LAJMI I FUNDIT:

Nis korrja e grurit në Maliq, fermerët të pakënaqur me çmimin

Nis korrja e grurit në Maliq, fermerët të pakënaqur me çmimin

Javët e para të korrikut përkojnë me ditët e para të korrjes së grurit në fushën e Maliqit.

Prodhimi këtë vit është i kënaqshëm për fermerët e kësaj zone, por dhimbja e kokës për ta duhet të vazhdojë, pasi çmimi është gati sa gjysma e vitit të kaluar.

Sipas fermerëve, çmimi prej 25 lekësh për kilogram bën që ata të dalin me humbje apo marrin vetëm shpenzimet e tyre dhe mos shohin asnjë fitim.


“Jemi llafosur me gjithë sipërmarrësit që marrin drithin, çmimi ka shkuar më 250 lek të vjetra. Kjo është katastrofë. Vjet ka qenë 450-500, ministrja bëri thirrje që mbillni grurë, tani gruri nuk shkon fare. Tani jemi totalisht të dështuar”, tha fermeri Lili Mucollari për Euronews Albania.

“Po te besh llogari me këtë çmim i bie kot sa kemi punuar. Punimet i kemi bëre me çmimet e shtrenjta, nafta, plehrat, qeraja e tokës, me 250 lek ose merr bukën e gojës ose viri zjarrin, po nuk vlen. Del me humbje po te llogaritësh shpenzimeve nuk mbulon dot kostot”, tha Cone Veriu.

“Nuk leverdis hiç, se nuk dalin shpenzimet, as plehu kimik, as nitrati. Po ta shes me këtë çmim dal me humbje”, tha Hysni Bego.

I revoltuar, njëri nga fermerët fajëson qeverinë për situatën në treg, duke treguar se mundësitë janë tepër të mëdha për ta lënë tokën djerrë vitin e ardhshëm

“Ky është një problem i madh, nuk e di, qeveria nuk dha zgjidhje dhe ne fermeret jemi të dështuar. Gjysma e çmimit i fundos gjithë fermerët. Nuk u mor asnjë masë. Rrezik që nuk do e mbjellim më. Edhe pse ligji është që duhet mbjellë se ndryshe gjobitesh, por qeveria na çon për të korrur dhe na fshen draperinjtë, ne mbjellim, ata nuk marrin prodhimin”, tha tha fermeri Lili Mucollari.

Në fushën e Maliqit janë 4392 hektarë tokë të mbjella me grurë, 403 hektarë elb dhe 84 hektarë thekër. /Telegrafi/