberal-demokratike është dobësuar. Agresioni i Vladimir Putinit kundër Ukrainës përfaqëson një sulm të drejtpërdrejtë jo vetëm mbi një shtet sovran demokratik, por edhe mbi normat dhe vlerat demokratike më gjerë, si dhe po frymëzon despotë autoritarë-nacionalistë, demagogë, ndërkohë që prirjet joliberale po rriten edhe brenda demokracive.
Në ShBA, Donald Trump dhe lëvizja e tij MAGA, pasi u përpoqën të përmbysin humbjen e vet presidenciale më 2020-n, po agjitojnë për braktisjen e Ukrainës te Putini. Trumpi ka shumë gjasë të jetë kandidati republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, të cilat edhe mund t’i fitojë.
Në Evropë, Gjermania dhe Franca po zvarriten në mbështetje të Ukrainës dhe e djathta ekstreme po rritet në të dyja vendet, ndërkohë që Franca imponon kufizime të reja diskriminuese mbi veshjet e qytetarëve të vet myslimanë.
Britania, e dobësuar dhe çorientuar nga Brexit-it, ka ndjekur një politikë që synon të dërgojë azilkërkuesit në Ruandë, që drejtohet nga autokrati represiv Paul Kagame.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, kanë minuar kampin liberal-demokratik duke penguar Finlandën dhe Suedinë të hyjnë në NATO. Falë tyre, Suedia, që aplikoi në maj të vitit 2022, nuk është ende anëtare. Turqia, që 20 vjet më parë dukej një fanar i demokratizimit në Lindjen e Mesme Myslimane, është sot një ndër burgosëset më të këqija të gazetarëve.
Në Izrael, qeveria e Benjamin Netanyahut po përpiqet të neutralizojë gjykatën supreme të vendit ndërkohë që përshkallëzon shtypjen e palestinezëve.
Sulmi i Rusisë mbi Ukrainën mund të shënojë goditjen më të madhe mbi botën liberal-demokratike në Evropë që nga fundi i Luftës së Ftohë, por është larg të qenit e paprecedentë. Ka një pararendës me sulmet e Serbisë ndaj Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës në vitet ’90 të shekullit të 20-të.
Përgjithësisht kjo është harruar nga gazetarët perëndimorë dhe ekspertët që komentojnë mbi luftën në Ukrainë: për breza të tërë Ballkani është refuzuar si jo tamam evropian, i paqëndrueshëm, një kufi atavik me Azinë që shërben vetëm për të shpërqendruar nga normat e supozuara evropiane.
Ky boshllëk mendor rreth luftërave ballkanike të viteve ’90 është i pafat, përderisa ato ofrojnë mësime të rëndësishme për problemet me të cilat përballet sot Evropa. Rritja e nacionalizmit autoritarist në Serbi dhe Kroaci i veçoi këto vende, jo si aberracione në Evropë, por si thelbësisht evropiane, që vuajnë nga një sëmundje që do të prekte vende të tjera evropiane.
Dhe, teksa Serbia dhe Kroacia ishin vuajtësit e parë, po kështu ato prodhuan terapistët e parë që kërkonin një kurë: intelektualë disidentë që u përpoqën të gjurmojnë virusin dhe që mund t’u mësojnë sot diçka liberal-demokratëve në pjesën tjetër të kontinentit dhe përtej.
Historiani është një profet që sheh pas – shprehej dikur poeti romantik gjerman dhe filozofi, Friedrich von Schegel. Për Latinka Peroviqin e Serbisë, që vdiq në dhjetor 2022 në moshën 89 vjeçare, kërkimi i një jete të tërë për të kuptuar të shkuarën e vendit të saj, lidhej ngushtë me dëshirën e saj për të shmangur përsëritjen e gabimeve të bëra.
Peroviqi shihej gjerësisht si “nëna e Serbisë Tjetër”. “Serbia tjetër”, apo “Serbia e Dytë” ishte një rrymë intelektuale dhe politike që u shfaq në fillim të viteve ‘1990 në kundërshtim të politikave nacionaliste dhe luftënxitëse të Sllobodan Millosheviqit që rezultuan në gjenocid në Kroaci dhe Bosnje – Hercegovinë. Establishmeni nacionalist i Serbisë konstituonte “Serbinë e Parë” kundër së cilës “Serbia Tjetër” apo “Serbia e Dytë” përkufizonte veten.
Peroviqi ishte historiania më e mirë e mendimit politik në Serbi, autore e një punimi monumental trevëllimësh “Socializmi serb në shekullin e 19-të”, që u publikua mes viteve 1985-1995 (ndonëse puna e saj akademike nuk është publikuar kurrë në anglisht).
Statusi i saj si figura më e njohur e “Serbisë tjetër” nuk vinte vetëm për shkak të talentit të saj intelektual, por sepse ajo kishte qenë, në cilësinë e sekretares së Lidhjes Komuniste të Serbisë, një nga dy figurat udhëheqëse të “komunizmit liberal” që qeverisi Serbinë nga 1968 deri në tetor 1972 – krahas mentorit të saj, Marko Nikeziq, kryetar i Lidhjes – në një kohë kur Serbia ishte një anëtare konstituive e shtetit federal të Jugosllavisë,
Ky regjim, ndoshta më progresivi në historinë e Serbisë, tentoi të liberalizonte rendin komunist serb, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht, teksa i kundërvihej nacionalizmit serb – pa iu drejtuar represionit. Ai përfaqësonte një përpjekje të guximshme për të zhvilluar një kulturë politike pluraliste për Serbinë, të tillë që do ta imunizonte atë kundër virusit ultranacionalist që po vinte.
Ai shihte nga Perëndimi, ndërkohë që e konsideronte Bashkimin Sovjetik si kështjellën e komunizmit autoritar ndaj të cilit ishte kundër. E, megjithatë, Josip Broz Titos, komunistit diktator të Jugosllavisë, komunizmi liberal serb i dukej një kërcënim – qoftë sepse kërcënonte si perceptim se shpërbënte hegjemoninë e partisë sunduese komuniste, edhe për shkak se lejonin diskursin nacionalist serb që kërcënone bashkëjetesën shumëkombëshe nga e cila varej Jugosllavia.
Spastrimi prej Titos i Nikeziqit dhe Peroviqit dhe liberalëve serbë më 1972, siguroi që Serbia të mbetej në një shteg autoritar. Spastrimi konsolidoi elitën autoritare komuniste serbe që do të ishte fara e diktaturës së Millosheviqit. Mes komunistëve më konservatorë serbë që konsoliduan pushtetin pas pastrimit ishin Dragoslav Markoviq, mbesa e të cilit Mirjana u martua me Millosheviqin dhe Petar Stamboliq, nipi i të cilit, Ivani, ishte mentori politik i Millosheviqit dhe miku i tij personal, përgjegjës për ardhjen e tij në pushtet.
Millosheviqi do ta sanksiononte megjithatë pushtetin e tij duke u kthyer kundër Ivan Stamboliqit, duke u rreshtuar apo kontrolluar të tjerë titistë të shkollës së vjetër. Edhe kështu, ai ishe një aparatçik i lartë, tipik i sistemit të tyre deri sa mori kontrollin e tij më 1987. Nën kontrollin e Millosheviqit, regjimi komunist serb tranzitoi lirshëm nga titizmi në nacionalizëm autoritarist.
Partia e tij Socialiste e Serbisë, krijuar në korrik 1990 nga një bashkim i Lidhjes Komuniste dhe organizatës partnere, Aleancës Socialiste të Punonjësve të Serbisë, fitoi lehtësisht zgjedhjet e para shumëpartiake post-komunise në Serbi, në dhjetor të atij viti. Ndonëse vështirë të quhen të ndershme, duke patur parasysh dominimin e medias nga regjimi, fitorja elektorale padyshim që reflektonte një adoptim popullor të politikave autoritare dhe nacionaliste.
Eksperimenti liberal komunist i viteve 1968-1972 ishte një mundësi e humbur për Serbinë për t’u zhvilluar përgjatë linjave liberale në vend të atyre autoritare dhe eventualisht nacionaliste. Nëse ky shteg do të ndiqej, ndoshta luftërat jugosllave të mes viteve ’90 do të ishin shmangur.
Pas nxjerrjes së saj nga pushteti, Peroviqi e braktisi karrierën e saj politike dhe ia dedikoi jetën e saj studimit të historisë. Kërkimi i saj u përqendrua në historinë e socialistëve serbë dhe të së fuqishmes Partia Radikale e Popullit, që kishte nisur më 1870 si socialiste, por që u zhvillua përgjatë linjave populiste dhe nacionaliste.
Themeluesi i saj i arsimuar në Rusi, Svetozar Markoviq, e interpretoi qëllimin e socializmit në shmangien e evolucionit në linjat e perëndimore liberal-kapitaliste dhe industriale dhe në ruajtjen, gjallërimin e shoqërisë tradicionale, egalitare, fshataro-komunale serbe.
Partia e themeluar prej tij u largua nga socializmi pas vdekjes së tij, por ruajti orientimin e tij anti-perëndimor, anti-modern. U bë partia më popullore e Serbisë duke nisur nga viti 1880, nën drejtimin e së cilës u krye marrja, gjatë Luftërave Ballkanike të 1912-1913, e atyre që sot janë Kosova dhe Maqedonia e Veriut si dhe krijimi më 1918 i Mbretërisë fatkeqe të Jugosllavisë nën dominimin serb.
Nëse nacionalistët serbë tradicionalisht shihnin këtë histori në termat e arritjes patriotike, Peroviqi përqendrohej në karakterin populist, antipluralist, anti-modern të partisë dhe ideologjisë së saj. Partia Radikale e Popullit e identifikoi veten me kombin serb në tërësinë e tij, refuzoi legjitimitetin e alternativave politike dhe në personin e liderit jetëgjatë të saj, Nikola Pashiq, u identifikua më shumë me Rusinë cariste sesa Perëndimin.
Radikalët vendosën traditën e besimit në “partinë-shtet”: identifikimi i të gjithë jetës kombëtare me një parti të vetme. Komunistët serbë, më vonë socialistët e Millosheviqit, trashëguan këtë traditë. Peroviqi, përkundrazi, u identifikua me Partinë Progresiste Serbe, themeluar më 1880 në konkurrencë me radikalët. Partia Progresiste favorizonte mbështetjen e Serbisë dhe modernizimin e saj në linjat perëndimore dhe liberale; prioritizonte lirinë individuale dhe ndarjen e pushteteve përkundrejt sundimit të pakufizuar të një shumice.
Peroviqi pa në traditën e Partisë Progresiste një alternativë pozitive serbe ndaj nacionalizmit populist, anti-pluralist dhe autoritar. Siç shkruante ajo, radikalët synonin një “shtet-popull” në të cilin “barazia sociale dhe unteti kombëtar ishin thjesht dy manifestime të së njëjtës ideologji”, ndërkohë që progresistët synonin një “shtet ligjor”.
Për historianë të “Serbisë tjetër”, shtegu drejt një Serbie më të mirë kërkonin shpërbërjen e klisheve patriotike që ushqenin perceptimin kryesor nacionalist të historisë së Serbisë. Mes më të shkëlqyerve të brezit të dytë të historianëve të kësaj tradite ishte Olga Popoviq – Obradoviq, e cila ishte e pamëshirshme ndaj historiografisë nacionaliste serb, duke dekonstruktuar mitin e “Epokës së Artë” të parlamentarizmit serb të periudhës 1903-1914.
Tradicionalisht, historianët kanë sugjeruar se, pas shkatërrimit të dinastisë mbretërore sunduese të Obrenoviqëve përmes një puçi në vitin 1903, pushteti i kaloi Partisë Radikale, politika parlamentare lulëzoi dhe Serbia e emancipoi veten ndaj ndikimit austro-hungarez dhe ndoqi “bashkimin dhe çlirimin kombëtar” (ose ekspansionit territorial).
Në punimin e vet inovativ ,“Parlamentarizmi në Serbinë e viteve 1903-1914”, publikuar më 1998, Popoviq – Obradoviq demonstroi se kjo ishte në fakt, një kohë kur një klikë oficerësh të ushtrisë serbe, krijuan me gjasë “Dorën e Zezë”, ndërhynë në politikë, rrëzuan ministra dhe terrorizuan politikanë dhe gazetarë, ndërkohë që radikalët dhe rivalët e tyre politikë demonizonin brutalisht njëri-tjetrin, akuzonin reciprokisht për marrëveshje tradhtie me fuqi të huaj dhe komplotonin me oficerët e sipërpërmendur kundër njëri-tjetrit.
Radikalët madje me raste edhe i vranë kundërshtarët e tyre. Kjo gjendje kontribuoi ndjeshëm në shpërthimin e luftës me Austro-Hungarinë në vitin 1914, ndezur nga vrasja e Arkidukës austriak, Franz Ferdinand, të cilën e kishin orkestruar anëtarët kryesorë të “Dorës së Zezë” dhe që qeveria e radikalëve kishte dështuar ta parandalonte. Ky konflikt që përshkallëzoi drejt Luftës i Botërore, asgjësoi një pjesë të madhe të popullsisë serbe dhe për pak sa nuk eliminoi ekzistencën e saj të pavarur kombëtare.
Ndaj, larg të qenit një “Epokë e Artë” e parlamentarizmit në Serbi, kjo ishte një periudhë e betejave të brendshme vicioze politike, kryesisht me karakter ekstra-parlamentar dhe ekstra-kushtetues dhe të katalizuar nga një nacionalizëm ekstrem, që kulmoi me fatkeqësi për vendin.
Emri “Serbia tjetër” lindi nga një përmbledhje esesh të publikuara më 1992, në të cilën Peroviq përshkruante regjimin autoritar-nacionalist të Millosheviqit, si shprehje të një dështimi historik të modernizimit të Serbisë. Ajo vërente: Është e domosdoshme jo vetëm të vihet në dukje esenca e vërtetë e simbiozës së socializmit shtetëror me nacionalizmin, por edhe të krijohet po ashtu një alternativë ndaj saj. Ndonëse nuk është ideuar formalisht si “Serbia tjetër”, kjo alternativë do të jetë pashmëngshmërisht ajo.
Ajo shkruante këto rreshta përpara sesa regjimi autoritar i Millosheviqit të tërhiqte Serbinë në pikën e saj më të ulët. Kjo erdhi më 1999, kur zgjatimet e politikave të tij vrasëse në Kosovë, shkaktuan ndërhyrjen dhe bombardimin nga NATO të Serbisë, duke detyruar tërheqjen e saj nga territori. Regjimi i diskredituar i Millosheviqit u përmbys vitin pasues në një kryengritjet që gërshetonte një mobilizim masiv popullor me një puç elite. Pasuesit e tij në pushtet ndaheshin nëse duhet të vazhdonin politikat e tij nacionaliste apo të ndiqnin një riafrim me Perëndimin dhe të reformoheshin përgjatë linjave liberal-demokratike.
Millosheviqi u zëvendësua si president i “Republikës Federative të Jugosllavisë” që përfshinte Serbinë dhe Malin e Zi, nga një tjetër nacionalist i vijës së ashpër, Vojisllav Koshtunica, ndërkohë që Zoran Xhinxhiqi, që ishte i angazhuar ndaj reformave liberale dhe orientimit perëndimor, u bë kryeministër i Serbisë.
Xhinxhiqi arrestoi Millosheviqin në prill 2001 dhe e deportoi atë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në qershor të atij viti, por kjo thyerje e guximshme metë shkuarën u frenua kur ai u vra në mars të vitit 2003, nga ish-anëtarë të Beretave të Kuqe – forcat speciale të dikurshme të Millosheviqit, që ishin thellësisht të implikuara në mizoritë e tij.
Serbia mbeti e ndarë mes impulseve nacionaliste-autoritare dhe liberal-reformiste, por ishin të parat që gradualisht predominuan, duke kulmuar me regjimin e tanishëm të Aleksander Vuçiq, një kundërpart i demagogëve populistë gjetkë si Orban, Erdoan dhe Natanyahu. Për Peroviqin, partia e Vuçiqit ishte trashëgimtare ideologjike e partisë Radikale të Nikola Pashiçqit. Ishte, në fjalët e saj: Një parti politike që refuzon Evropën Perëndimore, këmbëngul në një shtet kombëtar, unitet kombëtar, në përmbushjen e idealit kombëtar, pranimin e institucioneve evropiane pa substancën evropiane dhe që shërbejnë më shumë për mbulim.
Ndërkohë, Mali i Zi, i alienuar nga bllokimi nacionalist i Serbisë i integrimit të Federatës në Evropë dhe me Perëndimin, u largua për t’u bërë një shtet i pavarur në vitin 2006, teksa shtetet kryesore perëndimore njohën pavarësinë e Kosovës në vitin 2008. Fqinjët e Serbisë, Bullgaria dhe Rumania kishin qenë në anën e të mundurve në Luftën e Dytë Botërore dhe gjatë Luftës së Ftohtë, ato ishin shumë më të varfra sesa Serbia, qeveriseshin nga regjime komuniste të vijës së ashpër.
E, megjithatë, ato u bashkuan me NATO-n në vitin 2004 dhe BE-në në vitin 2007, ndërkohë që Serbia, popullsia e së cilës është gjerësisht krenare për rolin e saj në luftën kundër nazizmit, mbetet jashtë këtyre organizatave, falë paaftësisë për të refuzuar trashëgiminë e Millosheviqit dhe tranzicionin drejt një politike post-nacionaliste; ajo u tregua shumë ngathët në bashkëpunimin me Gjykatën Ndërkombëtare Penale dhe ende nuk ka vullnet të njohë pavarësinë e Kosovës.
Nacionalistët e hidhur serbë, njësoj si kundërpartët e tyre Radikalë një shekull më parë, e shohin Rusinë si aleatin e tyre natyral dhe sot mbështesin gjerësisht Putinin në luftën kundër Ukrainës.
Për Peroviqin dhe Popoviq-Obradoviqin, Serbia pas Milloheviqit konfirmoi vështirësinë e reformimit në linjat liberal-demokratike. Popoviq-Obradoviq shkroi në vitin 2004 mbi barrën e trashëgimisë anti-pluraliste, ultranacionaliste të Serbisë: Kryesisht indiferent ndaj çështjes së përgjegjësisë për luftën dhe krimet e luftës, elektorati në Serbi vijon të besojë promotorët e politikës së luftës, individët dhe partitë ultra-nacionaliste dhe origjinën populiste mashtruar nga retorika e tyre nacionaliste, arkaizmi i sheqerosur dhe mitomania si dhe nga demagogjia e tyre sociale e anti-kapitalizmit dhe anti-oksidentalizmit në përgjithësi.
Ajo vdiq tragjikisht nga kanceri më pak se tre vjet më vonë, në moshën 52 vjeç.
Trashëgimia e Peroviqit dhe Popoviq-Obradoviqit vazhdohet nga historianë të talentuar serbë që sfidojnë paradigmën hegjemonike nacionaliste, përfshirë Dubravka Stojanoviqin, Milivoj Beslinin, Branka Prpan, Olga Manojloviq-Pintarin dhe të tjerë si dhe nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut i Serbisë, që publikon shumë ese anti-nacionaliste. Sot, regjimi i Vuçiqit vijon të ndjekë një politikë irredentiste në marrëdhëniet me vendet fqinj. Ai ka mbështetur nacionalistët serbë mes pakicës serbe në Kosovë dhe Mal të Zi për të destabilizuar ato vende dhe minuar shtetësinë e tyre të pavarur, ndërkohë që mbështet regjimin e Milorad Dodikun në Republikën Srpska, entiteti serb në Bosnje-Hercegovinë, që punon hapur dhe aktivisht për të ndarë vendin.
Regjimi i Vuçiqit po ashtu refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë së Putinit për invazionin e saj të Ukrainës dhe abuzon me proceset demokraike dhe lirinë e medias në Serbi. Serbia e Dytë mbetet e nderuar, por si alternativë është e margjinalizuar.
Në shumë mënyra, fqinji i Serbisë, Kroacia ka ndjekur një trajektore të ngjashme. Njësoj si Serbia, Kroacia ishte një anëtare e Federatës Jugosllave dhe e qeverisur nga një regjim liberal-komunist në fund të viteve ’60 dhe fillim të viteve ’70, një periudhë që kulmoi me të ashtuquajturën “Pranvera Kroate”, një lulëzim demokratik i ngjashëm me Pranverën e Pragës së Aleksander Dubçekut në Çekosllovaki, përpara sesa të shtypej nga tanket sovjetikë më 1968. Njësoj si kundërpartët e vet serbë, lidershipi liberal-komunist kroat u rrëzua nga Tito më 1971, në emër të vendosjes së një rendi komunist më autoritar.
Kjo prodhoi një deficit demokratik afatgjatë dhe pati reperkursione negative për Kroacinë dhe Jugosllavinë në fund të viteve ’80, kur regjimi i Millosheviqit sulmoi rendin federal titist Jugosllav, duke eliminuar autonominë e Kosovës dhe Vojvodinës dhe dislokuar ushtrinë jugosllave për të shtypur rezistencën shqiptare përpara se të kërkonte ricentralizimin e Federatës jugosllave nën dominimin serb.
Ndonëse kjo qartazi kërcënonte Kroacinë, ishte fqinji më verior, Sllovenia, që priu rezistencën jugosllave ndaj Millosheviqit. Kroacia, e thyer nga pastrimet e fillimviteve ’70, u karakterizua gjatë kësaj periudhe nga e ashtuquajtura “Heshtja kroate”, gjatë së cilës lidershipi komunist u përpoq të shmangte çdo gjë që mund të interpretohej si pohim nacional kroat. Komunisti kryesor i tyre, Stipe Suvar, ishte një autoritar i linjës së ashpër që kërkoi bashkekzistencë me Millosheviqin.
E, megjithatë, kur sundimi njëpartiak përfundoi në Kroaci në vitin 1990, zgjedhjet e reja të lira u fituan nga Franjo Tuxhman dhe Unioni i tij Demokratik Kroat, nacionalist dhe antikomunist. Vetë Tuxhmani ishte një historian dhe ishte persekutuar dhe burgosur gjatë shtypjes së Pranverës Kroate, por në pushtet ai riprodhoi nacionalizmin autoritar të Millosheviqit. Një ish-komunist, ai vijoi të nderonte Titon në disa mënyra dhe imituar atë, deri edhe në shijet për uniformat ceremoniale.
Pas fitoreve elektorale të antikomunistëve dhe nacionalistëve në Kroaci dhe Slloveni, regjimi serb braktisi përfundimisht mbështetjen për një Jugosllavi të unifikuar dhe u përpoqën të përzënë me forcë dy republikat nga Federata, ndërkohë që në të njëjtën kohë tentonin me dhunë të copëtonin Kroacinë dhe të vendosnin kontrollin serb mbi një pjesë të madhe të territorit të saj. Ndonëse agresioni ushtarak kundër Kroacisë e detyroi një Tuxhmanin ngurrues që të drejtonte një luftë mbrojtëse kundër Beogradit, impulsi i tij dominues ishte arritja e një mirëkuptimi me Millosheviqin, kolegun e vet të fuqishëm nacional-autoritarist të post-komunizmit, që do të përfshinte ndarjen e Bosnje-Hercegovinës fqinje.
Kjo çoi në bisedime mes Tuxhmanit dhe Millosheviqit në mars të vitit 1991 në Karagjorgjevo të Vojvodinës ku u fol edhe për mundësinë e ndarjes së Bosnjës. Për një trill të historisë, kishte qenë në Karagjorgjevo ku Tito ishte takuar me liberal-komunistët kroatë më 1971 për t’i informuar ata që t’i jepnin fund eksperimentit të tyre.
Instinkti i Tuxhmanit për të bashkëpunuar me Millosheviqin çuan në përmbajtje dhe pengim të përpjekjeve për t’u vetëmbrojtur të Kroacisë nga agresioni serb i vitit 1991, duke sjellë si përfundim që forcat kroate të luftonin kundër ushtrisë boshnjake si partnerë të rinj të serbëve në projektin gjenocidal të këtyre të fundit të shkatërrimit të Bosnje-Hercegovinës.
Kjo ishte, nga perspektiva e interesave kombëtare kroate, jo vetëm imorale, por edhe vetëvrasëse: humbja e Bosnjls përpara gushtit 1995, do t’i kishte dhënë fund luftës me forcat serbe që ende mbanin të pushtuar afërisht një të tretën e Kroacisë. Kjo do të thoshte ndarje e Kroacisë njësoj si Qipro pas invazionit turk dhe pushtimit të një të tretës në veri më 1974 – komuniteti ndërkombëtar vijoi njohjen në letër të integritetit territorial qipriot që nuk ka asnjë efekt në terren.
Disa prej kundërshtarëve më të ashpër dhe të vendosur të Tuxhmanit (edhe Millosheviqit) vinin nga radhët e historianëve. Më prominenti prej tyre ishte Ivo Banac, autori i veprës së njohur të vitit 1984, “Çështja Nacionale në Jugosllavi: Origjina, historia, politika”. Ndërsa pjesa më e madhe e studiuesve perëndimorë të Jugosllavisë, supozonin në mënyrë të thjeshtuar se nacionalizmi serb, kroat dhe ai i çdo populli jugosllav ishte monolit, Banac demonstroi se dallimet mes ideologjive nacionale brenda secilës kombësi ishin po aq të rëndësishme sa ato mes kombësive të ndryshme.
P.sh., serbët ndaheshin mes mbështetësve të “Serbisë së Madhe” dhe atyre të një shtetësie unitare jugosllave, mes atyre që donin të emfatizonin dallueshmërinë serbe dhe epërsinë ndaj atyre që donin ta zhbënin këtë dallueshmëri dhe ato të të tjerëve në një entitet homogjen jugosllav.
Njësoj si Peroviqi dhe Popoviq-Obradoviqi, Banaci kuptoi rëndësinë e pluralizmit dhe rrezikun që përfaqësonte çdo përpjekje për të homogjenizuar një komb pas një ideologjie nacionale uniforme. Ai nuk mund t’ia falte Tuxhmanit që shpërdoroi një mundësi historike për të krijuar një Kroaci pozitive duke refuzuar shovinizmin dhe intolerancën: Tuxhman hyri në strukturën e paprekur të një regjimi të dështuar pa një revolucion, pa gjakderdhje, madje pa një demonstrim që do të provokonte një reaksion nga policia ende aktive e atij regjimi. Kjo shkonte në favor të tij, por vetëm me një kusht: që ai ta drejtonte energjinë kombëtare në shpërthim në drejtimin e krijimit të një shoqërie të shëndetshme, një vendi të lirë dhe të pavarur, me institucuione të forta përfaqësuese, ekonomike dhe të mbrojtjes, me të gjitha tiparet e një kulture demokratike, me respekt të sinqertë për të gjitha normat morale, ligjet dhe të drejtat, që vlejnë për të gjitha qeniet njerëzore.
Nëse Tuxhmani do ta kishte përmbushur këtë detyrë, natyrisht me ndihmën e të gjithë asaj që është e mirë te populli kroat, do me siguri do të kishte qenë një ndër karakteret më të mëdhenj të historisë sonë dhe vepra e tij do të mbijetonte. Por ai e shpërdoroi atë shans
Banac iu kundërvu përpjekjeve të Tuxhmanit për homogjenizimin etnonacionalist të kroatëve, duke argumentuar se tradita unike e Bosnje-Hercegovinës si një komunitet multietnik i serbëve, kroatëve dhe myslimanëve boshnjakë, duhej respektuar; boshnjakët kroatë duheshin kuptuar si pjesë e atij komuniteti tradicional multietnik boshnjak, jo thjesht si pjesë e një kombi homogjen kroat të destinuar për t’u aneksuar në shtetin kroat. Shumë kroatë të tjerë të njohur iu kundërvunë politikave anti-boshnjake të Tuxhmanit dhe për rrjedhojë Kroacia ishte më e ndarë sesa Serbia rreth agresionit të saj ndaj Bosnjës.
Mes kritikëve ishin figura të tilla si gjenerali Martin Spegel, ish-ministri i Mbrojtjes së Kroacisë dhe themelues i ushtrisë së saj si dhe Stjepan Mesiq, që do të pasonte Tuxhmanin si president i Kroacisë së pavarur. Siç vinte në dukje Banaci në vitin 1993, “Politika boshnjake e dr. Tuxhmanit është një nga katastrofat më të mëdha të politikës kroate në shekullin e 20-të. Për këtë nuk ka asnjë fije dyshimi”. Ai publikoi një letër në “New York Review of Books” në gusht 1993, krahas tre intelektualëve të tjerë kroatë, përfshirë historianen Branka Magas, në të cilën thuhej se:
Ne ndjejmë një detyrim të veçantë të kërkojmë nga Republika e Kroacisë që të mbështesë plotësisht dhe në mënyrë të pakushtëzuar pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e Bosnje-Hercegovinës, në përputhje me vullnetin e shprehur demokratikisht të popullit të saj dhe deklaratave të së shkuarës të Kroacisë
Letra dënonte entitetin separatist kroat të krijuar në Bosnje nga Tuxhmani dhe mbështetësit e tij në territorin e Bosnjës si “një instrument i agresionit territorial mbi Bosnje-Hercegovinën”, ndonëse “njihte qeverinë në Sarajeve si të vetmin burim legjitim autoriteti në vend, duke bashkëpunuar sinqerisht me të në të gjitha përpjekjet për të mbrojtur vendin dhe promovuar kauzën e tij në të gjitha forumet ndërkombëtare”.
Po kështu, Banaci theksonte vetë traditën e Kroacisë të bashkëjetesës multietnike që përfshinte kroatë, serbë dhe të tjerë, duke hedhur poshtë kështu prirjet e nacionalistëve kroatë tuxhmanistë për t’i parë serbët e Kroacisë si të padëshirueshëm, një element i huaj kombëtar. Në tetor të vitit 1996, pas fundit të luftës, ai mbajti një fjalim të rëndësishëm në një konferencë të titulluar, “Serbët në Kroaci – dje, sot, nesër”, organizuar në Zagreb nga Komiteti i Helsinkit Kroat, në të cilën ai vuri në dukje se Kroacia ishte një komunitet historikisht pluralist dhe se serbët kishin qenë pjesë e historisë kroate, se “pavarësia shtetërore e Kroacisë nuk do të jetë e plotë nëse ajo nuk pranon serbët po ashtu” dhe se “kthimi i serbëve është i dëshirueshëm nga perspektiva e interesave kroate”.
Njësoj si Peroviqi dhe Popoviq-Obradoviqi, Banaci e pa të konfirmuar kritikën e tij. Në Marrëveshjet e Paqes në Dejton, arritur në nëntor-dhjetor 1995, të cilat i dhanë fund luftës në Bosnje, separatistët kroatë të Bosnjls nuk morën entitetin territorial për të cilin kishin luftuar, në dallim nga separatistët serbë boshnjakë, Republika Srpska e të cilëve u ligjërua.
Por, Kroacia mbeti e mbërthyer nga trashëgimia e Tuxhmanit. Mungesa e vullnetit të saj për të bashkëpunuar me Gjykatën Ndërkombëtare do të thoshte se, ndonëse kishte qenë një ndër republikat më liberale dhe të zhvilluara komuniste të Evropës së para viteve 1990, iu bashkua NATO-s vetëm në vitin 2009 dhe BE-së në vitin 2013, shumë më vonë sesa Rumania dhe Bullgaria, ndërkohë që në vitin 2013, Gjykata Ndërkombëtare Penale dënoi oficerë të lartë kroatë boshnjakë për krime serioze dhe implikoi Tuxhmanin vetë, tashmë i vdekur, si pjesëtar në një “sipërmarrje të përbashkët kriminale” për të zhvendosur popullsinë myslimane nga zonat e kontrolluara nga kroatët në Bosnje.
E ndonëse Tuxhmani nuk e përmbushi dot ëndrrën e tij për të ndarë Bosnjën dhe krijuar Kroacinë e Madhe, ai do të kujtohet në histori si një bashkë-autor në agresionin vrastar të Millosheviqit.
Banac vdiq në vitin 2020, por megjithatë historianë të tjerë kroatë si Ivo Goldstein, Tvrtko Jakovina dhe Josip Glaurdiq vazhdojnë të sfidojnë paradigmat nacionaliste kroate. Serbë dhe kroatë, kundërshtarë të ndarjes së Bosnjës, kanë bashkëpunuar për dekada. Në një përmbledhje esesh, si kontribut për të nderuar Banac, publikuar pak pas vdekjes së tij, Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, vinte në dukje vëzhgimin e tij se “rrënjët e shpërbërjes së Jugosllavisë qëndrojnë në vitet ’70 kur Kroacia dhe Serbia, si dy republikat më të mëdha, ofruan zgjidhje të reja” dhe komentonte: Ai e konsideronte një gabim të madh zëvendësimin e liberalëve serbë, që kishte qenë lidershipi më evropian i saj. E njëjta gjë mund të thuhet për Kroacinë. /Burimi: New Lines Magazine/ Përkthimi me shkurtime dhe titulli në shqip: Skerdilajd Zaimi/Dita/
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëGoditje e rëndë për Donald Trumpin - gjykatësi amerikan ia bllokon një prej urdhrave kryesore ekzekutive
"S'është i besueshëm për SHBA-në", Kurti e komenton deklaratën e Grenellit
“Siç të kam thënë, të uroj fitoren” - Olta reagon pas mesazhit që i shkoi Rozanës në Big Brother: Nuk është e vërtetë, nuk jam çmendur
Kërkohet shtrenjtimi i energjisë elektrike në Kosovë, rreth 35 për qind
Të penduar që e larguan, Laporta dëshiron ta rikthejë lojtarin që i takon Bayern Munichut
“Flej me ty e zgjohem me ty, dashuri më të fortë në jetën time nuk kam provuar” - Livia përlotet nga mesazhi që merr nga Mevlani?
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari
Loredana dhe Valbona nuk mund të këndellen nga ikja e Jozit prej BBVA, vazhdojnë të qajnë dhe vajtojnë teksa lexojnë letrën e tij
"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit
"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim
Katër shembuj të “mbështetjes së pafund” të Trumpit për Izraelin