LAJMI I FUNDIT:

Rekord largimesh në 2022-shin, BE dha 74 mijë leje qëndrimi për shqiptarët

Rekord largimesh në 2022-shin, BE dha 74 mijë leje qëndrimi për shqiptarët

Viti 2022 ka shënuar numrin më të madh të shqiptarëve të larguar drejt vendeve të BE-së që nga viti 2010.

Të dhënat e INSTAT raportojnë për afro 74 mijë shtetas shqiptarë që gjatë viti 2022 kanë marrë leje qëndrimi në një nga vendet e unionit, duke konstatuar kështu një rritje me 34% të krahasuar me vitin 2021.


Në 2014-tën, u vu re një rënie e numrit të lejeve të qëndrimit që jepeshin për shqiptarët, çka nënkuptonte një ulje të kërkesës së tyre për të jetuar jashtë vendit dhe mbarimin e një cikli migrator.

Megjithatë në 2015-të, u vu re një tjetër valë largimesh, që sipas të dhënëve të INSTAT arriti në 70 mijë persona për këtë vit.

Në vitin 2020 u vu re sërish një rënie e numrit të lejeve të qëndrimit të jepeshin për shqiptarët, kjo për shkak të pandemisë, por megjithatë, një trend I ri largimesh u vu re sërish pas pandemisë.

Për 2022-shin Italia kryeson me afro 35 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë, ndjekur nga Greqia me 14.3 mijë dhe Gjermania me 13.3 mijë.

Nga viti 2008, kur INSTAT ka publikuar të dhënat e para, numërohen gjithsej 832 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë që kanë lënë vendin e tyre dhe kanë marrë leje qëndrimi në një nga vendet e BE-së. /Telegrafi/