LAJMI I FUNDIT:

Të paktën 78 të vdekur pas një rrëmuje në kryeqytetin e Jemenit

Të paktën 78 të vdekur pas një rrëmuje në kryeqytetin e Jemenit

Të paktën 78 persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e një rrëmuje në një shkollë në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa ku po shpërndaheshin pako bamirësie për Ramazan.

Pamjet e publikuara në mediat sociale tregojnë skena kaotike pas incidentit në zonën Bab-al-Yemen.

Agjencia e lajmeve reuters raporton se qindra njerëz u mblodhën në shkollë për të marrë donacionet, të cilat kapin shumën e rreth 9 dollarëve për person.


Rebelët Houthi e kanë drejtuar qytetin që kur dëbuan qeverinë në vitin 2015, raporton bbc.

Personat që dyshohet se janë përgjegjës për shpërndarjen e ndihmave janë arrestuar dhe një hetim është duke u zhvilluar, njoftoi ministria e brendshme. Një zëdhënës i ministrisë fajësoi zyrtarët e shpërndarjes së fondeve.

Agjencia e lajmeve Associated Press citon dy dëshmitarë okularë të cilët thanë se luftëtarët Houthi kishin qëlluar në ajër në një përpjekje për të kontrolluar turmën, ku njëri prej plumbave ka goditur një tel elektrik që rezultoi në një shpërthim. Kjo shkaktoi panik tek njerëzit, të cilët e krijuan rrëmujën.

Ngjarja ka ndodhur gjatë ditëve të fundit të muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit, i cili shënohet me një periudhë agjërimi.

Javën e kaluar filloi një shkëmbim i madh i të burgosurve midis palëve ndërluftuese në Jemen, i parë si pjesë e përpjekjeve të shtuara për t’i dhënë fund konfliktit shkatërrues tetë-vjeçar. /Telegrafi/