LAJMI I FUNDIT:

Bëhen 24 vjet nga vrasja e Enver Maloku

Bëhen 24 vjet nga vrasja e Enver Maloku

Sot janë bërë 24 vjet nga vrasja e veprimtarit të LDK-së, Enver Maloku. Enver Maloku ishte kreu i Qendrës Informative të Kosovës, i cili u vra më 11 janar 1999, në një kohë kur situata ishte mjaft e rënduar nga lufta.

Pak metra prej banesës së tij në përdhese të një blloku banesash në Breg të Diellit, në sytë e gruas dhe të fëmijëve, atentatorët e vranë Enver Malokun, i cili ndërroi jetë pak minuta më vonë në spitalin e Prishtinës.

Enver Maloku u lind në fshatin Bradash të komunës së Podujevës më 2 shkurt 1954. Shkollën fillore e kreu në Bradash e Bajçinë, gjimnazin në Podujevë, kurse studimet për letërsi shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.


Një kohë ka punuar arsimtar në shkollën fillore të Bradashit, kurse prej vitit 1979 ka punuar në Televizionin e Prishtinës, në programin e kulturës. Enver Maloku, gazetari kryesor i kulturës në Televizionin e Prishtinës, para se ky të mbyllej nga pushtuesi serb më 1990, u bë në vitet nëntëdhjetë gazetari kryesor politik në Kosovë.

Fillimisht ka punuar si gazetar/redaktor, ndërsa nga vitit 1993 ka qenë udhëheqës i Qendrës për Informim të Kosovës, e cila, nga themelimi më 1991, kreu punën e agjencisë kombëtare të lajmeve.

Maloku për gati gjashtë vjet e udhëhoqi Qendrën për Informim, e cila kreu punë jo vetëm në rrafshin e informimit në Kosovë, po edhe të profilizimit e promovimit të gazetarisë kombëtare e kritike politike.

Puna e Malokut, qëndrimi i tij kritik ndaj aktualitetit, por edhe qëndrimi në krye të një institucioni që po mbante barrën kryesore në informimin për jetën, luftën dhe mizoritë serbe në Kosovë, e vunë atë dhe familjen e tij para një varg kërcënimesh dhe rreziqesh.

Herën e parë, në korrik të vitit 1998, atë e huqi plumbi i një atentatori të panjohur, që po e priste për ta vrarë në derë të banesës së tij. Mesazhi ishte shumë i qartë: kërkohej heshtja e Enver Malokut, heshtja e gazetarisë dhe e guximit për shprehje të lirë në Kosovë. Me meritën e Malokut dhe të kolegëve të tij fjala u shqiptua guximshëm e pacenueshëm dhe institucioni që drejtoi ai punoi si kurrë më parë në punë të informimit të opinionit të brendshëm e të jashtëm në kohë okupimi të egër e lufte të ashpër.

Por, në pasditen e 11 janarit 1999, pak metra prej banesës së tij në përdhesë të një blloku banesash në Breg të Diellit, në sytë e gruas dhe të fëmijëve, atentatorët e vranë Enver Malokun, i cili ndërroi jetë pak minuta më vonë në spitalin e Prishtinës. Në komentet e kohës kur u vra, u tha me të drejtë se vrasja e Enver Malokut ishte vepër e qarqeve antishqiptare, të cilat kishin për qëllim të pengonin informimin në gjuhën shqipe, si edhe procesin për realizimin e lirisë e të pavarësisë së Kosovës.

Më 4 prill 2016, presidentja e Republikës së Kosovës, SHT Atifete Jahjaga, e ka dekoruar Enver Malokun me Urdhrin “Hero i Kosovës”, për kontributin e tij në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova për kontributin e tij në shtetndërtimin e Kosovës, e ka dekoruar Enver Malokun me Urdhrin “Medalja e Artë e Pavarësisë”.

Gjithashtu, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, e ka dekoruar Enver Malokun me Medaljen “Urdhri i Artë i Shqiponjës”.

Me iniciativë dhe nën Patronatin e presidentit Rugova, për ta nderuar veprimtarinë e tij, më 12 korrik 2005 në Prishtinë, në vendin ku është vrarë, Enver Malokut i është ngritur një monument.

Për nder të veprimtarisë së tij të pashoq, shumë rrugë e shkolla në Kosovë mbajnë emrin “Enver Maloku”. /kp/