LAJMI I FUNDIT:

Kurrë nuk e themi shkakun, se pse u vonuam?!

Kurrë nuk e themi shkakun, se pse u vonuam?!
Ilustrim

Kësaj teme pak a shumë i janë shmangur edhe historianët. Historia e pushtimeve të shumta të Ballkanit, veçmas të tokave shqiptare, dëshmon se pikërisht pasanikët bëheshin të parët luajalë ndaj çdo pushtuesi dhe këtu godiste i ardhuri. Ky fakt dëshmohet gjatë çdo pushtimi. Edhe romakët i kishin njohur mirë popujt (fiset) e Ballkanit, para së t’i pushtonin. Osmanët nuk erdhën fill me ushtri, por më parë studiuan mirë të gjitha tiparet e atyre popujve që do t’i nënshtronin.

Kur pushtuesi përvetësonte dhe nënshtronte të pasurit, revolta e shtresës së varfër kulmonte më së paku me bojkotimin e këtyre bashkëpunëtorëve.

Ankesat tona për krejt problemet që kanë përcjellë shoqërinë tonë janë pjellë e jona, dhe ato nuk janë të panjohura për botën.


Për të shikuar mbrapa, më nuk ka kohë. Në histori i kemi thurur vetes vetëm lavde, duke u ankuar gjithmonë për pushtuesit. Nuk ka nevojë të kthehemi para epokës së re, kur Ilirinë e fiseve e pushtuan romakët.

Në librat e historisë i akuzojmë romakët. Pastaj për mbi një mijë vjet ishte Perandoria Romake e lindjes të cilën e njeh historia me emrin Bizanti. Çka kishte Bizanti, e çka kishin apo nuk kishin fiset arbërore nën Perandorinë e Bizantit?

Krejt çka shkruhet në histori dhe çka bisedohet për këtë periudhë janë tri katër fjali lavdesh për perandorin e Bizantit, Justinianin. Fyt për fyt përlahemi mes veti se ai Justiniani ka qenë shqiptar?! E çka? Ai ishte perandor i Bizantit.

Faktet dëshmojnë se u desh të vinte një pushtues nga Azia që ta pushtonte Kostandinopojën. Perandori osman i printe ushtrisë e nuk kishte rival që i bënte ballë shpatës së tij, sepse kishte ushtri të organizuar në katër gjini, që për kohën nuk e kishte askush në botë. Derisa nuk kishte rënë akoma Kostandinopoja, ushtria osmane u shtri gati në gjithë Ballkanin.

Çfarë pozite politike kishin këto principata përbrenda Perandorisë së Bizantit?

Me këtë çështje manipulojnë të gjithë popujt e Ballkanit pa përjashtim.

Deri ku shtrihej njëra principatë e deri ku tjetra, burime të besueshme nuk ka. Hartat i vizatonin me laps klerikët e kohës për nevoja të brendshme të kishës?

Kisha ortodokse serbe manipulonte me harta të vizatuara me laps dhe këtë e bënte për nevoja të brendshme duke propaganduar temat të cilat as nuk i prekte dot në terrenin real brenda Perandorisë së Bizantit.

Kishte në Bizant ca principata e princër arbër që nuk bënin dot paqe mes veti. Janë këta shekuj të tërë kur fjala komb nuk njihej as si shprehje.

Identifikimi i njerëzve bëhej vetëm sipas përkatësisë fisnore e fetare.

Konstruktimi i historisë për ta provuar me fakte gjendjen reale vetëm një shekull mbrapa, është tepër i zorshëm, në mos i pamundur fare. Pesëqind vjet të sundimit otoman janë kohë e gjatë.

Për 500 vjet shumë ujë kishte kaluar nëpër lumenjtë e Ballkanit, drejt deteve. Kishte ndodhur edhe njëfarë shtresimi i popullit në klasa. Dihet saktë se me kalimin e kohës pjesa dërmuese e administratës ishin klerikë vendas luajalë ndaj perandorit. Kleri, hoxhallarë, priftërinj e peshkopë ortodoksë, kishin detyrë e obligim të zbatojnë detyrat ndaj Perandorisë Osmane, pa diskutim.

Shkolla kishte, por në gjuhen e Perandorisë, gjë që ishte krejt normale për një perandori.

Për organizim të arsimit kërkohet punë, kohë, mund e mjete për të përgatitur infrastrukturën dhe kuadrin. Ata që kishin pasuri të mjaftueshme, shkolloheshin jo vetëm në Stamboll, por edhe nëpër qendra të njohura të shteteve evropiane. Shumë ankesa që i dëgjojmë edhe sot janë krejt humbje kohe. Historia e ngritjes së një kombi fillon vonë, e te ne edhe më vonë.

Kurrë nuk e themi shkakun pse u vonuam?

U vonuam sepse mes veti marrëdhëniet i kishim në fund të pusit. Përçarja mes nesh nuk është kaluar as sot e kësaj dite. Rrejmë hapur! Kur vjen puna, secili lakmon të jetë i pari me çdo kusht, dhe aty pastaj del pushtuesi. Ai dikton rregullat. Edhe nën pushtim, bajraktarizmi nuk lëshon pe për të rrëmbyer ndonjë pozitë lokale, krejt në shërbim të pushtuesit. Secili voton për bajrakun e vet me çdo kusht. Askush nuk bindet për të votuar më të mirin edhe sot e kësaj dite.

T’i lëmë shekujt!

Shpallja e pavarësisë me 28 nëntor 1912: Pas shumë shekujsh përplasjesh mes veti, më 1908 u themelua alfabeti i përbashkët i gjuhës shqipe. U bë a? Në Manastir u tubua elita intelektuale shqiptare e kohës. Disa ditë pati përplasje të forta. Toleranca ngadhënjeu. Për të marrë këtë vendim nuk ishin shumë njerëz, por mjaftueshëm sa duheshin për të shpallur pak më vonë pavarësinë e Shqipërisë?

Sa njerëz duheshin për ta mbrojtur pavarësinë që do të shpallej më 1912?

E ka ditur mirë pashai Ismail Qemali.

A kishte ushtri ai? A kishte polici ai? Kishte administratë ai?

Jo, asnjërën!

Të gjitha këto të meta i dinin fqinjët tanë dhe si hienat prisnim të gatshëm të copëtojnë tokat ku flitej shqip.

Edhe pas pastrimit etnik të Toplicës, fare pak njerëz tanë kishin menduar për atë që po i priste në vitet vijuese.

Prapë religjionet e kishin fjalën kryesore. Tri fe më të mëdha edhe disa më të vogla, sado që rrejmë së kishin një qellim, e vërteta është krejt tjetër. A pajtoheshin mes veti? Tepër me zor, për të mos thënë kurrë. Edhe sot e kësaj dite përfaqësuesit shqiptarë të tri religjioneve rrejnë akoma para publikut që pajtohen, por ata pajtohen vetëm për të ngrenë e për të pirë.

Fqinjët kishin bërë plane pak më herët! Nuk kishte ndonjë ushtri Serbia për të pushtuar asgjë, por në ato kushte që kishte, rreshtoi krejt burrat që pati dhe me detyrim i nisi në marshin e pushtimit të tokave shqiptare, gjithnjë duke llogaritur mirë përparësinë që ia japin përçarjet e papajtueshme mes shqiptarëve.

Një ushtri serbe krejt leckamane e pa mbathje, marshoi nëpër trojet shqiptare, pasi shqiptarët nuk kishim bërë ushtri akoma.

Bejlerët e agallarët po mendonin se kufijtë ua mbron ushtria osmane?! Nuk mungoi kurrë rezistenca individuale atdhetare, por për të bërë shtetin duhej edhe shumë punë e përbashkët, për të cilën nuk ishim gati ta bëjnë as ata që ishin të pasur të cilët nuk kërkonin nga pushtuesi asgjë, pos që të kenë garanci për pasurinë e tyre. Pa ushtri e polici të rregullt, pa administratë të aftë, gjasat për të bërë diçka më shumë ishin barazi me zero. Hapja e shkollave në gjuhën amtare kërkon kohë, mund e mjete. Duhet kuadër arsimor për gjithë territorin.

Një shembull që është dëgjuar rrallë, por dëshmon se për të hapur shkollat në atë kohë nuk mjaftonte vetëm vullneti e dëshira.

Ne fund të vitit 1912, pasi që Porta e Lartë pranoi formimin e Vilajetit autonom shqiptar, që do të përbehej nga katër Vilajetet e deritashme, Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia së bashku sulmuan Perandorinë Osmane dhe gjatë Luftës së parë Ballkanike pushtuan dhe ndanë mes tyre thuaja gjithë territorin otoman në pjesën evropiane, përfshirë edhe gjithë territoret e banuara me shumicë shqiptare.

Serbia më herët kishte pushtuar krahinën e Toplicës të banuar me shqiptarë, pastaj Vilajetin e Kosovës me kryeqytet Shkupin dhe pjesën më të madhe tokësore të Shqipërisë dhe mbi 300 kilometra të bregdetit shqiptar. Serbia synonte të dalë ne det, dhe këtë operacion e konsideronte me rëndësi strategjike.

Ne fund të viti 1912, korpusi bregdetar serb i ushtrisë okupoi të gjitha pjesët veriore të Shqipërisë, përveç Shkodrës. Qeveria e Serbisë dëshironte që para pranimit te pavarësisë së Shqipërisë të pushtonte tokat shqiptare, duke arsyetuar pretendimet e saja territoriale me gjendjen para pushtimit osman në mesjetë.

Shtrohet pyetja për shtrirjen territoriale të Arbërisë? Serbia njihte mirë atëherë e sot argumentin etnik, prandaj kishte plan strategjik për pastrimin etnik të tokave shqiptare me çdo dhunë. Qëllimi serb ishte që të arsyetojë pretendimet territoriale përmes pastrimit etnik dhe manipulimit statistikor para konferencës se fuqive të mëdha në të cilën do te përcaktoheshin kufijtë.

Kur shqiptarët shpallën pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë, ushtria serbe kishte pushtuar pjesën më të madhe të vendit duke depërtuar deri afër Vlorës.

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë dha alarmin për të gjithë. Filloi presioni i fuqive të mëdha te cilat nuk donin të lejojnë zgjerimin e ndikimit rus përmes Serbisë në Adriatik.

Në Konferencën e Londrës, me 30 maj 1913, Austria e Italia, për të ndalur ekspansionin rus përmes Serbisë, konfirmuan formimin e shtetit të pavarur shqiptar, por në fillim si protektorat i fuqive të mëdha.

Qeveria serbe nuk donte të tërhiqej dhe në qershor 1913, kryministri serb Nikolla Pashiqi dhe ai grek Eleftherios Venizelos, bënë marrëveshje për ndarjen e Shqipërisë. Pjesa veriore e Shqipërisë deri në Shkumbin do t’i takonte Serbisë, ndërsa ajo jugore Greqisë .

Nën presionin e Austro-Hungarisë, Serbia përfundimisht u detyrua të largohet nga Shqipëria.

Në fillim të vitit 1913, ushtria serbe iu bashkua asaj malaziase në rrethimin e Shkodrës, të vetmit qytet në veri të Shqipërisë që kishte mbetur akoma pa pushtuar. Shkodrën e mbronin 13 600 ushtarë me 96 topa dhe afër gjashtë mijë vullnetarë shqiptarë, disa muaj nën komandën e Hasan Riza Pashës e, pas vrasjes së tij, nën komandën e Esat Pashë Toptanit. Pas një rrethimi të gjatë kohor dhe humbjeve të mëdha, Shkodra u pushtua përkohësisht në muajin prill, por fuqitë e mëdha ua bën me dije Serbisë e Malit te Zi se pa marr parasysh epilogun e çastit, Shkodra do t’i mbetet Shqipërisë.

Derisa në territoret e pushtuara nga Serbia, shqiptarët ishin popull shumicë dërmuese, Serbia mbështetej kryesisht në projekte politikanësh të saj.

Pasi shqiptarët po luftonin bashkë me turq kundër serbëve, ata duhet të ndajnë fatin me otomanët, thoshin serbët.

Ushtria serbe, pas aq shumë krimesh dhe masakrash që kishte bërë parë mbi popullin shqiptar, erdhi çasti që të kërkonte shtegdalje bash nëpër Shqipëri. Në kaos të plotë duke ikur nga ushtria austro-hungareze, kolonat e ushtrisë serbe ikën nëpër Kosovë drejt Shqipërisë në një kohë kur rrugët as nuk mund të quheshin rrugë. Depërtimi nëpër Grykën e Rugovës ishte i pamundur me ato mjete që kishin serbët. Aty hodhën krejt armatimin e rëndë dhe qerret e kuajve. Ngarkuan çka mund të ngarkonin mbi kuaj dhe të gjithë njëri pas tjetrit mësynë shtigjeve malore të bjeshkëve të Shqipërisë Veriore. Në stinën e dimrit, depërtimi këmbë dukej krejt i pamundur. Asnjëherë nuk janë numëruar sa ushtarë serb kanë lënë kockat në grykat e maleve shkëmbore të Shqipërisë.

Një anekdotë thotë: “Anglezët e francezët që po prisnin arritjen e ushtrisë serbe në Durrës, kishin përgatitur ushqim për treqind mijë ushtarë serbë, por aty nuk arritën të gjallë më shumë se 150 mijë.

Edhe tek serbët, nga ajo ditë ekziston thënia për ketë ikje drejt vdekjes në malet e ngrira të Shqipërisë: “Askush nuk di çka është vuajtja, pa kaluar këmbë Shqipërinë”!

Aty-këtu në historinë shqiptare flitet për një marrëveshje mes Ahmet Zogut dhe Krajlit serb për të ndihmuar tërheqjen e ushtrisë serbe nëpër territorin e Shqipërisë, por dihet mirë se atë tërheqje e kishin garantuar Britania dhe Franca, të cilat do t’i prisnin ushtarët serb në Durrës, prej nga do t’i transportonin në ishullin Korfuz të Greqisë.

Edhe pas Luftës se Parë Botërore, ideja serbe për të siguruar dalje në detin Adriatik mbeti hapur në tavolinat e qeverise në Beograd. Sërish në vitin 1918, ushtria serbe sulmoi Shkodrën, por shpejt u detyruan të tërhiqen me vendim të fuqive të mëdha.

Gjatë viteve 1918-19, trupat e ushtrisë serbe depërtuan thellë në brendi të Shqipërisë. Konferenca e paqes në Paris me 919 ia dha mandatin Italisë për administrimin e shtetit shqiptar nën mbikëqyrjen e Lidhjes së Kombeve. Edhe në këtë Konferencë, Serbia përsëriti kërkesën për të marr pjesën veriore të Shqipërisë deri në lumin Drin me gjithë Shkodër. Gjatë kësaj kohe trupat serbe kishin okupuar pjesë të territorit shqiptar në Dibër dhe në Mat.

Në fillim të viti 1920, për shkak të rezistencës shqiptare, italianet u detyruan të tërhiqen nga Shqipëria. Me formimin e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (MSKS), Serbia serish u përpoq te depërtonte në Shqipëri, nëpër luginën e Drinit dhe Shqipërinë lindore. Në vitin 1921 Qeveria serbe nënshkruan një marrëveshje me kreun Mirditës, përkatësisht me Gjon Markagjonin për krijimin e një republike të pavarur të Mirditës, në veri të Shqipërisë, por të cilën do ta mbronte ushtria serbe dhe do ta përfaqësonte qeveria e Beogradit. Më 1921, bashkë me Greqinë filloi një lufte agresive kundër Shqipërisë dhe për këtë zhvillim njoftonte gjithë shtypi botëror dhe Lidhja e Kombeve. Megjithatë Konferenca e Ambasadorëve në Paris i konfirmoi kufijtë e Shqipërisë nga viti 1913. Shqipëria u pranua shtet sovran e i pavarur. Tentativa serbe për të ndryshuar kufirin andej nga Shkodra dhe Drini, u hodh poshtë.

Qeveria serbe vazhdoi të destabilizonte Shqipërinë duke përkrahur separatizmin e shqiptarëve katolikë në veri  të ashtuquajturën Republikë e Mirditës).

Edhe në vitet në vazhdim ideja serbe për okupimin e Shqipërisë vazhdoi të ketë rol të madh. Gjate vitit 1930 u paraqit projekti antishqiptar i Ivo Andriqit, i cili aso kohe ishte ambasador i Serbisë në Berlin.  Në janar të vitit 1939, Milan Stojadinoviqi paraqiti projektin për ndarjen e Shqipërisë ndërmjet Jugosllavisë dhe Italisë, sipas te cilit projekt Serbia do të merrte Shqipërinë veriore bashkë me Durrësin. Gati në të njëjtën kohë është paraqitur edhe projekti i Ivan Vukotiqit. Sipas projektit të tij, Italia dhe Serbia duhet ta ndajnë Shqipërinë në vijën Strugë-Librazhd-Elbasan-Durrës dhe kështu Serbia do të merrte edhe 300 kilometra bregdet.

Çka ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore?

Komunizmi doli me programin e vet dhe drejtoi luftën krejt duke u mbështetur në shtresën e varfër. Serbët, edhe me këtë rast shfrytëzuan dobësitë shqiptare. Në emër të ndihmës internacionale komuniste, jugosllavët dërguan emisarë komunistë kinse për të ndihmuar formimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Kujt duhet kujtuar Konferencën e Mukjes?

Gjithmonë duke përfituar nga përçarja e brendshme shqiptare, Serbia me emrin Jugosllavi vazhdoi destabilizimin e Shqipërisë.

Në trend

Më shumë
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Botë
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Premier League
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme

"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'

Botë
Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Evropa
Cana thyen heshtjen dhe flet për përballjen Rumani - Kosovë: Dardanët nuk e kanë vendin në Ligën C

Cana thyen heshtjen dhe flet për përballjen Rumani - Kosovë: Dardanët nuk e kanë vendin në Ligën C

Përfaqësuesja e Kosovës
Kalo në kategori