LAJMI I FUNDIT:

Ambasada gjermane në Shkup: Qytetarët të mos bien preh e mashtrimeve për vizat e punës

Ambasada gjermane në Shkup: Qytetarët të mos bien preh e mashtrimeve për vizat e punës

Nga Ambasada e Gjermanisë në Shkup përmes një njoftimi sot kanë apeluar tek qytetarët që të kenë kujdes dhe mos të bien preh e mashtrimeve në lidhje me marrjen e termineve për viza pune.

Nga kjo Ambasadë kanë përmendur rastin e fundit me arrestimin e dy grave nga Gostivari për mashtrim me viza, ndërkaq japin disa këshilla për kujdes edhe në sigurimin e certifikatave për njohje të gjuhës.

“Të nderuar aplikues, një ndarje e drejtë dhe transparente e termineve për parashtrimin e kërkesave për viza, si edhe shqyrtimi i kërkesave Tuaja në përputhje me ligjet aktuale, janë interesi ynë i përbashkët dhe i Juaji.


Për fat të keq, ekzistojnë gjithmonë njerëz që duan të përfitojnë me informacione të rreme. Gënjeshtrat dhe informacionet e rreme Ju dëmtojnë Ju dhe Ambasadën. Për akuza të tilla, kohën e fundit janë arrestuar 2 persona në Gostivar, shtypi disa herë ka raportuar për rastin në fjalë. Prandaj, mbroni veten dhe kini parasysh: Termine për viza jepen vetëm nëpërmjet faqes së internetit të Ambasadës!

Nëse dikush Ju premton një termin për një shumë të caktuar të hollash, ai gënjen! Terminet nuk mund të blihen! Njerëzit që prezantohen si punonjës të Ambasadës në rrugë dhe që bëjnë premtime, gënjejnë! Nëse dikush Ju ofron certifikata të falsifikuara të gjuhës, Ju lutemi refuzoni! Punonjësit tanë janë të trajnuar dhe njohin falsifikime të tilla. Në rast të tillë, kërkesa Juaj për vizë do të refuzohet.

Informacione të hollësishme dhe të besueshme mund të gjeni në faqen tonë të internetit www.skopje.diplo.de!”, thonë nga Ambasada e Gjermanisë në Shkup.