LAJMI I FUNDIT:

Dhjetë mijë pallatet e harruara të Indisë

Dhjetë mijë pallatet e harruara të Indisë

Dikur simbole të fuqisë dhe pasurisë së komunitetit Nattukottai Chettiar, mijëra pallate gjigante dhe magjepsëse në Tamil Nadu, tani janë shndërruar në gërmadha.

Kishte rënë mbrëmja në Karaikudi, një qytet në rajonin Chettinad në shtetin e Indisë Jugore të Tamil Nadu. Të siluetuara përballë qiellit të errët, pallatet Chettinad, siç njihen, dukeshin jashtëzakonisht të bukura, por ishin harruar, raporton bbc.

Më shumë se dhjetë mijë pallate luksoze mbulojnë rajonin Chettinad, shumë prej tyre shtrihen në dhjetëra mijëra metra katrorë. Këto shtëpi gjigante, shpesh magjepsëse, u ndërtuan nga familjet e pasura tregtare të komunitetit Nattukottai Chettiar, të cilët e krijuan pasurinë duke tregtuar gurë të çmuar në Azinë Juglindore. Kulmin e fuqisë së tyre ekonomike e arritën në fund të shekullit të XIX-të dhe në fillim të shekullit të XX-të, kur u ndërtuan shumica e pallateve.


Kur Lufta e Dytë Botërore filloi në vitin 1939, megjithatë, tregtia mori një goditje dhe pasuria e tyre u zvogëlua shumë shpejt. Doli të ishte periudha më e errët në historinë e tyre, duke i detyruar Chettiart të kërkonin punë jashtë Chettinadit, ku shumica migruan dhe braktisën vendbanimet e tyre.

Sot, Chettinad është i famshëm për gatimin e mishit në zjarr dhe ndërtesat antike, por shumica e udhëtarëve janë të painformuar për këto shtëpi luksoze të shpërndara në 73 fshatra të tjerë. Edhe pse shumica e tyre gjenden nën rrënoja, një pjesë e vogël janë shndërruar në hotele dhe muze nga pronarë entuziastë që punojnë për të mbajtur gjallë trashëgiminë e Chettiar.

Në fshatin Kanadukathan, 15 kilometra nga Karaikudi, gjendet hoteli 100-vjeçar “Mansionin Chettinadu”, i cili është kthyer në një rezidencë, transmeton Telegrafi.

“Gjyshi im ndërtoi rezidencën Chettinadu midis viteve 1902-1912. Katër breza duke përfshirë mua dhe familjen time kanë jetuar në këtë shtëpi. Ndihem krenar për trashëgiminë time dhe kjo është arsyeja pse kam përgjegjësi që t’i ruaj ato”, tha një pronar i rezidencës.

Rezidenca prej 43 mijë katrorë ka fasadë të bardhë të stolisur me dritare të bukura, ndërsa holli i saj madhështor ka një tavan të zbukuruar prej ari, llambadarë të kristaltë dhe mobilie fantastike.

Oborri i mrekullueshëm është i rrethuar nga shtylla të larta të kaltra. Shkallët e ngushta prej druri na dërgojnë në një korridor të freskët, ku dhomat e bukura të miqve kanë parmakë të bardhë prej hekuri dhe dantella për ballkone.

“Druri ka ardhur nga Birmania, pasqyrat dhe llambadarët janë sjellë nga Belgjika dhe mermeri për dysheme është blerë në Itali”, vuri në dukje Chandramouli. “Kolonat e granitit të zi që shihni në sallën e madhe janë nga Spanja, ndërsa shtyllat blu prej gize në oborrin qendror vinin nga Birmingham në Angli”, shtoi ai.

Ndërtimi i rezidencës ishte një biznes serioz për Chettiarët, të cilët ‘harxhuan’ të gjitha paratë për të ndërtuar shtëpitë e tyre të ëndrrave. Ata u frymëzuan nga arkitektura evropiane dhe angazhuan arkitekt vendas që të punonin me lëndën e parë të sjell nga e gjithë bota. Rrjedhimisht, fasadat gotike, dyshemetë prej mermeri, dritaret me zbukurime dhe pllakat nga Lindja e Largët u bënë një tipar i rregullt në çdo shtëpi.

“Ndërtesat e Cettinad u ofrojnë vizitorëve një shfaqje të shkurtër se si arkitektura lokale mund të frymëzohet nga ndikimet e jashtme dhe ende të pasqyrojnë kulturën nga e cila buron. Kjo është ajo që i bën kaq të veçanta”, tha Dr Seetha Rajivkumar, kreu i departamentit të arkitekturës në Kolegjin Adhiyamaan.

Mesatarisht, çdo rezidencë ka më shumë se 50 dhoma dhe tre deri në katër oborre. Shumica shtrihen në një hapësirë mbi një hektar, prandaj vendasit i referohen si “periya veedu” ose “shtëpi të mëdha”.

“Stërgjyshërit tanë ndërtuan shtëpi të mëdha që të jetojmë së bashku. Meqenëse burrat ishin gjithmonë larg për biznes, ishte e rëndësishme që gratë dhe fëmijët të qëndronin së bashku për t’u ndjerë të sigurt”, shpjegoi Chandramuli. Në ditët e tyre të lulëzimit, në këto shtëpi jetonin njëkohësisht mbi 70-80 anëtarë të familjes.

I njohur si Pallati Athangudi, kjo rezidencë luksoze e kthyer në muze, ka një sallë madhështore të pritjes: një dysheme të madhe prej mermerit italian, shtylla graniti spanjoll të mbuluara me koka luani të skalitura, dritare të harkuara me xhama belg, një ballkon prej hekuri të farkëtuar dhe një tavan të zbukuruar hollësisht me pllaka nga Japonia. Shtëpia ishte e përshtatshme për një mbret.

Në Bangala gjendet hoteli i parë i trashëgimisë së Chettinad, i vendosur në zemër të Karaikudit.

Bangala ka një të kaluar interesante; nuk ishte kurrë një shtëpi familjare si pallatet e tjera, përkundrazi ishte një vend feste në pronësi të familjes së pasur të MSMM Chocalingam Chettiar, e quajtur gjithashtu familja MSMM. Burrat e familjes e përdornin atë për të pritur dhe argëtuar miqtë e tyre meshkuj. Gratë nuk lejoheshin në Bangala.

Për ironi, Bangala tani menaxhohet nga Meenakshi Meyyappan, mbesa e familjes MSMM.

“Unë kujdesem për të gjitha gjërat rreth shtëpisë dhe krijojë të gjitha menytë e ushqimeve”, tha Meyyappan, tani 89 vjeçare, e cila pëlqen të presë mysafirë nga e gjithë bota.

Vetë një kuzhiniere e shkëlqyeshme, Meyyappan është bashkë-autore e “The Bangala Table: Flavors and Recipes from Chettinad”, libër që zbulon jo vetëm kuzhinën lokale, por edhe kulturën dhe historinë e pasur të rajonit.

“Shpenzimet e rinovimit të shtëpive të Chettinad mund të arrijnë në mijëra dollarë. Dhe, kjo nuk është e vetmja kosto, këto ndërtesa kërkojnë mirëmbajtje dhe riparim të rregullt”, shpjegoi Rajivkumar.

Por si Meyyappan ashtu edhe Chandramuli janë optimistë.

“Vetëm 10 për qind e pallateve të Chettinad janë shndërruar në destinacione turistike deri më tani, ndërsa 30 për qind janë shkatërruar plotësisht. Është detyra jonë të ringjallim 60 për qindshin e mbetur duke punuar së bashku si komunitet”, tha Chandramuli.

Meyyappan, e cila është edhe organizatore e “Festivali i Trashëgimisë dhe Kulturës Chettinad”, synon t’u japë frymë të re pallateve të rrënuara duke ringjallur interesimin për historinë dhe kulturën e Chettinad.

Megjithëse Chettinad mbetet relativisht i panjohur edhe në Indi, pallatet e harruara po shohin një ringjallje të ngadaltë falë përpjekjeve të vendasve.

Me një qëllim të thjeshtë – ruajtjen e trashëgimisë Chettiar – dhe me shumë guxim dhe vendosmëri, persona si Meyyappan dhe Chandramouli, nuk po heqin dorë prej pallateve në Indi. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Evropa
Ukrainasit shkatërrojnë sistemin raketor rus S-400

Ukrainasit shkatërrojnë sistemin raketor rus S-400

Evropa
Shkoi në aheng me granatë, e njëjta shpërthen dhe lë të vdekur një person dhe të plagosur katër të tjerë në Kroaci

Shkoi në aheng me granatë, e njëjta shpërthen dhe lë të vdekur një person dhe të plagosur katër të tjerë në Kroaci

Kroacia
Putinit i mungojnë ushtarët në vijën e frontit, tenton të joshë rekrutët e rinj – u premton faljen e borxheve në vlerë prej 95 mijë dollarësh

Putinit i mungojnë ushtarët në vijën e frontit, tenton të joshë rekrutët e rinj – u premton faljen e borxheve në vlerë prej 95 mijë dollarësh

Evropa
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Amerika
Përfundon transplanti i parë i dyfishtë dhe plotësisht robotik i mushkërive në botë

Përfundon transplanti i parë i dyfishtë dhe plotësisht robotik i mushkërive në botë

Botë
Kalo në kategori