LAJMI I FUNDIT:

Media si gardiane për gjuhën e urrejtjes

Media si gardiane për gjuhën e urrejtjes
Ilustrim

Erjon Tase

Ende pa nisur zyrtarisht fushata zgjedhore, kryeministri Rama ka nisur këto fundjava një tur takimesh në bashki të ndryshme të vendit për të biseduar me qytetarët. I zhveshur nga kostumi zyrtar, kreu i qeverisë ia lejon vetes në këto takime që të bëjë humor dhe shkëmbejë batuta për punën e kryetarëve aktualë socialistë që kërkojnë rimandatimin, por në pjesën më të madhe nuk mungojnë edhe diskutimet për ekipin e tij të zemrës, Juventusin, dhe çështje të tjera jashtë politikës së ditës.

Në një prej këtyre takimeve, ai me disa të rinj në qytetin e Elbasanit të premten e kaluar, kryeministri nuk hezitoi të kthente në personazhe dy gjimnazistë, të cilëve u kërkoi të shfaqnin talentin e tyre muzikor gjatë transmetimit live të takimit nga shumë televizione dhe të ndjekur nga mijëra qytetarë online në kanalin ERTV.


“Ai me kapuç të kuq, çohu, mos ke ndonjë klarinetë me vete? Hajde, nxirre të dëgjojmë”, iu drejtua Rama djaloshit që dallohej lehtësisht se i përkiste komunitetit rom. Për të vijuar më tej komentin e tij “… atë e kapa me shpinë që i binte klarinetës…”, batutë që shkaktoi të qeshura dhe duartrokitje nga të pranishmit.

Në fakt, ky konstatim përforcoi më tej dyshimin se kryeministri po bazohej në stereotipin për romët, si të talentuar në muzikë, por të përshtatshëm për një profil të caktuar argëtues në muzikën tradicionale popullore, aty ku ka vend më shumë klarineta, apo “ahengun” jashtë sallave pompoze të koncerteve. Për nxënësin tjetër që u vendos në qendër të vëmendjes në të njëjtin takim dhe nuk ishte rom, do të ishte më e vështirë që të vihej një bast i sigurt nga kryeministri për instrumentin muzikor që mund të luante.

Shumë prej nesh do të gjendeshin pa dashur në situatën e mësipërme të kryeministrit, ku stereotipat, karakteristikat që u vendosim individëve bazuar mbi perceptime përgjithësuese mbi racën, kombësinë apo orientimin seksual, janë të ngulitura dhe transmetohen nga brezi në brez.

Kur këta stereotipa paragjykuese ngjiten në nivelin e politikanëve dhe gjejnë hapësirë në debatet politike apo edhe në panelet televizive nga figurat e njohura dhe njerëz me peshë në opinionin publik, ato nxisin një diskutim publik gjithnjë e më agresiv dhe polarizues në shoqërinë tonë, duke ushqyer një terren të përshtatshëm për gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin në të gjithë shoqërinë tonë.

Media, ajo tradicionalja dhe media sociale në hapësirën online, është instrumenti kryesor për formësimin e debatit publik. Si rrjedhojë, ajo është aktorja kryesore që kontribuon në nivelin e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit, komunikim i cili, ndikon në nxitjen e urrejtjes racore, ksenofobinë, anti-semitizmin, apo format e tjera të urrejtjes bazuar në intolerancë.

Politika dhe urrejtja etnike

Një monitorim i gjuhës së urrejtjes së përdorur në median shqiptare, i realizuar në periudhën janar 2021-prill 2022, nga “Rrjeti i Raportimit të Diversitetit 2.0”, zbulon rritjen gjatë kësaj periudhe të gjuhës së urrejtes me baza etnie. Kjo është një risi, e lidhur ndoshta me situatën e pandemisë së Covid-19, kur shoqëritë tona ishin më të mbyllura ndaj të huajve për shkak të panikut të krijuar nga përhapja e virusit të panjohur. Megjithatë, raporti vuri në dukje se nuk ka ndonjë ndryshim pozitiv as për grupet e tjera të paragjykuara. “Gjuha e urrejtjes dhe diskriminuese ndaj grave dhe vajzave arrin nivele më të larta të intensitetit, gjë që nxjerr në pah një perceptim negativ ndaj grave dhe vajzave, të rrënjosur thellë në shoqëri. Po kështu, gjuha e urrejtjes dhe diskriminuese ndaj komunitetit LGBTQ+ është e pranishme, veçanërisht në mediat online”, thekson raporti.

Konstatohet se pavarësisht pranisë shqetësuese të gjuhës së urrejtjes në median shqiptare dhe komunikimin publik, ashpërsia e diskursit është e ndërmjetme dhe karakterizohet nga narrativa fyese, ofenduese, por jo të dhunshme. Megjithatë, kjo nuk e pakëson ndikimin negativ që këto narrativa përçarëse kanë tek individët, grupet dhe komunitetet e prekura, si edhe në të gjithë shoqërinë.

Këto gjetje, të përforcuara edhe nga studime të tjera të medias tradicionale dhe asaj online, dëshmojnë për një rritje të incidenteve ku politikanë dhe figura të tjera publike përdorin një gjuhë diskriminuese ndaj grupeve vulnerabël në media, në shumicën e rasteve duke përfituar mbështetje politike nga grupe të caktuara qytetarësh. Mund të sillen si shembull rastet e denoncuara të ish-nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Myslym Murrizi, i cili propozonte dy vite më parë nga foltorja e parlamentit krijimin e fondeve për kredi për deputetët “për të patur dinjitetin e duhur, se janë bërë si arixhinjtë e po flenë rrugëve me çadra…”, si dhe terma të tjera diskriminues ndaj komunitetit rom dhe egjiptian në shfaqjet në panele televizive apo edhe postime në mediat sociale.

Një gjuhë urrejtjeje dhe diskriminimi nuk heziton të ndajë publikisht ndaj komunitetit LGBTQ+ edhe një nga drejtuesit e partisë së legalitetit, Murat Basha, i njohur për shprehjen: “Po të më bëhej djali gej do t’i fusja plumb ballit”. Edhe pas kësaj deklarate në vitin 2012, z. Basha vijon të ftohet rregullisht në emisionet televizive ku diskutohet mbi diskriminimin mbi bazën e prirjeve gjinore apo seksuale, duke i dhënë më shumë kredite politike tek një pjesë e elektoratit që mund të ketë mendime të ngjashme.

Por, ndërsa politikanët ndjekin një strategji të komunikimit agresiv për të tërhequr vota, studimet dëshmojnë se janë gjithashtu vetë mediat faktori tjetër që ka ndikuar në rritjen e nivelit të gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit ndaj minoriteteve. Studimi mbi “Gjuhën e urrejtjes, propagandën dhe dezinformimin”, i zhvilluar nga Instituti Shqiptar i Medias, konfirmon se komentet e publikuara nga përdoruesit në versionet online të mediave janë një burim i pasur i gjuhës së urrejtjes, duke përfshirë publikimin e komenteve acaruese, fyerjeve dhe gjuhës përçmuese. Pjesa më e madhe e organeve mediatike në internet, edhe ato media më serioze, i lejojnë përdoruesit e tyre që të shkruajnë çdo lloj komenti pa patur asnjë moderim apo filtrim për gjuhën e përdorur.

Përtej hapësirës online, një tjetër studim i AMA në vitin 2018, dëshmonte se e njëjta situatë me mungesën e kontrollit të gjuhës së urrejtjes ekziston edhe në mediat televizive. “Një sondazh me 50 gazetarë dhe redaktorë nga stacionet televizive kryesore në vend treguan se gjysma e tyre mendonin se ishte shtuar niveli i gjuhës së urrejtjes në përmbajtjen mediatike të televizioneve. Po kështu, 67 për qind e tyre thanë se në organet e tyre mediatike, i kushtohet pak ose aspak vëmendje gjuhës së urrejtjes”, nënvizohet në raport.

Situata është edhe më e pashpresë në portalet e shumta që gëlojnë vetëm online, të cilët operojnë në kufijtë e anonimitetit duke mos ndjekur asnjë rregull etik apo përgjegjësi për materialet që publikojnë. Në luftën e egër për të rritur numrin e klikimeve dhe si rrjedhojë për të shtuar të ardhurat nga publiciteti, këto portale organizojnë fushata të vërteta lançimi publik të figurave publike. Kështu për shembull, në profilet e tyre në Facebook apo Instagram, postohen një foto e një politikani apo personazhi të debatueshëm të shoqëruar me pyetjen: “Çfarë mendimi keni për …?” Kaq mjafton që qindra e mijëra komente, kryesisht me përmbajtje denigruese ndaj personazhit apo edhe grupit që ai përfaqëson të vërshojnë online, në shumicën e rasteve, nga profile të rreme. Do të ishte e tepërt të kërkohej ndonjë moderim nga autorët e portalit apo rregulla etike të komentuesve në një skemë të tillë klikimmbledhëse.

Zvenitja e multikulturalizmit modern e ka bërë edhe më evidente problemin e ndarjes së shoqërive dhe antagonizmit të grupeve më bindje dhe përkatësi të ndryshme etnike, kulturore apo fetare. Sa më radikale të bëhen ndarjet dhe qëndrimet mes këtyre grupimeve, aq më e madhe do të jetë dhe eko-ja e gjuhës së urrejtjes ndaj të ndryshmëve dhe minoriteteve edhe në shoqëri më të zhvilluara dhe kulturë të hershme zbatimi të ligjit dhe të të drejtave themelore. Vendi ynë nuk mund të bëjë përjashtim nga këto zhvillime globale, të amplifikuara më tej në një terren armiqësor për lulëzimin e demokracisë dhe lirinë e shprehjes.

Në këtë situatë, plotësimi i mekanizmave ligjorë dhe zbatimi i kodeve të etikës në media, si rekomandime kryesore për të kufizuar gjuhën e urrejtjes, mbeten zgjidhje jo të efektshme në një term afatshkurtër. Një shembull i kësaj sfide është paketa anti-shpifje, e ndërmarrë nga mazhoranca socialiste me synimin për të vendosur rregull në mediat online, por tepër e dyshimtë dhe e debatuar edhe ndërkombëtarisht për shkak të rrezikimit të instalimit të një censure shtetërore mbi mediat. Tërheqja nga kjo inisiativë, duket se do të mbajë jashtë një rregullimi të mundshëm ligjor portalet online. Mesa duket, do te jene vetëm mediat tradicionale ato që mund të fokusohet vëmendja për një vetërregullim dhe forcim të kodeve të etikës.

Pavarësisht se zhvillimet teknologjike dhe mediat sociale kanë zhvlerësuar monopolin e medias tradicionale në formësimin e debatit publik, roli i gazetarëve profesionistë vijon të mbetet thelbësor në luftën ndaj gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit. Është e nevojshme pra, që gazetarët profesionistë të trajnohen dhe rrisin në mënyrë të vazhdueshme njohuritë e tyre për të njohur dhe zbehur sterotipet apo paragjykime të tjera që sjellin diskriminim ndaj grupeve të caktuara vulnerabël. Shpesh gazetarët mund të gabojnë në mënyrë të pavullnetshme për shkak të mungesës së informacionit. Përfshirja në redaksitë mediatike të gazetarëve dhe stafeve mbështetëse nga grupe të ndryshme minoriteti është një tjetër mundësi për të identifikuar diskriminimin në debate publike dhe bllokuar dhënien e hapësirës mediatike të atyre politikanëve apo personazheve të tjerë publike që nxisin urrejtje në shoqëri.

Duke krijuar një ambient sa më gjithëpërfshirës në redaksi, burimet e informacionit apo dhe bashkëpunëtorët e të ftuarit në emisione, çdo gazetar dhe redaksi mediatike mund të sjellë një ndryshim pozitiv në kufizimin e gjuhës së urrejtjes. Solidariteti zëfortë publik mes aktivisteve civile të barazise gjinore dhe kolegeve gazetare për të dënuar publikisht raste të dhunës në familje apo ngjarje të tjera të rënda me viktima vajza dhe gra, mund të jetë një shembull i replikueshëm edhe për shumë ngjarje të tjera negative të nxitura nga paragjykime me bazë racore, prejardhjeje dhe orientimi.

Në trend

Më shumë
Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Magazina
Banorët thyejnë rregullat duke folur për nominime: Planifikojnë që nëse iu bie Kutia e Pandorës të nominojnë Gjestin, Eglin dhe Rozanën

Banorët thyejnë rregullat duke folur për nominime: Planifikojnë që nëse iu bie Kutia e Pandorës të nominojnë Gjestin, Eglin dhe Rozanën

Magazina

"Babait i ra pika, më tha nuk ke përkrahje prej familjes", Arbër Bytyqi tregon se nuk ia miratuan dëshirën për t'u bërë grimer dhe u detyrua të studionte diçka tjetër

Magazina
Kaplohet nga zjarri ish-kinemaja në qendër të Prishtinës

Kaplohet nga zjarri ish-kinemaja në qendër të Prishtinës

Kronika e Zezë
U munduan ta fusin në grackë duke e dehur dhe detyruar Loredanën ta joshë, Rozana zbulon kurthin që banorët përgatitën për Gjestin

U munduan ta fusin në grackë duke e dehur dhe detyruar Loredanën ta joshë, Rozana zbulon kurthin që banorët përgatitën për Gjestin

Magazina
Koreja e Veriut tërheq ushtarët nga vija e frontit në Ukrainë

Koreja e Veriut tërheq ushtarët nga vija e frontit në Ukrainë

Evropa
Kalo në kategori